Monika Kryemadhi: Largimi i Edi Ramës, mision kombëtar

Intervista e Kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi, për emisionin “5 pyetje nga  Babaramo” në Report Tv

Znj. Kryemadhi, i arriti pritshmëri protesta e 27 janarit? Ju pyes si një nga organizatoret
kryesore të saj.
Nuk mund të them që isha një nga organizatorët për shkak të asaj që ndodhi atë ditë.
Organizatorët e vërtetë ishin vetë qytetarët. Edhe protesta e 27 janarit ishte si rezultat i kërkesës
dhe i nxitjes që qytetarët ushtronin ndaj LSI-së, apo edhe PD-së, për të pasur një protestë apo
edhe për të krijuar një realitet të ri politik. Vërtet opozita mund të ketë qenë e çorganizuar për
shkak të pozicionimeve të reja të forcave të ndryshme politike por ajo çka të bënte më shumë
përshtypje është pakënaqësia në popull është aq e madhe saqë ata donin vërtet diçka të
rëndësishme për ta shprehur këtë pakënaqësi. Ishte një marshim në bulevardin “Dëshmorët e
Kombit”, ku faktikisht e pamë të gjithë që pjesëmarrja aty ishte e jashtëzakonshme që tregoi se
shumica e shqiptarëve janë kundër qeverisë. Pas kaq shumë vitesh ne nuk kemi parë kaq shumë
pjesëmarrës në një protestë kur kemi vetëm 3 muaj pasi kjo qeveri mori pushtetin. Kjo rrit shumë
përgjegjësinë tonë si LSI, por edhe të gjithë opozitës. E vendos opozitën përballë një sfidë shumë
të rëndësishme.
Ju si drejtues të opozitës thoni që kjo protestë i arriti pritshmëritë tuaja. A ia arritët ju
pritshmëritë e atyre që thirrët? Ndonjë kritik mund të thotë që: erdhën, protestuan dhe
gjithçka mbeti si më parë.
Mos u çudit për këtë. Po të ushtrohej dhunë do të kritikonin dhunën. Protesta ishte paqësore dhe
janë kritikë se nuk kishte dhunë. Ne jemi mësuar me skeptikët e opozitës. Në radhë të parë
protesta tregoi se opozita është shumica dhe jo pakica në Shqipëri. Në radhë të dytë, tregoi që
bashkimi bën fuqinë. Sepse nëse të gjitha forcat politike do të ishin në 25 janar të bashkuara, ne
sot nuk do të kishim 74 mandate të blera me paratë e drogës në parlament. Në radhë të tretë,
tregon që qytetarët e larguan frikën për të protestuar, në radhë të katërt bëmë koshient edhe ata
që nuk duan të shikojnë dhe as ata që duan ta dëgjojnë se çfarë ndodh, bëmë prezente që, prit se
ka një frymë opozitare për të protestuar. Ky është vetëm fillimi, kjo është maja e ajsbergut të
protestës. Mos të harrojmë që është një qeveri jo vetëm e kriminuar, por e subvencionuar në
mënyrë permanente me shuma të mëdha parash brenda dhe jashtë vendit për të intimiduar
qytetarët, për të krijuar idenë që këtu çdo gjë është shumë normale, këtu jeta është rozë, njerëzit
janë shumë të lumtur, jetojnë në jetë luksi, por në të vërtetë është komplet e kundërta. Dalja në
Bulevardin Dëshmorët e Kombit të një numri jashtëzakonisht protestuesish, thashë kemi dhjetëra
vite që nuk e shohim diçka të tillë. Mediat ndërkombëtare bënin një rezyme të kësaj proteste që
thoshin, që shqiptarët pas tre muaj qeverisje të re të Kryeministrit, i cili akuzohet për lidhjen me
mafien, për çështjen e ish-ministrit të Brendshëm duke qenë si koka e trafikut të drogës. Të gjitha
këto me radhë prezantoheshin nëpër TV dhe mediat ndërkombëtare. Por të gjitha veniten në
mediat shqiptare për t’i vendosur shqiptarët në gjumin letargjik, në gjumin e harresës, të cilët
duke qenë sa më të varfër, sa më të pa informuar normal që janë më të lehtë për tu nënshtruar.
Protesta e datës 27 është vetëm maja e ajsbergut, sepse gjërat do vazhdojnë më tej, jo për
shkakun tonë por për shkak të pakënaqësisë së madhe popullore që është.
Kjo pakënaqësi që thoni që ka mes njerëzve, si mund të kanalizohet?
Sigurisht që ajo kërkon strategjinë e vet dhe ne jemi duke punuar.

Në çfarë pistash?
