Monika Kryemadhi: Opozitë nuk do të thotë të shash dhe të fyesh. Në opozitë duhet të japësh alternativë!

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Znj.Monika Kryemadhi ka qenë sot e pranishme në emisionin “Kjo Javë me Nisida Tufën” në News24. Intervistën e plotë e gjeni mëposhtë.

***

Edhe pse ju thoni që z.Meta është hermetik përsa i përket bisedave politike, çfarë këshillash politike ju dha zoti Meta për drejtimin e LSI-së?

Këshillë ose sugjerimi kryesor i Ilirit ishte që mos lëvizni nga principet politike me të cilat është ndërtuar LSI-ja. LSI-ja është ndërtuar si një forcë politike kundër një arrogance qeverisëse në 2004-ën dhe në themel të saj pati procesin e integrimit evropian. Shqipëria e ka nisur procesin e integrimit europian bashkë me Kroacinë dhe sot e kësaj dite ne jemi gati 10-15 vjet mbrapa Kroacisë në procedura. Në vitin 2000 kur ka qenë Romano Prodi në Shqipëri ne kemi qenë në një stad, në një start bashkë me Kroacinë dhe sot Kroacia është ku është, e dijnë të gjithë, s’ka nevojë të bëjmë komente, ndërsa ne akoma diskutojmë çështjen do hapim apo nuk do hapim negociatat me Bashkimin Evropian. Jo vetëm për LSI-në, por edhe në jetën e vetë politike Iliri e ka pasur një nga prioritetet e tij. Ndërsa këshilla e dytë ka qenë mos-shkëputja e partisë nga baza, nga anëtarësia, nga problemet e njerëzve dhe për të qenë avokat i problemeve të njerëzve kjo është gjëja më kryesore.  Themeli dhe baza e LSI është stabiliteti dhe që në krijimin e saj, LSI u krijua si një forcë politike për të krijuar stabilitet politik dhe ne këtë e kemi parë qoftë në 2009-ën, qoftë në 2013-ën, e cila dashje pa dashje do të japi pasojat e veta në të ardhmen.

Në shtator ju mblodhët kryesinë e LSI-së dhe grupin parlamentar. A morët ndonjë kritikë apo sugjerim nga z.Meta?

Absolutisht. Nuk e di nëse e ka ndjekur, fare.

Edhe një pyetje përsa i takon Presidentit, para se të shkojmë tek tema politike.

Nuk jam zëdhënësja e Presidentit.

Kalojmë në të tjera diskutime, të intervistës në një temë tjetër. Për pak minuta nis Sesioni i ri Parlamentar, seanca e dytë për ditën e sotme në fakt ka nisur në orën dhjetë paradite dhe do të votohet kryetari i ri i Parlamentit të Shqipërise, post që mbahej nga Z.Meta në katër vitet e shkuara. A do ta votoni ju Z.Ruçi, Lëvizja Socialiste për Integrim? Kemi marrë një deklaratë nga ana e Z.Vasili. Unë në fakt ju pyes ju.

Ne kemi marrë një vendim si grup parlamentar, ku nuk do ta votojmë Z.Ruçi. Nuk do ta votojmë Z.Ruçi sepse nuk mund të bëhemi pjesë e një procesi për të legjitimuar një mazhorancë e cila ka ardhur me votat e blera, nga paratë e krimit të organizuar, dhe kjo është një gjë kaq prezente dhe e shikojmë çdo ditë. E shikojmë çdo ditë mënyrën sesi ka funksionuar e gjithë makineria shtetërore, policore e qeverisë së kaluar sidomos e qeverisë teknike po e quajmë e cila u kthye e gjitha në funksion të bandave dhe të krimit organizuar për blerjen e votës dhe për deformimin e saj.

Por ju i njohët zgjedhjet Znj.Kryemadhi … ?

Jo, ne nuk i kemi njohur zgjedhjet. Ne nuk i kemi njohur zgjedhjet, ne i kemi denoncuar zgjedhjet.

Por ankimin në KQZ nuk ka patur apo jo? Denoncim mediatik po, por ankimin jo.

