Monika Kryemadhi: Kryeministri po zbaton me përpikëri planin monstruoz për shpërbërjen e Shqipërisë

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, znj. Monika Kryemadhi ka mbajtur fjalën përmbyllëse në takimit e Lëvizjes së Gruas për Integrim. Znj. Kryemadhi ka deklaruar se sfida më e madhe për LGI dhe LSI, është mbrojtja e familjes shqiptare.
Fjala e plotë e Kryetares së LSI, znj. Monika Kryemadhi

Janë brohoritje zemre, janë brohoritje shpirti, janë brohoritjet e zemrës së një nëne, e cila nuk resht në asnjë moment duke menduar që ky vend meriton më shumë. Në fakt kam folur edhe herë të tjera në takime me gratë, por sot emocioni është ndryshe, sepse të gjitha ju që jeni këtu në këtë sallë i keni bërë ballë presioneve dhe kërcënimeve të disa mediokërve, të cilët të kenë turp që kërcënojnë gratë dhe vajzat shqiptare, që nuk i ka kërcënuar kurrë asnjë njeri dhe nuk i ka vendosur përpara kurrë asnjë njeri. Sot do të flisja pafundësisht, por problemet janë aq shumë dhe unë do të mundohem që ta përmbledh, sepse jam e bindur që secila nga ju ka lënë fëmijët dhe prindërit në shtëpi, keni lënë punët e përditshme, të cilat për gratë shqiptare janë shumë të vështira. Minutat për gratë tona janë flori, sepse jeta është e vështirë.

Jeta e shqiptarëve po vështirësohet, ata po varfërohen çdo ditë dhe më shumë. Mundësitë dhe shanset për të qenë evropianë po bëhen gjithmonë e më të pamundura. Sot më shumë se kurrë ne jemi në një udhëkryq ku ndahet e ardhmja e Shqipërisë me shpërbërjen e saj. Shqipëria kjo ‘Zonjë e Rëndë’ që i kënduan rilindësit po kërruset, po mblidhet, hallet, vuajtjet po e drobitin. Shqipëria kjo Zonjë e Rëndë, të cilën nuk e lodhën pushtimet e luftërat dhe regjimet diktatoriale po e kërrus një grusht njerëzish, të cilët po e kriminalizojnë dhe më e dhimbshmja po i shkatërrojnë të ardhmen, shpresën, dritën e syve të saj, rininë. I them këto fjalë pasi ndiej dhimbje, revoltë, por edhe përgjegjësi për këtë situatë. Ndjej dhimbje se jam shqiptare, besoj në Zot dhe në flamur. Ndjej revoltë, sepse jam nënë dhe dua që fëmijët e mi ta duan Shqipërinë dhe jo të jetë vend i huaj për ta. Ndjej përgjegjësi për këtë situatë politike, sepse kjo klasë politike është përgjegjëse për indiferencën e saj ndaj kapjes së shtetit nga ky grup njerëzish. Sot dua të flas si nënë, por dua të flas edhe si për herë përpara jush si Kryetare e LSI. Ne gratë kudo që jemi kemi një forcë brenda nesh, që Zoti na e dhuroi si një armë për ta përdorur dhe për të mbrojtur fëmijët tanë dhe familjet tona. Kjo forcë e ka emrin grua, prandaj ta përdorim këtë armë hyjnore për të mbrojtur Shqipërinë tonë, e cila është shtëpia jonë, është vatra jonë, ku rrisim dhe krijojmë familjet tona me vlera, dashuri dhe respekt për Shqipërinë tonë.

Sot ne jemi qindra dhe mijëra dhe për mua është një motivim, por mbi të gjitha një përgjegjësi shumë e madhe, sepse misioni im është t’ju udhëheq ju bashkë me Klajdën, Erisën, Silvën, Irisin, Elonën dhe shumë gra të tjera, por së bashku me ju edhe me djemtë tuaj, vëllezërit tuaj dhe bashkëshortët tuaj në një rrugë të vështirë, por në një rrugë të drejtë, në një rrugë të bekuar nga Zoti. Në rrugën për shpëtimin e Shqipërisë nga e keqja që e ka rrëmbyer. Ky mision bëhet i mundur me energjinë, me punën, me angazhimin tuaj dhe ky mision merr zemër kur ne bashkojmë duart dhe krijojmë rrethin e energjisë të zemrave të nënës, sepse zemra e nënës ka energjinë që ngroh fëmijën e saj, që e rrit dhe e edukon, por ka edhe energjinë që djeg dhe flak në kazanin e plehrave çdo njeri, që kërkon t’i bëjë keq asaj dhe vendit të saj. Prandaj të krijojmë rrethin e energjisë së gruas shqiptare, ta shpëtojmë të ardhmen e këtij vendi. Ta shpëtojmë rininë tonë që po ikën, sepse nuk ka të ardhme më këtu. Ta shpëtojmë edhe Kryeministrin e rënë, që është peng i krimit. Ta shpëtojmë nga ëndrrat e frikshme dhe nga makthi i tij i karriges. Dhe kjo bëhet duke mos u ndalur, duke i dhënë dorën secilës nga ne që të marrim forcë nga njëra-tjetra dhe t’i japim forcë atyre, të cilat nuk kanë. T’ju japim zë nga zëri ynë, zemër nga zemra jonë dhe forcë nga forca jonë. T’iu japim dritë nga drita e syrit tonë, që të shikojnë dhe të besojnë në vlerat e gruas shqiptare, të besojnë në vendin e tyre, të besojnë te forca e tyre dhe të besojnë te familjet e tyre, të besojnë te një familje e shëndoshë, sepse një familje e shëndoshë ndërton një komb jetëgjatë. Një familje e shëndoshë ndërton një të ardhme të sigurt dhe të begatë. Ne sot mblidhemi bashkë për të folur dhe për të dëgjuar zërin tonë, edhe ata që nuk kanë veshë të dëgjojnë hallet e shqiptarëve.