Nuk kanë rëndësi pistat sepse nuk është e nevojshme për t’i bërë sot. Pistat janë në të gjitha
drejtimet, i ke në Fier, në Lushnje, në Durrës, në Tiranë, i ke kudo në të gjithë Shqipërinë. Ke
situata të tmerrshme të cilat qytetarët i shikojnë, e vuajnë përditë. Mjafton tu gjendesh atyre,
është një nga arsyet që ata kanë nevojë për politikën. Opozita ka filluar të zgjohet, të
riorganizohet, ka filluar të hyjë në ritmin e saj opozitar. Nuk mund të jemi perfekt. Pikërisht se
nuk jemi perfekt jemi në këtë pozicion që jemi. Por ajo që dua të them është që një opozitë e cila
fillon dhe rindez motorët e saj, e cila e shikon lidhjen e saj të drejtpërdrejtë te problemet e
njerëzve është opozita perfekte dhe që do sjellë një reagim. Një opozitë e organizuar në të paktën
që mund të bëj është që do minimizojë sadopak korrupsionin. Korrupsioni tashmë është një nga
gjërat më të vogla që ka qeverisja aktuale, por do minimizojë shkeljen e ligjit në mënyrë
flagrante dhe shërbimin e kësaj qeverie në shërbim të grupeve të strukturuara kriminale. Ky është
një nga problemet më të mëdha. Dhe një tjetër çështje e rëndësishme është ngjallja e shpresës për
shqiptarët, për të qëndruar në Shqipëri, për të qenë pjesë e opozitës, për të rrëzuar një qeveri e
cila po sjell vetëm eksod masiv të shtresës së mesme shqiptare.
Në protestën e 27 janarit, por edhe në deklarata të tjera keni thënë se do të kërkoni
largimin e kësaj qeverie, por prej 21 vjetësh asnjë qeveri nuk është larguar me forma
ekstraparlamentare. Gjithkush ka mbaruar mandatin 4-vjeçar, madje 8-vjeçar.
Unë nuk di që të ketë ndonjë opozitë që nuk kërkon largimin e kësaj qeverie. Të gjitha opozitat
kërkojnë largimin e qeverisë. Ajo çka dua të them është se largimi i Edi Ramës është një mision
kombëtar. Pse e them që është mision kombëtar? Sepse ne çdo ditë e më shumë po shikojmë se si
shqiptarët po largohen nga Shqipëria. Besoj se e patë se në çafër gjendje të mjeruar jetonin
shqiptarët në kampet e refugjatëve në Francë. Po në të njëjtën situatë jetojnë në Gjermani dhe
kudo. Problemi i madh është edhe largimi i shtresës së mesme, i trurit të Shqipërisë. Ata njerëz të
shkolluar që kemi po na largohen nga Shqipëria. Siç është rasti i mjekëve apo i infermierëve që
largohen drejt Gjermanisë. Ashtu siç është rasti edhe i shumë shtresave të tjera që po largohen
nga Shqipëria për një vend pune, për një garanci apo për një jetë më të mirë. Ashtu siç kemi
biznese pafundësisht që po largohen nga Shqipëria drejt vendeve të rajonit, sepse kanë jo vetëm
klimën e biznesit shumë të favorshme, por kanë dhe sistemin e taksave shumë më të ulët.
Ndërkohë që kemi taksat më të larta në rajon, jemi vendi më i varfër. Kemi iniciativën më të ulët
se çdo vend tjetër. Normalisht shqiptarët që kanë më shumë ambicie për jetën e tyre dhe që
kërkojnë një jetë më të mirë për familjet dhe fëmijët e tyre do të largohen nga Shqipëria. Por
faktikisht çfarë do të ndodhi? Kjo do të sjelli shpopullimin e Shqipërisë.
Partitë e tjera të djathta u shprehën kundër afrimit të LSI me e z. Basha?
Më shumë ka qenë pak e nxitur nga mediat, sigurisht asnjëherë nuk ka qenë ky problem. Ajo që
unë kam thënë dhe e them gjithmonë është se LSI ka elektoratin e saj, ka votat e saj dhe ka
vendet e saj në parlament. Ka qenë e nxitur. Për mua kjo ka qenë e subvencionuar nga zyra
mediatike e z. Rama me qëllim për të krijuar një lloj pasigurie te opozita. Por këtu nuk qëndron
problem se ku është LSI-ja për sa i përket Frontit Opozitar. Këtu qëndron problemi a jemi të
gjithë kundër kësaj qeverie e cila çdo ditë e më shumë po varfëron shqiptarët. A jemi të gjithë
kundër kësaj qeverie, e cila çdo ditë e më shumë po detyron shqiptarët të largohen nga
Shqipëria? A jemi kundër kësaj qeverie, e cila çdo ditë më shumë po bën që të ketë më pak
ushqim në tryezat e shqiptarëve.