Nuk mund të ankimosh një proces ku janë gjashtë me një. Domethënë është të bësh teatër, dhe të tallesh me njerëzit ku ti ke një marrëveshje gjashtë me një pra gjashtë veta të cilët janë pro atij procesi. Kur ke një proces të cilin dashje padashje, edhe sytë e ndërkombëtarëve u verbuan nga paraja apo nga shkëlqimi i ofruar nga segmente të caktuara të qeverisë shqiptare. Dhe prezenca jonë në parlament, nuk është se ne shkojmë për të njohur zgjedhjet, por prezenca jonë në parlament është se ne përfaqësojmë ato 225’753 vota, të cilat nuk janë pak.

Pra ju 74 mandate të Partisë Socialiste nuk i njihni?

Po kë të njohësh? Të njohësh një mandat i cili vjen nga ku dhunohet një djalë 18 vjeçar pse thotë që unë votën time të parë do t’ja jap LSI-së dhe rrihet me hekur? Dhe më pas nxitojnë me vrap deputetë të Partisë Socialiste, kryetarë bashkie për të ndryshuar provat e policisë dhe dëshminë e djalit 18 vjeçar dhe të prindërve tij për ta kthyer thjeshtë në një incident banal. Çfarë provash të duhen më për të kthjelluar shqiptarët, qytetarët, ndërkombëtarët sesi policia dhunon dy gra të vetme në mes të rrugës. Të duhen prova për të parë sesi dhunohet një djalë i ri në zyrën e LSI-së, dhe i shkohet edhe në Spital Ushtarak kërcënohet nën prezencën e kriminelit, dhe Policia që rri përjashta dhe e ruan. Unë nuk e mendoj, por ky verbim që u është krijuar jo vetëm shqiptarëve por dhe socialistëve vetë, shumë shpejt do t’u rikthehet. Është një shok, ose është një drogim i shoqërisë shqiptare nga manipulimi, apo dhe nga ekzaltimi i qeverisë e cila me paratë e krimit dhe të drogës kanë blerë jo vetëm median, jo vetëm ndërkombëtarët por dashje padashje kanë blerë dhe varfërinë momentale të shqiptarëve.

Ju pyeta për Z.Ruçi, por javën tjetër dhe qeveria. Do ta votojë LSI qeverinë “Rama 2”, ministrat dhe një koment të shkurtër ju lutem lidhur me kabinetin qeveritar.

Unë e kam thënë qeveri e vogël, korrupsion i madh dhe do ta them gjithmonë sepse nuk kemi parë dhe nuk kemi dëgjuar që dy ministri të kenë 80 përqind të buxhetit të gjithë qeverisë. Megjithatë kjo është një zgjedhje e kryeministrit, por ne këtu do të jemi do të shikojmë, ju të parët gazetarët do të shikoni dhe do të flisni ashtu sikurse dhe ne që do të jemi deputetë në Kuvend.

Ne do të dëgjojmë njëherë programin e qeverisë, po e presim me kërshëri se çfarë do të ofrojë. Kemi dëgjuar me deklarata spontane, apo dhe me intervista verore nga vendet turistike ku është thënë se do të kemi rritje ekonomike 5 përqind, apo do të kemi këtë dhe këtë dhe këtë. Shpresojmë që kjo rritje ekonomike 5 përqind që është normale, të shkojë në favor të shtresave të varfëra, pra të mos kemi rritje 5 përqind duke pasuruar të pasurit ose siç u themi dhe ne “oligarkët”. Meqë më thonë mos e thuaj fjalën oligark se nuk e kuptojnë njerëzit, por unë jam e bindur që njerëzit e kuptojnë shumë mirë se ç’janë oligarkët. Duke pasuruar të pasurit, dhe duke varfëruar akoma më shumë të varfrit, ashtu sikurse do të shikojmë edhe çfarë do të ofrojnë. Duke pasur parasysh që kemi një strukturë që dashje padashje po themi prish shumë parametra, ose shumë ekuilibra qoftë përshembull shkollat profesionale ke Ministria e Financave apo shërbimet shëndetësore. Domethënë janë ca gjëra të cilat nuk lënë, megjithatë ne do të shikojmë njëherë çfarë këndvështrimi ka Kryeministri në bazë të programit që do na sjelli dhe në bazë të fjalës që do të mbajë Kryeministri ne do të hartojmë pyetjet tona ku më pas dhe do të mbajmë dhe qëndrimet tona. Sepse nëse ata kanë përfshirë uljen e taksave që kemi paraqitur ne, pra programin tonë ekonomik apo nëse ata kanë përfshirë po themi ligjin e Arsimit të lartë, amendimin e ligjit të Arsimit të lartë. Të shikojmë.

