Monika Kryemadhi: Në 27 janar qytetarët protestojnë ndaj qeverisë shkaktare të mjerimit dhe vrasëse të shpresës

Fjala e plotë e Kryetares së LSI, Monika Kryemadhi në takimin me strukturën e Njësisë nr,11 në Tiranë.

Faleminderit të gjithëve, sepse sot është një ditë pushimi dhe në fakt gratë më shumë i kushtohenpunëve të shtëpisë, dhe bëjnë gati rrobat për javën që duhen veshur dhe në këtë kohë kaq të vështirë me shi, që nuk ka pushuar asnjë moment, ju gjetët kohën, gjetët momentin, por mbi të gjitha gjetët vullnetin dhe dëshirën për të ardhur, për t’u takuar dhe biseduar për problemet që ne duam të zgjidhim, në fakt ne sot jemi mbledhur më shumë për të sensibilizuar jo anëtarët e LSI, por çdo anëtar i LSI të sensibilizojë dhe të zgjojë nga gjumi i harresës, që kanë rënë të gjithë
shqiptarët, jo vetëm në qytetin e Tiranës, por të gjitha rrethet më të mëdha.
Ne sot ishim në Fier në Lushnje, tashmë jemi këtu, nesër do jemi në Lezhë e kështu me radhë, për t’iu takuar, biseduar, nxitur, promovuar, sensibilizuar opinionin që më datën 27 janar të gjithë njerëzit, të cilët ndihen më të varfër, të gjithë ata që janë të papunë, të gjithë ata, të cilët duan të kenë një jetë më të mirë, por mënyra në të cilën jetojmë dhe drejtohemi e ka bërë më të vështirë jetën. Për të gjithë ata prindër, fëmijët e të cilëve kanë ikur në emigracion pa dokumente, pa asnjë vend pune, por thjesht për të ikur dhe për të kërkuar diçka më shumë.
Për të gjithë ata të punësuar, të cilët kanë qenë nëpunës të administratës civile dhe sot janë hequr nga puna për shkak të bindjes së tyre politike dhe pse mund të kenë më shumë se 10, 15 apo 20 vjet që punojnë; për të gjithë ata mjekë dhe infermierë, të cilët duan të japin dhe ofrojnë shërbimin e tyre te pacientët, por kanë mungesën e ilaçeve, kanë mungesën e shërbimit, kanë mungesën e investimeve rreth tyre për t’iu ofruar shërbimin e merituar shqiptarëve; për të gjithë ata mësues, të cilët kërcënohen dhe bien pre e kërcënimeve të shefave të tyre dhe e shprehin këtë te nxënësit, për të gjithë ata djem dhe vajza, që janë studentë, të cilët duan të vazhdojnë shkollën,
por e kanë të pamundur për shkak të mungesës financiare dhe për shkak të jetës së mjeruar që kanë në familjet e tyre dhe shumë e shumë të tjerë, që duan të kenë një jetë më të mirë në vendin e tyre.
Shqipëria është një vend i bekuar nga Zoti, por klasa politike, e cila e drejton e ka futur në një mjerim që çdo ditë e më shumë po shtohet. Do të thoni ju kjo është një gjë më se  normale, ne u mësuam me këtë, dy duar për një kokë janë, çdo njeri i bën ballë jetës së vet, ne mendojmë se sot është momenti që ne të zgjohemi, të bashkohemi të gjithë bashkë, të jemi bashkë më datën 27 janar, në orën 12:00, në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ për të qenë atje prezent dhe për të treguar që ne nuk jemi dakord me këtë mënyrë qeverisje, ne nuk jemi dakord me pabarazinë që po instalohet në gjithë institucionet shqiptare. Ne nuk jemi dakord me pabarazinë që çdo ditë e
më shumë po ndihet midis një grupi shumë të vogël të pasur dhe midis shumicës së shqiptarëveqë janë 99% e tyre që po varfërohen çdo ditë e më shumë.
Ne nuk jemi dakord për këtë pabarazi, e cila është instaluar edhe në qelizat më të vogla, që bëjnë diferencimet te nxënësit për shkak të bindjeve politike, te të punësuarit, te hallexhinjtë, tek ai që pret të marrë ndihmën ekonomike, te legalizimet e shtëpive, te faturat e ujit dhe të dritave. Pra gjithë kjo pabarazi, të cilën ne nuk e meritojmë, duam ta protestojmë më datë 27 janar përballë asaj godine, apo fasade, e cila është shumë e bukur nga jashtë, por e kalbur nga brenda, ku themelet e saj po dobësohen çdo ditë e më shumë. Ne mund të mendojmë që kemi shumë të drejtë dhe besojmë tek arsyet tona, apo edhe te problematikat që ne ngremë. Jemi të bindur që për këto gjëra ka edhe qytetarë që na përkrahin, edhe pse nuk janë anëtarë, simpatizantë apo