Ju thatë që keni votat tuaja, ndërkohë që shumë nga këta kryetarë partish nuk janë
zgjedhur në mënyrë të drejtpërdrejtë, por në listat e PD-së. A i shikoni si problem këta për
koalicionin?
Nuk i shikoj fare si problem për sa i përket koalicionit, sepse ne akoma nuk kemi diskutuar dhe
akoma nuk kemi biseduar për sa i përket koalicionit. Është reforma zgjedhore ajo që është në
diskutim më parë. Ndërkohë janë zgjedhjet lokale. Pra, janë shumë gjëra për të shkuar deri tek
ato zgjedhje, të cilat po trumbetohen. Ajo që mendoj është që opozita duhet të unifikojë
vendimet e saj dhe një axhendë të saj, për të cilat jemi në një rrugë të mbarë, jo vetëm në
institucionin e Parlamentit, por edhe me aktivitete të tjera të mëtejshme. Këto aktivitete do të
fillojnë shumë shpejt të vihen në jetë, qoftë nëpërmjet strukturave partiake. Unifikimi i opozitës
në frontin opozitar është diçka shumë e mirë që është arritur dhe hapat e tjera vijnë si pasojë e
një axhende politike, të cilën detyrohemi ta zbatojmë për arsye të kërkesave të vetë qytetarëve.
Ju po hartoni një axhendë të përbashkët. Çfarë nënkuptoni ju me këtë axhendë?
Axhenda e përbashkët është e pafund. Fillon që nga axhenda parlamentare, axhenda mediatike,
axhenda e nismave ligjore, axhenda e protestave të organizuara, axhenda e zgjimit të njerëzve.
Axhenda edhe duke takuar shoqërinë civile, analistët, gazetarët, bizneset. Është një axhendë që
kërkon një angazhim i jashtëzakonshëm, qoftë kohor, qoftë fizik. Përveç kësaj kërkon edhe një
ristrukturim të të gjitha partive politike, në bazën e tyre, me njerëzit e tyre, kudo ata i kanë. Kjo
bën të mundur bashkimin e çdo grimce opozitare që është e nevojshme për të krijuar këtë front
opozitar. Këtu nuk është çështje politike. Nuk është pushteti e Lulzim Bashës apo Monika
Kryemadhit. Është normale që nuk del njeri të protestojë për pushtetin e një individi. Ata dalin
gjithsecili për të luftuar për pushtetin e vetes së tyre. Shqiptarët e dinë shumë mirë që çdo
pozicionim i tyre në politikë është çfarë do t’u kthehet mbrapsht atyre. Në kuptimin e punësimit
të tyre, mundësinë e zhvillimit të bizneseve të tyre, të shkollimit të fëmijëve të tyre, në kuptimin
e një jete më të mirë dhe pasjes së një standardi më të mirë jetese. Edhe ai që është në punë
kërkon një punë tjetër më të mirë, me më shumë të ardhura. Ai që është i papunë kërkon një
punë. Ata që kanë fëmijët emigrantë, kërkojnë që fëmijët e tyre të kthehen në këtë vend dhe të
hapin biznesin e tyre. Kjo është një alternativë që ne duhet tua ofrojmë shumë shpejt dhe shumë
shpejt do të bëjmë të mundur përfundimin dhe prezantimin e saj. Fakti që njerëzit janë të lodhur
vjen si pasojë e një sjelljeje politike, nga vetë klasa politike, pjesë e së cilës jam edhe vetë,
pavarësisht kontributeve që ka gjithsecili në këtë gjë. Njerëzit presin diçka të re nga kjo klasë
politike. Por nuk mund të them që e reja sot në politikë është Edi Rama, i cili ka 20 vjet në
pushtet, 3 vjet ministër Kulture, 11 vjet kryetar bashkie, 5 vjet Kryeministër. Shqiptarët duhet
ndërgjegjësuar, sepse për hir të së vërtetës, tranzicioni na bën me memorie të shkurtër ose me
memorie të vogël, për shkak të tranzicionit, të varfërisë, të mungesës së alternativave shqiptarët
fokusohen më shumë te halli dhe problemi sesa te analiza politike. Ashtu si kemi dhe një
ambient të përsëritjes ose të analizës politike, në Shqipëri është gjithmonë që ne duam apo nuk
duam për hir të së vërtetës kemi problemet tona. Dashje pa dashje kjo është Shqipëria, të ofron
këto mundësi. Kemi edhe manipulime të shumë ngjarjeve historike. Njerëzit e kishin harruar që
Edi Rama ishte 20 vjet në pushtet, që ka qenë 3 vjet ministër kulture, 11 vjet kryetar bashkie. Por
11 vjet kryetar bashkie tamam, se mund të jesh kryetar po s’ke as para as buxhet edhe s’ke as
mundësi as leje ndërtimi. Kanë harruar që ka qenë 5 vjet kryeministër. Po të shikosh në gjithë
historikun ke faktorë të tjerë politikë, vërtet i ke në jetën politike por në pushtet ku i ke? Po
marrim Sali Berishën, 8 vjet Kryeministër, 4 vjet President, marrim Ilir Metën 2 vjet

Kryeministër, 1 vit ministër i Jashtëm, 6 muaj ministër Ekonomie, 5 vjet kryetar parlamenti.