Unë mendoj që ne nuk kemi nevojë për politikë që na jep modelin që serviret sot me hipokrizi, por kemi nevojë për politikën që duan njerëzit, për politikën që është si njerëzit e thjeshtë. Kemi nevojë për modelin e vërtetë, për atë model që shfaqet këtu me gratë dhe vajzat e LSI-së. Ne jemi të gjitha njësoj, LSI-ste dhe Socialiste, Demokrate, e Shoqëri Civile, të papuna e biznesmene, fshatare dhe qytetare, fermere dhe pedagoge, asnjëra nga ne nuk është ndryshe. Të gjitha jemi njëlloj. Të gjitha jemi vajza dhe gra shqiptare, dhe jemi krenare për emrin që mbajmë. Po të ishte Luan Rama do ta recitonte më bukur se unë, por jemi rritur me vargjet e Pashko Vasës, sepse arsimi i sotëm çdo ditë e më shumë po na i largon fëmijët nga atdhedashuria, nga respekti dhe mirënjohja për vendin e tyre, për historinë e tyre, dhe për të shkuarën e mrekullueshme historike që ne kemi.
“ Mblidhuni ju vajza e mblidhuni ju gra
Me ata sy të bukur që dini me qa
Eni t’vajtojmë Shqypninë e mjerë
Që mbet e shkret’ pa emër pa nder.
Ka mbet’ e veje si grue pa burrë
Ka mbet’ si nanë që s’pati djal’ kurrë.
Kujt i bon zemra me lanë me vdekë
Këtë farë trimneshe që sot asht’ mekë.
Këtë nanë të dashtun a do ta lamë,
që njeri i huaj ta shklasë me kamë? ”
Jo, kurrë nuk do ta lëmë. Ju jap fjalën e nderit që deri në fund do të luftojë për të mos ndodhur kurrë kjo gjë, të cilën ne nuk e kemi lejuar. Ndoshta për Kryeministrin tonë modern këto vargje do t’i duken demode, por këto vargje jam e bindur që edhe për mua, edhe për ju, por dhe shumë të tjerë na zgjojnë ndërgjegjen kombëtare. Na bën të zgjohemi nga gjumi i trishtimit dhe i dëshpërimit në të cilën kemi rënë. Poezia e Pashko Vasës “ O moj Shqipni e mjera Shqipni” është sot më shumë se kurrë reale.

