Monika Kryemadhi të rinjve: Mos u mashtroni nga ligësia, sepse duke qenë të gjithë bashkë, jo vetëm që do fitoni për të ardhmen tuaj, por do fitoni një Shqipëri që e meriton të jetë vendi i të rinjve

Fjala e Kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, në Konferencën
Studentore të Lëvizjes Rinore për Integrim

Dëshiroj  të falënderoj organizatorët e këtij takimi. Kjo foltore e LSI dhe ky baner nuk kanë
vend këtu, por duhet të ishte simboli i Universitetit të Tiranës, duhet të ishin simbolet e
universiteteve dhe fakulteteve, duhet të ishin simbolet e edukimit shqiptarë, të cilët në vite me
rradhë dhe në dekada, kanë shkolluar breza të tërë, të cilët jo vetëm e kanë ndërtuar këtë vend, por
mbi të gjitha i kanë dhënë dinjitet, krenari për të gjithë ata studentë, për të gjithë ata të rinj dhe të
reja, të cilët kanë mbaruar në radhët e Universitetit të Tiranës dhe sot janë koka të shkencës në
universitetet më të njohura, qoftë në Havard, qoftë të London School of Economy, dhe në
universitete të tjera me radhë. Ato ditë të ndritura çdo ditë e më shumë po zbehen në universitetet
tona. Po zbehen, sepse çdo ditë e më shumë politikat e qeverisjes po shkojnë drejt mbylljes së
universiteteve publike, po shkojnë drejt mbylljes së këtyre institucioneve, të cilat prindërit tanë
mezi i ndërtuan, me gjak, me mund e me djersë, të cilët e ndjejnë për detyrë, sepse t’i shërbesh
vendit tënd duhet të jesh i ditur.
Që t’i shërbesh vendit tënd dhe ta duash, duhet të duash librin, duhet të duash shkollën dhe mbi
të gjitha duhet të punosh jashtëzakonisht shumë për të pasur universitete të forta dhe universitete
kredibël. Unë ju falënderoj sot, sepse pjesa më e madhe juaja këtu, jeni mbi 1000 studentë që
vini për herë të parë në një aktivitet politik dhe ju jam shumë mirënjohëse që keni pranuar të
bashkëbisedoni me ne. Takimin me ju, në thelb e kemi sepse ndjejmë një problem shumë të
madh. Ndjejmë një rrezik për Shqipërinë. Po ndjejmë një rrezik për të ardhmen e Shqipërisë. Dhe
rreziku më i madh fillon te shpopullimi i vendit tonë.
Rreziku më i madh fillon te humbja e shpresës së rinisë shqiptare. Rreziku më i madh fillon te
shkatërrimi i ëndrrave dhe i të ardhmes së rinisë shqiptare. Dhe e them këtë me bindje, sepse çdo
ditë e më shumë, që dal e takoj njerëz, diku në salla të vogla, diku në salla të tejmbushura, diku
në salla të përgjysmuara, diku në kafe, diku në rrugë me baltë, diku në fusha, të cilat janë fusha
pjellore dhe duan t’i kthejnë në varreza të plehrave, diku nëpër spitale, ku rrinë në radhë për të
marrë ilaçe, apo për të zbehur sadopak dhimbjen e kancerit, që u ka përfshirë trupin, diku nëpër
oborret e shkollave, ku shitet hashashi ashiqare, diku nëpër çerdhe, ku fëmijët nuk kanë mundësi të ushqehen dhe nuk kanë energji për t’u ngrohur. Të gjitha këto ndihen çdo ditë e më shumë dhe
kupton se çdo ditë e më shumë se Edi Rama ka një plan biznesi për të shpopulluar Shqipërinë.
Ka një plan biznesi për të larguar rininë shqiptare. Dhe kjo është një sinjal i rëndë për ne, është
një thirrje e tmerrshme për ne, por mbi të gjitha secili nga ne duhet të marrë një përgjegjësi të
madhe ndaj vetes së tij, për të ngritur atë krenari kombëtare, për të zgjuar atë ndërgjegje
kombëtare, për t’u kthyer dhe për ta dashur vendin tonë më shumë se çdo gjë tjetër. E them këtë
me bindje, sepse sapo vij nga Vërria, ku takova banorët e asaj zone.