Problemi qëndron që njerëzit nuk e bëjnë këtë analizë. Në jetën e përditshme kur shikon një jetë
komplet ndryshe sepse faktikisht ne kemi media pafundësisht për vendin e vogël që kemi dhe ky
është një avantazh shumë i madh dhe për opozitën. Por, nga ana tjetër, mos të harrojmë që dhe
presioni i madh që ushtrohet nga qeveria ndaj medias është i jashtëzakonshëm për të indoktrinuar
me politikat e saj. Kjo është e vërtetë, njerëzit dëgjojnë gjuhën e drunjtë politike, që flasin
politikisht, me argumente politike. Por në fund të ditës ku është ky, ku jemi ne.
Në fund të protestës të 27 Janarit, z.Basha kërkoi krijimin e një qeverie anti-mafi. Jeni
dakord me këtë qeverisje, pak a shumë çfarëdo emri mund t’i vësh, qe një qeverisje e
përbashkët, një qeveri teknike?
Qeveria mjafton të jetë pa Edi Ramën dhe është qeveri antimafia për mendimin tim. Që
normalisht antimafia është një artikulim politik sepse mund të dalim dhe mund të kërkojmë
ekstreme të jashtëzakonshme dhe pastaj të gënjejmë njerëzit. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm
në artikulimet politike.
Një bashkëqeverisje PS-PD…
Patjetër që duhet të ketë një bashkëqeverisje, po them përsa i përket përgatitjes së zgjedhjeve, do
shkosh në qeverisje me Edi Ramën që drejton bandat? Me kë do shkosh në zgjedhje me Edi
Ramën kryeministër?
Në fakt z. Basha në zgjedhjet e qershorit asnjë fjalë nuk artikuloi kundër procesit
zgjedhor..
Për këtë duhet të pyesni z. Basha por unë kam përshtypjen që sot edhe ne, edhe z.Basha po
artikulojmë sesi zgjedhjet e qershorit ishin të blera me paratë e drogës dhe e shikojmë dhe vet
realisht. Nuk i kemi zbuluar ne për hir të së vërtetës, nuk kemi qenë një opozitë aq aktive. i ka
zbuluar antimafia italiane vetë ata i sollën përgjimet.
Për çfarë shërbeu 27 janari znj. Kryemadhi?
27 janari theu frikën që kishte instaluar Edi Rama dhe ndoshta i ktheu shikimin të verbërve dhe
dëgjimin edhe të shurdhërve që të kuptojnë që Rama nuk është shumica. Rëndom dëgjojmë që jo
ai i ka 74 mandate. Vërtet i ka por mos harrojmë që janë përdorur miliona euro dhe grupet
kriminale në zgjedhjet e 25 qershorit. Mjafton të shikojmë se sa lëvizi kursi i euros në fushatë.
Kjo e bën shumë të qartë se si i ka marrë 74 mandatet Rama me paratë e drogës. Sa për
marrëveshjen e z. Basha të mos çuditemi. Kjo ishte marrëveshja e parë e z. Basha me Ramën. Ne
të tjerët kemi bërë pafundësisht marrëveshje dhe e kemi ‘ngrënë’ nja tre katër herë. Kështu që
për z. Basha nuk besoj se do të ketë herë tjetër.
E keni tejkaluar mosmarrëveshjen me z. Basha? Ai gjithë bateritë e sulmeve në fushatë i
kishte kundër LSI-së.
Në fushata elektorale të gjitha partitë ndërtojnë planet e tyre për të maksimalizuar rezultatin. Unë
mendoj se strategjia e PD-së ishte e gabuar.
Nëse do të kishte ndodhur e kundërta, pra Basha do të sulmonte Ramën dhe jo LSI-së,
Kryeministër do të ishte prapë Rama?