Tek emrat konkretë, Z.Xhafa në krye të Ministrisë Brendshme …

Nuk kemi asnjë gjë me emra konkretë …

Do ta kontestonit ju Znj.Kryemadhi?

Dëgjo, nuk kam absolutisht asnjë gjë përsa i përket emrave konkretë. Ne e kemi me sistemin, me mënyrën sesi është ndërtuar ky sistem. Z.Xhafaj …

Si e shihni në krye të Ministrisë së Brendshme?

Në aq pak kohë sa e drejtoi z. Xhafa, unë e kam thënë edhe në këtë studio, dhe në studio të tjera, pashë një dritë jeshile. Uroj që z. Xhafa t’ia arrij qëllimit tij, por ktu nuk është sfida e Z. Xhafa dhe këtu ajo çfarë ne shikojmë nuk është çështja e Z.Xhafa. Ajo çfarë shikojmë ne është mënyra sesi Edi Rama kërkon të drejtojë qeverinë. Pra qoftë Z.Xhafa, dhe gjithë të tjerët çfarë janë? Janë vegla, ose kukulla në duart e Edi Ramës. Para ca kohësh kishim Sajmir Tahirin, e përdori, kanabizoi gjithë Shqipërinë tha është ky është ai, bën këtë, bën atë. Në fund ku e kemi sot, rrinte tek karrigia e sekretares së Kuvendit. Pra nuk pranonte të ulej as në radhën e tij. Siç mungonin edhe deputetë të tjerë socialistë në sallë. Këtu nuk është problemi tek individët, këtu është problemi tek fenomeni, tek institucionalizimi i fenomenit dhe i krimit të organizuar në shoqërinë shqiptare. Jo vetëm në shoqëri, por më e tmerrshme është në polici dhe në institucionet shtetërore që dashje padashje shumë shpejt do t’i shikojmë, mos u çudisni kur t’i shikojmë dhe në Prokurori, dhe në gjykata edhe në institucione të tjera mjaft të rëndësishme që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare të vendit.

Teksa ju pyesja pak më parë për z. Ruçi, ju thoni dhe shpreheni se me të gjithë politikanët keni marrëdhënie shumë të mira, marrëdhënie korrekte, marrëdhënie normale. Vetë me z. Ruçi, si i keni marrëdhëniet?

Shumë të mira.

Keni pasur ndonjë debat, ndonjë konflikt?

Absolutisht. Unë debatet nuk i kam personale, debatet i kam parimore dhe përsa i përket dhe procedurave, rregullave apo dhe ndjeshmërisë dhe moralit njerëzor. Kështu që, nëse gjërat do i shikosh personalisht pastaj je i vogël, nuk je i madh.

Jeni shprehur gjithmonë se opozita nuk është çështje numrash por çështje morali, do të bëjmë një opozitë frontale me qeverinë. Kur do të nisim ta shohim këtë?

E vërtetë është. Të fillojmë njëherë të betohemi, të konstituoemi, të krijohen grupet parlamentare, të shikojmë qëndrimet që do mbahen, të shikohen pozicionimet, projektligjet që do të vijnë, programi i qeverisë. Pra, gjërat fillojnë hap pas hapi. Normalisht është një parlament i ri, me njerëz të rinj, me grupe të ndryshme, me përbërje komplet ndryshe le të themi, qoftë nga mosha, qoftë nga përbërja, qoftë nga profesionet, qoftë dhe politikisht. Kemi një ngjyrë komplet ndryshe në Kuvend. Është shumë e rëndësishme mënyra se si do të administrohet dhe si do të qeveriset parlamenti. Është shumë e rëndësishme mënyra se si do të sillen, jo vetëm deputetët e opozitës, por edhe deputetët e mazhorancës, mënyra se si do të funksionojnë seancat parlamentare, komisionet, çfarë do të prodhojnë komisionet, çfarë politikash do të prodhojnë komisionet, çfarë iniciativash do të prodhojnë deputetët. Kështu që është shumë e rëndësishme mënyra se si dhe sa do të jetë, po themi e mundur, jo vetëm zbatimi i rregullores, por edhe zbatimi i gjithë procedurave parlamentare.