Shikoja zonja të nderuara që mbi supet e tyre kishin mbi 70 vjet, të cilat kishin punuar në
kooperativë gjithë jetën, kishin sakrifikuar për të rritur fëmijët e tyre, ishin bërë gjyshe dhe
luftonin pa asnjë lloj dileme brenda vetes së tyre, qoftë dhe për të dalë përpara ekskavatorit, i cili
do të ndërtonte një incinerator atje. Ishte e bindur sepse thoshte “Mua nuk kanë ç’të më marrin
më, mi kanë marrë të gjitha, tashmë duan të më marrin jetën e nipërve dhe mbesave. Ma kanë
marrë tokën, më kanë marrë ujin, dritat, bukën, tani tha duan të më japin dhe helmin, që të
shuhem komplet si familje”. Dhe kjo është e tmerrshme, sepse një shqiptar nuk mund t’ia bëjë
një shqiptari këtë. Kjo është e dhimbshme, sepse një polic nuk mund të godasë mbi një grua
plakë. Sepse ne dëgjojmë rëndom ndërkombëtarë, ministra, deputetë, politikanë, që kur dhunohet
një grua, apo vritet një vajzë, thonë denoncojeni në polici.
Po kur një polic dhunon një grua, një vajzë, ku duhet ta denoncojmë atë? Ne sot, të zhveshur nga
bindjet tona politike, po iu drejtohem ju studentë të Universitetit të Tiranës, me dorë në zemër, jo
me dorën në zemër si një politikane, sepse jeni lodhur nga politika, jeni lodhur nga mashtrimet e
politikës, ku fajet tona çdo ditë e më shumë po shtohen. Po ju drejtohem me dorë në zemër, mos
ndaloni, mos u tërhiqni, mos u nënshtroni nga padija, nga dhuna, nga ligësia, sepse vetëm duke
qenë të gjithë bashkë do të fitoni.
Mos u mashtroni nga ligësia, sepse duke qenë të gjithë bashkë, jo vetëm që do fitoni për të
ardhmen tuaj, por do fitoni një Shqipëri që e meriton të jetë vendi i të rinjve. Ju them me bindje
sepse sfida të mëdha do të keni përballë, do t’ju kërcënojnë, do ju nxjerrin para fytyrës librezat e
notave, do t’ju kërcënojnë prindërit, do t’ju ndalojnë, do t’ju dhunojnë, do tentojnë t’ju blejnë por
kurrë mos e shisni të ardhmen tuaj për një të ardhme të pasigurt, të cilën as Edi Rama vetë nuk e
di se si është. Do t’ju lutesha si një nënë, e cila çdo ditë iu kërkon fëmijëve të saj që të mos
ndërtojnë lumturinë e tyre mbi fatkeqësinë e të tjerëve, por ndërtojeni atë duke dashur vendin
tuaj dhe duke valëvitur flamurin tonë kombëtar, sepse është më i bukuri që ekziston në botë.
Ky flamur, i cili është i ngjyrosur me gjakun e të gjithë atyre shqiptarëve, të cilët kanë luftuar për
Shqipërinë, e gjithë atyre arbëreshëve, të cilët mbajtën lart flamurin e Skënderbeut dhe e ngritën
lart figurën e tij, e gjithë atyre rilindësve, që i kënduan vendit me dorë në zemër, e gjithë atyre
partizanëve që luftuan në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, e gjithë atyre gjyshërve tuaj që
luftuan për ta nxjerrë këtë vend nga analfabetizmi, e të gjithë atyre që kërkonin demokraci, ku u
dhunuan e vdiqën në burgjet e komunizmit dhe e heronjve për demokraci që e përmbysën atë
sistem.
Edi Rama tashmë do të na kthejë në diktaturën e drogës, krimit dhe të moszhvillimit të shtetit. Ju
them me dorë në zemër, mos ndaloni, sepse vetëm forca dhe energjia juaj do ta ndalojë këtë
njeri, i cili çdo ditë e më shumë jo vetëm që e urren Shqipërinë, por po e shet atë pjesë-pjesë pa
asnjë lloj dhembshurie, dhe pa asnjë lloj ndjenje krenarie dhe kombëtare, që duhet të ketë çdo shqiptar. Ju them me bindje vetëm të rinjtë dhe vetëm ndërgjegjësimi juaj, çdo ditë e më shumë
do të rrisë shpresën te prindërit tuaj. Sot, ju e ndjeni më shumë se kushdo tjetër mungesën e
respektit të shtetit për qytetarin, studentët, nxënësit, mjekët, infermierët, nëpunësit, si dhe për të
papunët, për policë dhe ushtarë.