Jo sigurisht, nuk do të ishte Rama. Loja që ai luajti ishte e tillë që e çmobilizoi bazën e PD-së,
bazë e cila është shumë në ekstrem kundër PS-së. Loja që Rama luajti në mënyrë perfekte bëri që
ata të mos dilnin në votime. Për ne si LSI ishte hera e dytë që bashkëpunonim me Ramën. E para
ishte ajo e 2007-s kur LSI e bëri Ramën kryetare Bashkie të Tiranës dhe ai menjëherë bëri ato
ndryshimet e famshme kushtetuese të 2008-s. Ashtu sikurse edhe ajo e 2013-s, ku Rama erdhi në
pushtet vetëm prej LSI-së. Duhet të kemi parasysh se fushatat janë frymë dhe jo numra. Sigurisht
që qetësia dhe dashuria e Ilir Metës ndaj Ramës i krijoi shanset e kapjes së shtetit. Pavarësisht se
Meta herë pas here mundohej t’ia përmendte tregonte që marrëveshja jonë me ta ishte e
pasinqertë. Pavarësisht se ne mundoheshim të ishim korrekt në marrëdhënie me ta. Mund të them
që ministrat e LSI kanë qenë të survejuar në mënyrë permanente nga segmentet e Ministrisë së
Brendshme të Tahirit. Çdo ministër është përgjuar në mënyrë permanente në zyra, në makinë,
kudo, në institucione. Mos të flasim pastaj për zhveshjen e kompetencave të ministrive. Drejtorët
e Përgjithshëm të LSI thirrini, kanë qenë 4 vjet në survejim, në përndjekje të jashtëzakonshme, jo
vetëm nëpërmjet telefonatave, por edhe ambienteve familjare.
Ku e keni mësuar këtë gjë?
Këto janë faktike. Po të shkoni sot të kërkoni në Ministrinë e Brendshme nëse nuk i kanë djegur,
do të shikoni file të tëra, zbardhje bisedash jo vetëm të ministrave të LSI, por edhe të deputetëve
dhe ndonjë elementi tjetër.
Kryetari i Kuvendit ka qenë i përgjuar?
Sigurisht. As nuk ka dyshim për këtë. Përderisa çdo gjë ishte ne efeciencë të plotë. Duke qenë se
ministrat e LSI kanë qenë të survejuar dhe duke qenë se e kanë pasur me sinqeritet, gabime kanë
sigurisht, se nuk ka njeri pa gabime. Të jeni të bindur se zhveshja e institucioneve që
drejtoheshin nga LSI, qoftë Ministria e Bujqësisë, Ministria e Integrimit, Ministria e
Transporteve, etj, janë ministri të cilat u zhveshën dhe u zvogëluan buxhetet e tyre dhe u
administruar të gjitha në Kryeministri në godinën e madhe.
Kur e keni kërkuar për herë të parë prishjen e koalicionit?
Unë kam qenë kundra. Pavarësisht se marrëdhëniet e mia me Ramën kanë qenë individuale
shumë të mira, duke qenë se unë kam punuar në fushatat e tij elektorale. Nuk qenë dakord sepse
mungesa e sinqeritetit të tyre lë për të dëshiruar. Unë jam një personazh shumë i hapur, jam si një
libër i hapur, jam e drejtpërdrejt në atë që mendoj, në atë që them. Edhe kur kam bërë diçka
them: E kam bërë gabim sepse nuk e dija. Ndërsa mungesa e sinqeritetit të tyre ka qenë shumë e
madhe, shumë prezente. Duke pasur parasysh se skenarët e ndryshme që kanë bërë kundër LSI-
së, ose dezinformimi që i është bërë institucioneve ndërkombëtare për LSI-në, kur e keqja më e
madhe e qeverisjes së Edi Ramës ishte LSI-a, me Hipotekat e famshme. Në një kohë kur Edi
Rama e ka ndërruar 7 herë drejtorin e Hipotekës së Tiranës. Të njëjtën gjë ka bërë në Vlorë dhe
në Durrës. Pra, LSI vërtet kishte drejtorin e përgjithshëm të Hipotekës, por gjithë Hipotekat e
tjera nëpër rrethe i kishte Partia Socialiste. Drejtoritë Arsimore i kishte po ashtu PS-ja. Dhe
dëgjohej pastaj që LSI-a shiste tezat e provimit në këmbim të votës. LSI s’kishte asnjë të punonte
në Ministrinë e Arsimit. Dhe këto vinin si informacione që Ministria e Jashtme ua dërgonte
institucioneve ndërkombëtare. Së pari, s’kishte asnjë punonjës në Ministrinë e Arsimit. E dyta,
nuk kishte asnjë mësues.
Pra, ju po thoni që Ministria e Jashtme ka punuar kundër LSI-së? i keni provuar këto?