Në mbledhjen e parë të grupit parlamentar të LSI ju u shprehët se do të bëni opozitën që i ka munguar vendit. Çfarë i ka munguar vendit dhe çfarë do të bëjë LSI?

Vendit i ka munguar alternativa. Ne kemi pasur një opozitë e cila kryetarin e partisë nuk e kishte në sallë, kështu që dashje pa dashje krijonte një lloj çorientimi. Kishim dhe një grup parlamentar të opozitës, po themi të shpërndarë, jo të grupuar. Mendoj se tani duke pasur dhe kryetarin, edhe PD do të jetë më e organizuar, ashtu sikurse dhe ne në vendimet tona që morëm, përsa i përket vendimeve në Parlament dhe të grupit, nuk do të lejohet që të ketë asnjë ekuivok përsa i përket qëndrimeve të grupit. Shpresojmë që edhe PD të mbajë qëndrimin e saj, por edhe ne do të jemi mjaft të organizuar. Opozitë nuk do të thotë të shash dhe të fyesh. Në opozitë duhet të japësh alternativë. Nëse PS, mazhoranca apo qeveria propozon diçka, atë që është e mirë nuk ke përse mos ta votosh, por atë që nuk duhet kaluar, e cila cenon jo vetëm integritetit, jo vetëm ekonominë e vendit, jo vetëm sovranitetin e vendit, nuk ke përse ta kalosh dhe duhet të bësh çdo gjë për ta ndaluar. Dhe tjetër, nuk është e thënë thjesht për të bërë opozitë duke e kaluar radhën me një fjalim në Parlament, apo me një intervistë në një televizion, apo në një banak televiziv, është shumë e rëndësishme që argumenti dhe filozofia politike, ose filozofia që partia politike kërkon të artikulojë, është shumë e rëndësishme të shpërndahet dhe për të çohet te qytetari. Sepse normalisht është një Parlament, e kemi thënë, e themi dhe do ta themi deri në fund, me votë të deformuar, ku kemi një mazhorancë me një numër të deformuar që vjen si rezultat i blerjes së votës, i presionit dhe i përfshirjes së institucioneve shtetërore dhe i policisë së shtetit në gjithë këtë proces, kështu që dashje pa dashje, duam apo nuk duam, do të bëjmë detyrën tonë si një opozitë e fortë dhe konstruktive. I them të dyja bashkë, sepse nuk mund të jenë veç e veç. Sepse mund të jesh opozitë e fortë por nuk je konstruktive, dhe mund të jesh konstruktive por nuk je e fortë, kalon gjëra thjesht ato që duhen por nuk reagon dhe nuk qëndron. Sepse edhe mund të ketë dëshirë për të ndryshuar qeverinë. z. Rama ndryshoi emrin e ministrisë, nga Ministri e Jashtme në Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme. Nuk ka në botë Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, vetëm ne e kemi. Me mungesën e Ministrisë së Integrimit, pra që është një nga prioritetet e Shqipërisë, shohim se nuk i intereson më ky proces.

Duke qenë se jemi te z. Rama jeni shprehur në një emision televiziv se keni bllokuar numrin e z. Rama. Vijon të jetë i bllokuar dhe ç’marrëdhënie keni ju tani me z. Rama?

Po e vërtetë është. Nuk kam asnjë marrëdhënie me të, është i bllokuar. Me njerëzit që ka rreth e qark tij komunikoj.