Ku janë sot universitetet tona që kanë nxjerrë shkencëtarë nga më të ndriturit? Ku janë sot
shkollat tona? Ku është sot libri ynë? Abetarja jonë? Ku janë sot librat e Matematikës, të Fizikës,
të Kimisë? Ku janë sot librat e atyre mësuesve, të cilët kanë dhënë edhe jetën për arsimin dhe
ndriçimin e shpirtit të shqiptarëve? E pra sot më shumë se kurrë, ju, me çdo shok, me prindërit
tuaj, me vëllezërit tuaj, me miq e me shokë, me pedagogë, mos u ndalni, por thërritini çdo ditë
për të dalë në bulevard dhe për të protestuar, jo për flamujt politikë. Mos protestoni për partitë
politike. Mos protestoni as për Monikën, as për Lulzim Bashën, as për Edi Ramën, për asnjëri.
Por, protestoni për veten tuaj, për të ardhmen tuaj, protestoni për një Shqipëri që e ëndërroni dhe
e dëshironi.
Duke iu falënderuar për ftesën tuaj, ju ftoj të gjithëve, kështu siç jeni, që më datën 27 janar, në
orën 12:00, duke marrë me vete çdo shok, duke sensibilizuar edhe pedagogët tuaj, të cilët janë
ekipi më i diskriminuar në mësimdhënien shqiptare, sepse ministria jonë e famshme iu jep
prioritet universiteteve private dhe cenon pavarësinë e universiteteve publike. Zgjojini
pedagogët. Nxirrini nga gjumi që kanë rënë. Trimërojini ata për të dalë dhe protestuar kundër
kësaj politike diskriminuese dhe kundër kësaj politike antishqiptare.
Një komb nuk ka të ardhme pa një arsim të mirë. Nëse një komb do të jetë i paarsimuar, është i
destinuar të vdesë. Ne nuk do ta lejojmë këtë gjë, në asnjë moment. Duke çuar germat tona të
ABC-së në çdo vend, edhe në ato vende që sot nuk i kemi kufijtë tanë. Edhe tek ata shqiptarë, të
cilët sot janë emigrantë, pastrojnë rrugët e botës, por ndihen krenarë dhe janë krenarë për vlerat
që ata përfaqësojnë. Prandaj, mos ndaloni me rrjetet sociale. Mos ndaloni duke shkruar dhe duke
thurur vargje për vendin tuaj. Mos ndaloni duke dashur flamurin tuaj dhe librin. Pa librin dhe pa
dijen nuk kemi të ardhme.
Prandaj ju ftoj të gjithëve ditën e shtunë, në orën 12:00, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, të
protestojmë me prezencën tonë, për t’i thënë të gjithë atyre që nuk e duan Shqipërinë, që e
konsiderojnë atë si një magazinë apo varrezë plehrash që Shqipëria ka zot, ka zot studentët, ka
zot rininë shqiptare. Ata mund të duan ta dhunojnë atë, por ju nuk do ta lejoni, sepse ju jeni e
ardhmja dhe krenaria e Shqipërisë. Dhe ju e keni shansin për ta ndërtuar dhe çuar Shqipërinë në
Bashkimin Evropian.
Kjo klasë politike sot është e dështuar Në 27 vite prodhoi vetëm konflikt, prodhoi vetëm
demagogji, benefite për të tjerët. Ka ardhur koha që t’i merrni ju vetë shanset në dorë dhe t’i
tregoni kësaj klase politike të kalbur, të blerë, të paguar, që e ardhmja është e juaja dhe jo e
politikanëve.
Ju uroj gjithë të mirat e kësaj bote. Zoti iu ruajtë ju dhe gjithë shqiptarët, sepse ne kemi mëkatet
tona mbi supe dhe unë nuk do dëshiroja kurrë që mëkatet e mia t’ia kaloja fëmijëve të mi.
Prandaj, luftoni dhe mos ndaloni për shkollat tuaja, për universitetet tuaja dhe të ardhmen tuaj.

Burimi: (integrimi.al/T.I)

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al