Sigurisht që po. A keni parë ju sot ndonjë ministri që të punojë për shtetin dhe shqiptarët? Disa
miq jashtë vendit i kemi, por nuk kemi menduar që miqtë tanë t’i përdorim në eficiencë që të
sulmojmë njërin apo tjetrin, shokun tim që kam në krah, në llogore. Nuk e kam menduar
ndonjëherë këtë gjë. Po të hapësh librin për Edi Ramën dhe për të gjithë ministrat e tij ke pafund
fakte. Për çfarë? Do të fillosh me shpenzimet administrative që kanë? Ata që na erdhën si partia e
të varfërve, apo i atyre që erdhën për të mbrojtur interesat e të varfërve. Ata, të cilët udhëtojnë
me çarter. Në një kohë që kur kalon Edi Rama bllokohen rrugët. Këta që thonë që ne do bëjmë
shtet. Si do e bëjnë shtetin? Me Ëhatsapp? Nuk ka një shtet që funksionon me Whatsapp. Ne
jemi shtet te shkresat akoma.
Deri ku mund të shkojë bashkëpunimi juaj me PD-në? Ekziston mundësia për të pasur
kandidatë të përbashkët në zgjedhjet lokale?
Faktikisht nuk po diskutojmë për zgjedhje, por po diskutojmë për zgjidhje. E rëndësishme është
të fuqizojmë opozitën, të fuqizojmë frontin opozitar, jo vetëm me struktura politike, por edhe me
shoqëri, individë, grimca opozitare, të cilat prodhojnë një politikë, dhe prodhojnë një alternativë
dhe që e kemi mjaft të nevojshme. Sot kemi nevojë për një alternativë, kemi nevojë për një
sjellje të re politike, kemi nevojë edhe për një axhendë ekonomike për shqiptarët. Shqiptarët janë
në një situatë të tmerrshme varfërie. Ne sot nuk po shikojmë asnjë strategji, ndërkohë që nga kjo
anë ne do të bashkëpunojmë prapë me Partinë Demokratike për të pasur një strategji kombëtare
antivarfëri. Dhe përse të mos përfshihet dhe Partia Socialiste në këtë strategji kombëtare, e cila
është mjaft e nevojshme. Sepse shumica e shqiptarëve jetojnë me më pak se 1 dollarë në ditë.
Skena politike tashmë është tripolare. Është PD, PS dhe LSI
Unë mendoj që skena politike është vetëm një. Të gjithë shqiptarët luftë kundër Edi Ramës.
Në zgjedhjet lokale kemi të bëjmë me një sistem mazhoritar, është luks të kemi tre
kandidatë, një I shumicës, dy të opozitës.
E thashë dhe pak më parë, nuk është koha e zgjedhjes, por e zgjidhjes. Unë mendoj që shqiptarët
nuk kanë nevojë se kush do të jetë në pushtet. Sot shqiptarët duan të dinë se çfarë do tu çojnë
fëmijvë në shtëpi, ku do punojnë, ku do gdhihen nesër, në aeroport, në traget apo rrugëve? Ky
është problemi që kanë sot shqiptarët. Mund të jesh edhe shumë komod në rolin e një opozitari,
ke foltoren e parlamentit, njëherë në javë, jep një konferencë shtypi dhe kaq. Cështja është si do I
mbrosh ata banorët në Vërri dhe në Mbrostar, që po ja u ndërtojnë incineratorin në një tokë që
është shumë e mirë bujqësore. Incinerator, që jo vetëm do të shkatërrojë atë zonë aty, por do të
shkatërrojë gjithë Fierin. Ne nuk e kemi nevojën për këtë gjë, sepse edhe ai që është në Elbasan
nuk punon gjithë kohës. Nuk ka tallje më të madhe se ajo që bëri Edi Rama konferencë shtypi
me skype me naftëtarët, ndërkohë naftëtarët I kishte te Ministria e Ekonomisë. Totalisht mungesë
njerëzillëku, dhe mungesë përgjegjësie. U premtoi një vit më parë, rroga dhe sigurime dhe nuk u
dha asgjë.

Vendosët të protestonit pas zgjedhjes ju pretendoni se është anti-kushtetuese të prokurores
së përkohshme të përgjithshme. Opsionet atëherë ishin, që nga ajo që propozoi lideri
historik i së djathtës, djegja e mandateve të parlamentarëve opozitar. Një bojkot i
seancave. Ndërkohë që ata që presin më shumë thonë, erdhën protestuan, ikën dhe gjithçka
si më parë. Ishit dakord ju me këtë trajektore?

Nuk na u imponua asgjë nga Basha përsa i përket axhendës së protestës dhe shumë gjëra të tjera.