Jeni shprehur se nismat e LSI do të jenë ndihmë edhe për qeverinë…

Po sigurisht që do të jenë ndihmë për qeverinë sepse në qoftë se ne do të paraqesim iniciativë për Ligjin e Arsimit të Lartë po marr një rast, do të jetë ndihmë edhe për qeverinë shqiptare sepse sot edhe ju të mediave nuk jeni marrë absolutisht me proceset e maturës shtetërore dhe pranimet e studentëve në universitete. Ku po të shikosh në universitete private, gati 90 % e studentëve me mesatare mbi 9.5 janë regjistruar ose i kanë detyruar të regjistrohen nëpër universitete private dhe në universitetet shtetërore kanë detyruar që të shkojnë studentët me mesatare më të ulët. Në çdo vend të botës qeveria i jep prioritet universiteteve publike dhe jo universiteteve private, sidomos qeveritë e majta. Kështu që ka mënyra pa fund. Por na e jepni edhe ne kohën sepse dhe ne tani sapo jemi konstituar si grup dhe do të marrim dhe ne angazhimet tona, çdo deputet do të marrë përgjegjësinë e vetë pranë komisioneve të përhershme parlamentare, do të marrim rendin e ditës, do të shikojmë, sepse dhe po paraqitëm një iniciativë ligjore nuk duhet të jetë një iniciativë që shkruan thjesht dy rreshta në letër, por duhet ta argumentosh atë çfarë përfaqëson, çfarë ndryshimi ka, çfarë impakti ka dhe çfarë impakti ka dhe në buxhet sepse nuk kemi pse të bëjmë thjesht populistin për ti thënë qeverisë që bëje ti këtë, gjeji paratë ku të duash. Jo nuk është çështje parash, por është çështje filozofie.

Thatë që nuk keni asnjë komunikim me z. Rama. Prej sa kohësh?

Me thënë të drejtën nuk e kam vënë re, sepse nuk e kam ndjerë.

Pra, komunikoni me njerëzit rreth e qark tij, jo me z. Rama?

Përse duhet të komunikoj?

Por ka patur komunikime…

Ka patur komunikime. Kam pasur komunikim shoqëror. Kur të jetë për të pasur komunikim politik do të kem komunikim politik. Komunikimi shoqëror është komunikim shoqëror që ti e zgjedh atë sipas dëshirës.

Sipas jush opozita duhet të jetë e bashkuar dhe luftën e ka me mazhorancën. Pra PD dhe LSI duhet të jenë të bashkuara. Por a do të arrihet një gjë e tillë? Do të jetë një opozitë e bashkuar në Parlament?

Nuk është çështje numrash, është çështje morali. E them gjithmonë që duhet një front i madh opozitar, për mua nuk ka rëndësi se kush e drejton frontin, për mua frontin e drejton populli, as Monika, asnjeri. E drejton populli sepse janë problemet e popullit, apo të njerëzve ato që ty të fokusojnë në problematikat, në zërin apo në ngritjen e problemeve që ke, qoftë në Parlament, qoftë në protesta, qoftë në simpoziume, qoftë në tryeza, qoftë në institucione ndërkombëtare. Dhe unë mendoj që çështja e opozitës nuk është më çështje e numrave sepse nuk është thjesht që ti do ta bësh opozitën duke pasur numra dhe për të përmbysur numrat në Parlament. Çështja e opozitës është alternativa që ti ngre dhe shumë shpejt do të përplasesh dhe do të përballesh me alternativën tënde në opinionin publik, dhe është opinioni ai që do të vendosë nëse ti ke qenë në rregull apo nuk ke qenë në rregull. Sigurisht do të jetë shumë mirë që opozita të jetë e organizuar dhe e rakorduar sepse jam e bindur që në të ardhmen do të ketë rrjedhje jo vetëm nga PS, por dhe nga grupi parlamentar i PS, duke pasur parasysh mënyrën se si është ndërtuar grupi dhe duke pasur parasysh dhe mënyrën se si ky grup ka ardhur në Parlament, pakënaqësitë e brendshme, mënyra, e shumë e shumë gjëra të tjera. Sepse këtë të keqe ka kur ngelesh peng diku tjetër dhe nuk je më vetvetja, je vegël ose kukull që ti lëvizin fijet të tjerët.

Një koalicion i mundshëm me PD apo thjesht në nivelin e bashkëpunimit?