votues të LSI-së, por ne besojmë që të luftosh sot për të pasur një sistem drejtësie të barabartë, nuk është mëkat, por është një e drejtë që i takon çdo qytetari. Ne besojmë që duhet të luftosh sot për vendet e punës për të rinjtë apo për njerëzit që të përfitojnë ndihmë ekonomike.
Ne kërkojmë të luftojmë e të veprojmë që i gjithë institucioni, qoftë policia, shteti apo
shëndetësia, të sillen ndaj qytetarëve në mënyrë të barabartë. Por ajo çka dua të them është se mëkati ynë më i madh do jetë nëse ne qëndrojmë indiferent dhe nëse ne nuk ngremë zërin për gjithë këto problematika, të cilat çdo ditë e më shumë jo vetëm e varfërojnë vendin, por po e tkurrin atë. Është vdekja e një kombi nëse ne varfërohemi ekonomikisht, e mbi të gjitha nëse largohen të rinjtë e të rejat nga Shqipëria. Unë ju bëj thirrje që më datë 27 janar secili nga ju ta harrojë flamurin e partisë politike dhe bindjet, por të zgjojmë ndërgjegjen kombëtare brenda vetes sonë, që të marrin pjesë në atë protestë. Të tregojmë që ne jemi shqiptarë, dimë të protestojmë dhe mbi të gjitha e duam vendin tonë dhe vlerat e saj. Shqipëria është një vend, që ka aspiruar këto 27 vjet tranzicioni që të jetë anëtar i BE-së dhe sot pas kaq shumë vitesh, ne jemi shumë larg për të qenë pjesë e këtij institucioni. Ne edhe sot pas kaq shumë vitesh tranzicion, ne akoma kemi reminishencat e komunizmit, akoma i trajtojmë njerëzit të ndarë në dy grupe, në përkrahës të qeverisë dhe në ata kundër qeverisë. Pra, një luftë klasash, e cila është e heshtur, por që është futur thellë në gjakun e institucioneve shtetërore, të cilat janë kthyer në vegla dhe mekanizma të qeverisjes. Qeverisje, e cila nuk i mbetet gjë tjetër, veçse në telekomandë në dorën e krimit të organizuar. Problemet që kemi janë të pafundme. Por, ajo që duhet të kuptojmë është që ndërgjegjësimi fillon nga vetja jonë e më pas te të gjithë të tjerët.
Edhe pse në një kohë shumë të vështirë, kjo tregon që njerëzit besojnë, baza e partisë, besojnë te Lëvizja Socialiste për Integrim. Unë ju jam mirënjohëse pa fund për angazhimin tuaj, duke na dhënë më shumë forcë dhe besim. Sepse sado i vetëm dhe i fortë të jesh, nëse nuk ke miq dhe shokë, nëse nuk ke bashkëluftëtarë për çështjet e tua, atëherë situata do të bëhet çdo ditë dhe më e vështirë. Sa më shumë dhe sa më të mbledhur të jemi ne, aq më e lehtë bëhet, aq më kuptim merr sfida jonë dhe aq e realizueshme bëhet ajo.
Prandaj, nuk më ngelet gjë tjetër veçse t’ju falënderoj edhe njëherë për pjesëmarrjen tuaj këtu sot dhe t’ju ftoj edhe njëherë më datë 27 janar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Por, jo të vini vetëm, por të merrni me vete gratë, burrat, motrat, vëllezërit, komshinjtë, kushërinjtë kudo që i keni, sepse sa më shumë njerëz të jemi, aq më e fortë dhe bindëse do të jetë protesta. Do të jetë aq e dhimbshme, jo vetëm për qeverinë, por  edhe për të gjithë ata që nuk kanë sy dhe veshë për të parë hallet dhe problemet që kanë shqiptarët sot. Sepse vetëm një ndërgjegjësim i madh i yni, do të bëjë që të reagojë jo vetëm shoqëria shqiptare, por edhe ajo shoqëri që e mendon Shqipërinë vetëm kur bëhen zullumet e mëdha. Shqipëria është një vend i vogël dhe i bukur.
Është një popull i varfër, por me shpirt dhe zemër të madhe. Këtë gjë, të gjithë ata që kanë ardhur dhe kanë vizituar Shqipërinë, e kanë kuptuar më së miri. Do doja që përveçse të jetë popull i vogël dhe me zemër të madhe, të kthehet në një popull të pasur, jo vetëm nga gjendja shpirtërore, por edhe nga ekonomia, sepse ka gjithë ato burime natyrore, të cilat Edi Rama sot ia ka dhënë të gjitha me koncesion një grushti klientësh të qeverisë së tij, duke varfëruar kështu çdo ditë e më shumë popullin e tij. Ashtu sikurse protestojnë sot naftëtarët në Fier, ashtu sikurse janë minatorët
e gjithë Shqipërisë, të cilët nuk kanë statusin e tyre. Ashtu sikurse janë me qindra e me mijëra të papunë, të cilët kanë humbur vendin e punës për shkak të bindjeve të tyre politike.
Unë ju falënderoj. Ju jam mirënjohëse të gjithëve ju. Zoti ju bekoftë ju dhe gjithë familjet tuaja.

Burimi: (integrimi.al/T.I)

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al