Ka qenë një rakordim perfekt, kemi qenë dakord të gjithë bashkë. Edhe z.Basha edhe ne ndoshta
kërkonim gjëra të tepërta por ishin vetë edhe kryetarët e partive të cilat krijuan një lloj
oportuniteti dhe pozitiviteti shumë të mirë të protestës. Përsa i përket djegies së mandateve dua të
them diçka. Është një lojë që luhet nga Rama sepse atij do ti interesonte shumë loja djegies së
mandateve. E tha Berisha po Ramës i pëlqeu sepse ishte një moment që z.Berisha dha mendimin
e tij personal. Por z. Berisha ka thënë që ky është mendimi im personal por unë do të ndjek
vendimin e partisë. Një nga arsyet e hapjes së negociatave me BE, është dialogu politik. Djegia e
mandateve dhe bojkoti i parlamentit sigurisht që tregon që nuk ka dialog politik kështu që
automatikisht digjen negociatat. Por ka një betejë shumë të madhe, betejën e zbatimit të reformës
në drejtësi. Ne nuk jemi në paqe sociale, jemi në protestë, në sensibilizim. Mua marrëdhënien e
kushtëzuar me parlamentin nuk ma detyron dot Rama. Qëndrimi ynë si LSI ka qenë i qartë që
negociatat me Shqipërinë duhen hapur menjëherë. Edi Ramës nuk i intereson ti hapi negociatat
sepse ai ka një shfokusim të Shqipërisë nga boshti i saj që ka pasur Euroatlantik. Hapja e
negociatave është shumë e rëndësishme. Unë nuk do të uroja që të mos hapen negociatat sepse
ne na është kërkuar nga BE dhe SHBA që hapja e negociatave do të vij me miratimin e reformës
në drejtësi. LSI votoi pa mëdyshjen më të vogël dhe pse PD kishte shumë të drejtë për 7 ligjet që
bllokonin Reformën në Drejtësi. SHBA-të nuk kërkojnë kurrë që të shkelet Kushtetuta. Unë nuk
kam parë në asnjë vend të botës që asnjë institucion, asnjë shtet të shkelë Kushtetutën. E kanë
shkelur diktatorët, e ka shkelur krimi i organizuar, e kanë shkelur grupet kriminale Kushtetutën
dhe ligjin. Por, qeveri që të shkelë Kushtetutën dhe ligjin vetëm në Shqipëri kam parë.
Parlamenti i 18 dhjetorit ishte një nga skenat më të turpshme. Unë e kam bërë veten time që nuk
dua të flas më fare për reformën në drejtësi, sepse për mua reforma në drejtësi ka rënë. Ngjarja
që ka ndodhur me ekstradimin financierit të Habilajve është skandal shumë i madh. Në çdo vend
tjetër të botës, arrestohej prokurori, ministër drejtësie, çdo gjë. Ndërsa ne këtu kemi paradë
mode. Kemi një ministër drejtësie të papërgjegjshme që është bërë zëdhënëse e zyrave të
Ministrisë së Drejtësisë dhe Edi Ramës që ajo duhet të shohë veten e vet se ka dhe ajo historikun
e saj në të kaluar. Sjellja e saj në këtë mënyrë kaq arbitrare, kur deri dje tha që nuk e dimë që
është ekstraduar dhe sot thotë ne e kemi ekstraduar. Kemi brenda dy ditësh dy qëndrime të
ndryshme që tregon papërgjegjshmëri, dhe tregon hapur kapjen e saj nga krimi i organizuar.
Është shërbimi në mënyrën më flagrante dhe më perfekte që mund ti bëhej strukturës së grupit të
Habilajve dhe shpëtimit të Saimir Tahirit. Të padënuarit ne i ekstradojmë në Itali, ata që janë
dëshmitarë apo personazhe të cilët kanë lidhje apo impakt të jashtëzakonshëm në zgjidhjen e një
ngërçi kriminal, korruptim, ne i ekstradojmë, prishim provat. Për çfarë bëhet kjo? Prishet sistemi
i drejtësisë.

Javë më parë kryeministri Rama foli për ambasadorët tanë. Cili është komenti juaj?

Ambasadorët vijnë dy ditë edhe ikin. Ju e keni dëgjuar se çfarë bëjnë ambasadorët dhe me çfarë
merren ambasadorët. Merren me punët e shtetit të tyre. Kujt ambasadori i preu barku se kanë
bukë apo s’kanë bukë shqiptarët të hanë? Ke parë ndonjë ambasador shqiptar ti që të shkojë dhe
të luftojë për bizneset shqiptare në vendet evropiane? S’ke asnjë biznes shqiptar. Ndërkohë ke
shumë biznese të huaja në Shqipëri, dhe shumë mirë që janë sepse sjellin eksperienca shumë të
mira, por ata mbrojnë interesat e shtetit të tyre. Nuk kam parë që ambasadori i SHBA të mbrojë
interesat e Shqipërisë përpara interesave të SHBA.