Për momentin ne nuk e shikojmë një gjë të tillë. Tani që do të fillojë dhe Parlamenti do të shikojmë, do të jemi dhe më në kontakt më shumë me deputetët. Kemi filluar të bashkëbisedojmë. Ka pasur një takim midis kryetarëve të grupeve parlamentare z. Vasili dhe z. Spaho për tu rakorduar për procedurat, për gjërat në vazhdimësi. Nuk është çështje po themi prioritare. Është shumë e rëndësishme që për iniciativa që janë në funksion dhe janë në shërbim të qytetarëve do ishte mirë që ne të ishim të rakorduar. Unë jam e bindur që do ta realizojmë këtë gjë dhe nuk ka asnjë lloj problemi.

Po përsa i takon marrëveshjes së 17 majit, askush nuk e mësoi fiks se si ishte kjo marrëveshje, përveç dy liderëve të cilët ishin në një takim të gjatë prej 5 orësh. A mendoni se e ka dëmtuar sado pak LSI kjo marrëveshje?

Unë nuk mendoj që LSI duhet të marrë rolin dhe pozicionin e qaramanit që na dëmtoi marrëveshja e dy partive të vjetra. Që në momentin që unë kam marrë mandatin e kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim LSI nuk do të shohë më mbrapa, do të shohë përpara se si të rrisë hapësirën e saj vepruese, do të shohë përpara se si do të rritet si një forcë politike me alternativat e saj prezentë në jetën politike shqiptare, por edhe në jetën shoqërore. Do të shikojë se si do të shkojë sa më direkt dhe sa më pranë qytetarëve dhe sa më pranë problemeve dhe me aq mundësi, me ato numra sa, ka të këte një lloj ndikimi në zgjidhjen e problematikave. Mendoj që LSI po u kthye mbrapa do të ecë mbrapa. Duke parë përpara unë jam e bindur që do të rritet më shumë, do të konsolidohet dhe do të strukturohet akoma më tej. Sigurisht që ka gabime dhe nga gabimet do të mësojmë sepse nuk mund të themi që jemi parti që nuk kemi bërë gabime. Kemi bërë gabime, jo pak por janë gabime të cilat nuk i kanë kushtuar jetën asnjë qytetari, nuk i kanë kushtuar pronën asnjë qytetari tjetër ose asnjë biznesmeni por janë gabime të cilat i kanë kushtuar më shumë vetë LSI sesa i ka kushtuar të tjerëve.

Edhe diçka përsa i përket opozitës, e më konkretisht PD. Z. Basha do të jetë në poltronët e Parlamentit në këtë sesion të ri parlamentar, do të kemi dhe z. Berisha. Pra, dy rryma brenda PD. Si e shihni PD?

Nuk mendoj që janë dy rryma, mendoj që janë një grup bashkë, por do të jetë një gjë shumë e mirë sepse ne u bë prej kaq vitesh që kemi pasur kryetarin e mazhorancës në parlament, por nuk kemi pasur kryetarin e opozitës, e njëjta gjë ka qenë kur ka qenë Berisha nuk ka qenë Rama, pastaj ka qenë Rama nuk ishte Basha. Kështu që është një gjë shumë e mirë që do ti kemi në Parlament, do ti shikojmë, do të jemi prezentë. E thashë pak më parë, nuk mendoj që aksioni politik ngelet vetëm në seancën parlamentare, në Parlament, në tempullin e politikës shqiptare. Mendoj që aksioni politik do të jetë kudo, do të jetë në çdo qytet, dhe uroj që jo vetëm PD por edhe partitë e tjera të cilat nuk e patën fatin për të hyrë në Parlament, qoftë edhe për shkak të kodit zgjedhor, ose qoftë edhe për shkak të marrëveshjes që u bë nga dy partitë t’iu jepet mundësia dhe shansi që të kontaktojnë me njerëzit, të jenë pjesë e çdo vendimmarrje politike konsensuale apo dhe përfshirjes në zgjidhjen e problematikave.

Flasim pak për Reformën Zgjedhore, zoti Rama ka patur një takim me gazetarët në Velipojë. I pyetur për përfshirjen ose jo të LSI në reformën zgjedhore, dua tja u citoj fiks siç e ka thënë z.Rama: Kurrizi i LSI-së nuk ka qenë asnjëherë interferim për gjëra të mëdha, sepse ska qenë asnjëherë për të bërë gjëra të caktuara për të parë sa e ka kurrizin LSI-ja. LSI çfarë do të bëjë përsa i përket reformës zgjedhore?