Kryeministri ynë po i bën Shqipërisë atë që nuk ia bënë dot në shekuj më parë armiqtë e saj. Ai po e varfëron çdo ditë. Ai po e shkatërron atë çdo ditë dhe më shumë. Pasi është kthyer në një telekomandë të krimit, ai po zbaton me përpikëri planin e tij monstruoz për shpërbërjen e Shqipërisë. Fakt: Ai po varfëron 99% të shqiptarëve duke iu ngritur taksat dhe po pasuron akoma më shumë pasanikët e tij që janë vetëm 1% e tyre duke iu ulur taksat. Fakt: Në Shqipëri varfëria është ulur këmbëkryq tek shqiptarët, ajo tashmë është bërë mikja më e mirë e shqiptarëve. Edhe FMN e rendit Shqipërinë tek vendet më të varfra, në vendin 105. Fakt: Shqiptarët marrin 1 euro për familje ose 0.25 euro për anëtarë familje, ose 300 lekë të vjetra ushqim në ditë. Ky standard është i njëjtë me vendet e varfra të Afrikës. Fakt: Vetëm në Shqipëri TVSH-ja e ushqimeve të shportës është 20%. Në Itali, Spanjë dhe në vendet e tjera është vetëm 4%. Fakt: 2.4% e shqiptarëve ose 70.000 të rinj e të reja janë kthyer në përdorues të rregullt të drogave të rënda. Ky është një lajm i dhimbshëm, i trishtë, i kobshëm dhe i frikshëm për të gjitha ne nënat, të cilat me shumë mund dhe sakrificë kemi sjellë në jetë fëmijët tanë dhe droga që ka vërshuar në shkollat e Shqipërisë me bekimin e Kryeministrit i ka marrë peng ata. Sa nëna gdhihen me merakun që i gërryen se mos fëmijët e tyre kthehen përdorues, apo shpërndarës droge.
Edhe sa fakte të tjera ka pafund për të përmendur për këtë Kryeministër të rënë, për këtë Kryeministër që i është dhënë me koncesion krimit të organizuar. Ky Kryeministër për të mbrojtur lidhjet dhe për të zhdukur gjurmët është gati të kthejë edhe diplomatët e huaj në narkodiplomatë, vetëm për të mbuluar zullumet e tij. Mos harrojmë paratë e drogës blejnë çdo gjë, blejnë makina e pallate, blejnë njerëz, blejnë ndërkombëtarë, blejnë institucione, blejnë vota, por kurrë nuk blejnë Shpirtin, sepse Shpirti është gjëja e vetme që nuk ka asnjë çmim. Sot ky Kryeministër njeh vetëm veten e tij dhe asgjë tjetër. Por harron se Edi Rama nuk është më i Edi Ramës. Edi Rama është pronë e krimit, është pronë e oligarkëve, është pronë e drogës, është pronë e makthit të pushtetit të tij. Pra, me një fjalë të vetme është pronë e së keqes. Por ky njeri nuk mund të zhduki fobinë e tij, duke i përzënë shqiptarët çdo ditë nga toka e tyre. Ky njeri nuk mund t’iu heq të drejtën shqiptarëve të punojnë në Shqipëri si qytetarë të denjë në vendin e tyre. Ky njeri nuk mund të shpërbëjë këtë vend sepse ka frikë nga shqiptarët ose i urren ata. Nëse ky Kryeministër e do Shqipërinë dhe shqiptarët, nëse ky Kryeministër beson në Zot dhe Atdhe atëherë të largohet dhe t’i lërë të qetë shqiptarët.

Zonja të nderuara. Ne nuk duhet të kemi frikë të themi të vërtetën. Do të doja të inkurajoja të gjitha gratë dhe vajzat të mos jenë të përulura përpara atij që paraqitet i fortë, apo atij që e dhunon apo e kërcënon. Të mos harrojmë se ne mund të bëjmë ndryshimin. Ai është vetëm një. Të punojmë dhe të ndihmojmë gratë të ndihen të fuqishme kudo që janë. Secila nga ne ka të drejtën të flasë atë çfarë ndjen. Nëse ne besojmë te vetja jonë, atëherë ka një fije shprese. Drita jeshile është në fund të tunelit të errët në të cilën ne gjendemi. Prandaj të punojmë së bashku për të shkuar drejt kësaj shprese. Sepse kur pushteti përdor instrumentet e tij për të shtypur të tjerët, ne të gjitha jemi të humbura prandaj nuk duhet të bëjmë kompromis me realitetin e hidhur që na serviret, por të bëjmë kompromis me veten tonë, për të thënë ajo çka ne jemi dhe të tregojmë atë çka ne mbartim. Sepse ne për këtë jemi krijuar, për të qenë vetvetja, për të qenë të vërteta dhe për të qenë gratë që drejtojnë atë që duhet. Nuk ka dje, Nuk ka nesër, por çdo ditë është ditë e shqiptarëve, prandaj çdo ditë do të punojmë për Shqipërinë, për shqiptarë, për fëmijët dhe për familjet tona të cilat meritojnë më shumë.

Sfida e LGI
Sot është dita të lëmë mënjanë ndasitë, frikat e vogla dhe pakënaqësitë. Të harrojmë përkatësitë politike dhe partiake dhe të ngremë së bashku frymën e revoltës ndaj një qeverie që po shkatërron bërthamën e shoqërisë sonë, vlerën e vërtetë të shoqërisë tonë, Familjen.
Për interesin më të mirë, për të ardhmen e sigurt dhe të begatë të fëmijëve shqiptarë, për të mbajtur gjallë dhe të fortë familjen tonë, le të bashkohemi në aksionin politik për të shkulur nga rrënjët narkoqeverinë e Edi Ramës. Sot ka ardhur dita të mbrojmë familjen shqiptare me çdo kusht. Edhe pse ndoshta Kryeministri nuk i kupton apo nuk i do këto vlera, ne me energjinë, forcën dhe vullnetin tonë do t’i tregojmë atij dhe gjithë atyre që nuk e kanë kuptuar ende se, familja dhe fëmijët tanë janë pasuria jonë më e shtrenjtë. Këtë më mirë se kushdo e di një grua, e di një Nënë! Kjo është sfida e LGI-së, kjo është sfida e LSI-së! Kjo është sfida e të gjithë shqiptarëve, për një jetë më të mirë dhe të begatë. Jam e sigurt që këtë betejë do ta fitojmë të gjitha së bashku, sepse shqiptarët dhe fëmijët e tyre meritojnë një Shqipëri të vërtet evropiane. Zoti ju bekoftë!

Burimi: (integrimi.al/T.I)

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al