Pra, ju thoni që janë në një kazan edhe bizneset e huaja, edhe reforma në drejtësi…
Normal. Ai ka interesat e veta. Do mbarojë punën e vet, do vendosë të ikë. Kthehet në vendin e
tij dhe fillon jetën normale edhe njëherë nga fillimi. Unë e ti do rrimë këtu. Edhe Edi Rama do
ikë. Ai po i përgatit gjërat e veta. Mos ja qajmë hallin atij. Unë do rri këtu. Sepse po të doja të
isha larguar, do e kisha bërë. Por kam vendosur të rri këtu. Problemi qëndron: Ky vend do bjerë
në dorën e krimit të organizuar?
A ka mundësi që të bllokohet kjo kapje?
Të kthehet në shtratin kushtetues Parlamenti edhe njëherë. Zgjedhja edhe njëherë e
Kryeprokurores së Përgjithshme sipas ligjit, me Vetting. Po Vettingun pse nuk ia bëri kësaj
kryeprokurores ky? E kishte Vettingun grupi…
Rrugës është tha… Është duke i bërë…
Rrugës… Mbasi liroi të gjithë këto që ishin elementët që implikonin Sajmir Tahirin. Por, ka një
problem. Mos harrojmë. Çdo gjë që bën sot, edhe pas dhjetë viteve të del. Ju e patë çfarë ndodhi
në Rumani. Para dy vjetëve dilnin dhe protestonin për reformën në drejtësi. Për këtë reformë që
kemi ne sot. Sepse edhe neve na doli shoqëria civile tek Parlamenti. Me 30-40 veta që ishin
këshilltarë të Partisë Socialiste në Bashkinë e Tiranës. Dhe sot ke 100 mijë njerëz që dalin dhe
protestojnë dhe kërkojnë të futet prokurorja në burg, sepse u përdor nga segmente të caktuara të
politikës apo biznesit për të bërë luftën e klasës. E njëjta gjë do të ndodhë edhe në Shqipëri.
Sepse ty s’ta beson njeri sot reformën në drejtësi. Ka krijuar precedentin Rama që unë e zgjedh
kryeprokurorin me 86. E krijoi precedentin Rama, s’ka me kryeprokuror me 84 tashmë.
E pyeta, tha që nuk kam asnjë frikë. Frikë kanë ata nga dosjet…
Po çfarë frike kam unë. Unë s’kam firmosur asgjë dhe as kam qenë në vendimmarrje.
Po ministrat e LSI-së?
Kush? Po pse po të kishte gjë ai, ti kujton se do t’i kishte lënë? Për një shkrim që bëhet në një
rrjet social, që nuk e njeh njeri, bën namin ta gjejë se kush e ka.
Keni deklaruar se ekonomia është mbërthye nga oligarkët por ndërkohë si ju dhe PD nuk
keni guxim t’i thoni emrat apo jo?
Nuk ka unë asnjë kompleks. Çdo biznesmen është në rregull dhe është normale që do të punojë
për veten e tij. Shteti prandaj është. Që atë babëzinë e dikujt ta ndalë. Ke parë ti ndonjë njeri që
kënaqet. Është kënaqur Edi Rama që i mori të gjitha? Mua më pëlqen shumë të pi kafe me
Babaramon por kjo nuk do të thotë që unë duhet të jap intervista vetëm te Babaramo. Atij i
pëlqen të rrijë me Zamirin por kjo nuk do të thotë që t’i vendosë TVSH-në të gjithë bizneseve të
vegjël sepse duhet të shkojnë njerëzit të bizneset e Zamirit. Pra, ti nuk duhet ta lejosh që miqtë e tu të urrehen nga njerëzit. Po të marrësh tenderin që ka bërë në 2016-n Sajmir Tahiri i ka fituar
‘Kastrati’ tre lote të furnizimit me nafte të të gjitha institucioneve shtetërore dhe e ka me 17.6 për
qind normën e fitimit. Po ka fituar lot edhe një kompani tjetër që e ka me 40 për qind normën e
fitimit. Qeveria është që të krijojë barazi. Kemi këtë ngjarjen e fundit me ARMO-n. E fut Beson
e Tajvanit në atë biznes, shumë mirë bërë, por detyroje që të paguajë tatimet, detyroje që të
paguajë rrogat. Ndërkohë që i çon taksidarët e Ramës në bizneset e vegjël dhe i vënë vetëm
gjoba. Ndërkohë që askush nuk merret me naftëtarët që kanë një vit pa marrë rrogat dhe pa iu
paguar sigurimet. Kjo pra është oligarkia. Nëse ligjet zbatohen barabartë për të gjithë nuk ka
oligarki.

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al