Në fakt të gjitha reformat zgjedhore që kanë bërë, i kanë bërë në kurriz të LSI-së, për ta eleminuar LSI-në. Edhe marrëveshja e 17 majit ajo ishte, për ta eleminuar LSI-në, madje mos të harrojmë që jo vetëm në debatet televizive, në shkrime të paguara apo në gazeta dhe portale, shikoje që dy partitë e vjetra artikulonin që jo më shumë se 8-9 deputetë do merrte LSI-ja. Megjithatë unë mendoj që reforma zgjedhore është shumë e rëndësishme për Shqipërinë dhe shqiptarët, sepse ne jemi në vitin 2017 dhe akoma diskutojmë për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kemi Kosovën që është një shtet shumë i ri, kemi Malin e Zi, kemi Serbinë, kemi Maqedoninë që ka edhe atje shqiptarë, që nuk janë pak, janë shumë. Vetëm në Shqipëri diskutohet çështja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, blerja e votës, krimi, struktura, dhuna, mosfunksionimi, politizimi, kapja e institucioneve gjë që nuk ka për të na lënë kurrë për të ecur përpara, jo vetëm demokracia dhe politika, por nuk ka për të lënë kurrë për të ecur përpara edhe Shqipërinë. Duke patur një proces të tillë zgjedhor të manipuluar, të deformuar sigurisht që do të jetë shumë e vështirë që Shqipëria të jetë një vend me të njëjtat parametra si të vendeve të Bashkimit Europian. Nuk do të arrijmë as parametrat e vendeve tona fqinje. Keni dëgjuar ndonjëherë në Kosovë: u vodh vota, u thye kjo kuti apo u kërcënua dikush? Po në Maqedoni? Ndërsa ne jemi në 2017-ën, pas 27 vitesh demokraci akoma diskutojmë çështjen e votave. Unë uroj që ky Parlament ta zgjidhi njëherë e mirë çështjen e reformës zgjedhore. Në parlamentin e kaluar ka qenë një mosdëshirë për të diskutuar për reformën zgjedhore, sepse vetë sistemi që ne kemi është një sistem që ndryshon, që i jep më shumë rëndësi dhe vlerë votës së një qytetari në Tiranë sesa në Kukës apo në ndonjë qark tjetër dhe kjo nuk është e drejtë. Megjithatë do t’ja lëmë kohës, ta shikojmë.

Nëse Zoti Meta do të thërriste në tryezë liderët e partive kryesore politike. A do të ishit ju të pranishëm apo do të dërgonit dikë tjetër?

Po patjetër, nuk e kam këtë kompleks. Ne në fakt për reformën zgjedhore anëtar të komisionit kemi lënë zotin Vasili, por nëse Presidenti i Republikës do të thërriste kryetarët e partive nuk e kam kompleks për të shkuar në tryezë, mos u çudisni dhe nuk e kam kompleks për ta kundërshtuar zotin Meta nëse e ka gabim.

Kritikë të fortë ka bërë LSI përsa i takon luftës ndaj kanabisit, ndërsa kryeministri Rama e konsideron të fituar këtë betejë.

E konsideron të fituar se kapen tonelata kanabisi në brigjet e Italisë nga policia italiane dhe jo nga policia shqiptare. Nga policia shqiptare dhe nga brigjet tona fiken radarët faktikisht, kur është për të kaluar ndonjë gomone apo skaf me kanabis.

Ndërsa drejtorin e Policisë së Shtetit ju e keni quajtur gjithmonë Haki Droga..

Në fakt ashtu është, sepse Policia e Shtetit jo vetëm që i ruante plantacionet e drogës, por edhe e vadiste. Dhe për këtë zoti Haki e di shumë mirë me ish-ministrin e kaluar të brendshëm. Ka mjaft procese që edhe i kanë mbyllur, ose nuk i kanë deklaruar dhe nuk i kanë përmendur në komunikatat zyrtare, se sa punonjës policie janë marrë të pandehur për lehtësimin, përdorimin dhe zotërimin e plantacioneve me kanabis në Shqipëri.

A është dëmtuar LSI nga shkarkimet në drejtori të caktuara të bëra nga ana e qeverisë dhe e kryeministrit në administratë?

LSI nuk është se ka pasur ndonjë numër të madh njerëzish në administratë, dhe kjo është edhe një lloj fryrje që është bërë nga Partia Socialiste, sepse deputetët socialistë më shumë emëronin familjarët e tyre dhe rrethin e tyre shoqëror dhe bazës i thoshin se nuk kemi çfarë të bëjmë ne, se na i ka zënë vendet LSI-ja. Faktikisht me marrëveshjen e qeverisë teknike, të gjithë drejtorët e përgjithshëm u hoqën, u hoqën njerëz edhe me fotografi të dy viteve më parë, që mund të kishin dy vjet që kishin dalë fotografi me bluza të LSI-së dhe u shkarkuan se paskan qenë në një fushatë zgjedhore, kur në të vërtet kanë qenë aktivitete sportive të viteve më parë. Dhe fotot e tyre çoheshin te Task-Forca e zgjedhjeve që ishte shumë qesharake, dhe hiqeshin njerëzit nga puna. Dua t’ju kujtoj që modestia e tepruar që karakterizonte herë pas herë LSI-në në kohën kur ishte në qeverisje me Partinë Socialiste, shqiptarët duhet ta dinë që ministritë që drejtoheshin nga LSI-ja kishin vetëm 5% të buxhetit të shtetit, pjesa tjetër e gjitha administrohej nga qeveria socialiste. Kështu që kjo historia e tepsisë, 5% kishte LSI-ja ndërsa 95% e kishte Partia Socialiste. Dhe do ta shikojnë socialistët tashmë se sa ka pasur LSI-ja, sa ka pasur PS-ja dhe se sa do të marrin socialistët tani. Nuk është dëmtuar LSI-ja, por është dëmtuar demokracia shqiptare me përdorjen e policisë nga krimi i organizuar. Unë e kam thënë edhe herë tjetër, e them edhe me ndërkombëtarët: ndërkombëtarët nuk kanë parë asgjë ditën e zgjedhjeve, sepse çdo gjë ka qenë një panoramë, një pikturë shumë e bukur, me shumë ngjyra, me diell që shkëlqente dhe me lule shumëngjyrëshe që ju reklamohej dhe ju para përgatitej më përpara nga sekserët apo nga suflerët e kryeministrit ndërkombëtarëve nëpër zyrat e ndërkombëtarëve, por ajo çfarë ka ndodhur në të vërtet është që qytetarët shqiptarë vendoseshin përballë zarfit me para apo plumbit në lule të ballit, zarfit me para ose çakmakut ku bizneset e tyre ishin lagur me benzinë. Pra do të marrësh zarfin me para dhe të dorëzosh kartat e identitetit apo të të djeg biznesin. Për të mos vazhduar më tej me strategjinë e turpshme që ndodhi dy ditët e fundit, ku të gjithë kryetarëve të LSI-së, strukturave të LSI-së, kandidatëve për deputetë të LSI-së u bëhej denoncimi nga PS-ja që po shpërndanin para. Nëse ti ishe me 20.000 lekë të vjetra në xhep merreshe dhe çoheshe në polici, mbaheshe 72 orë që të liroheshe nga policia pas datës 25 qershor, thjesht për të krijuar panikun frikën dhe terrorin te njerëzit. Megjithatë tashmë qeverinë e ka Partia Socialiste me 74 mandatet e saj, ne urojmë që t’ia arrijë qëllimin e saj, ta çojë për skrap tepsinë, ta marri timonin ta drejtojë vetë, të integrojë shqiptarët në Bashkimin Europian, të rrisë ekonominë shqiptare, t’ju uli taksat shqiptarëve dhe tu rris të ardhurat dhe ne jemi shumë të lumtur sepse po e bëri këtë gjë për shqiptarët, e ka bërë dhe për ne të opozitës.

 Burimi: (integrimi.al/G.P)

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al