Monika Kryemadhi: Ose të largohen shqiptarët nga Shqipëria, ose të largohet Edi Rama nga qeveria

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, zhvilloi ditën e sotshme një takim me strukturat e Lëvizjes Socialiste për Integrim në Berat. E shoqëruar nga deputetët Naço dhe Caka, Kryetarja e LSI-së iu bëri thirrje qytetarëve të Beratit të jenë të pranishëm në protestën e 27 janarit. “Data 27 janar ka një vlerë shumë të rëndësishme, e cila është zgjimi i ndërgjegjes kombëtare. Ne, sot më shumë se kurrë, duhet të zgjohemi nga apatia, sepse e di që ndjejmë të gjithë të jemi më të varfër, të lodhur, apo të nënshtruar, por nëse ne nuk do të zgjohemi, nënshtrimi ynë do jetë gjumi i vdekjes”, tha ndër të tjera ajo.

Më poshtë fjala e plotë:

Sigurisht që, jo se dua të korrigjoj Nasipin, por dua të them se unë e kam moton “Me qetësi dhe dashuri” për njerëzit që e duan Shqipërinë, e kam me qetësi dhe dashuri për të gjithë ata që kontribuojnë për ta ndërtuar vendin, por nuk e kam për të gjithë ata që duan ta shkatërrojnë këtë vend, për ata që duan të largojnë rininë shqiptare nga Shqipëria, për ata, të cilët i gjobisin shqiptarët, për ata që biznesit të vogël i ulin qepenin për t’i falimentuar, për ata që largojnë nga puna për shkak të bindjeve të tyre politike njerëzit, të cilët kanë me dekada në institucionet shtetërore, siç janë mësuesit që kanë mbi 20 vite që mësojnë fëmijët e shqiptarëve. Ka edhe mijëra të rinj që mbarojnë shkollën shkëlqyeshëm dhe nuk kanë mundësi punësimi për shkak të bindjeve politike. Apo edhe të gjithë ata prindër, që jo vetëm nuk u jepet shansi për të punuar dhe për të ushqyer, por nuk u jepet më shansi dhe mundësia për t’i parë ata për shkak të mungesës së fondeve të tyre ekonomike, për shkak të mungesës së lëvizjes së tyre të lirë.

Do të dëshiroja të flisja pafundësisht, por në radhë të parë dua t’ju falënderoj sinqerisht jo vetëm për angazhimin tuaj, jo vetëm për pjesëmarrjen tuaj, por dua t’ju falënderoj me dorë në zemër për qëndresën tuaj heroike përballë atij presioni të tmerrshëm dhe kriminal, që ushtruan bandat e krimit të organizuar në Berat, me në krye kandidatët për deputetë të rilindjes, të cilët u mbrojtën edhe nga Policia e Shtetit. Ju jeni heronjtë e Lëvizjes Socialiste për Integrim, jeni heronj si të 226 mijë heronjtë shqiptarë, që rezistuan më 25 qershor.

Qëllimi ynë është shumë i thjeshtë. Nuk është shumë i koklavitur, apo i vështirë. Ne kemi vetëm një orientim: Të bëjmë Shqipërinë evropiane, të integrojmë Shqipërinë sa më shpejt në BE. Kjo është e vetmja mënyrë për të shpëtuar Shqipërinë nga kapja e krimit të organizuar. Ka vetëm një njeri në Shqipëri që nuk do që Shqipëria të bëhet pjesë e BE-së dhe ai është Edi Rama. Është i vetmi njeri, që nuk bën as lëvizjen më të vogël për ta integruar Shqipërinë, por po lëviz çdo gurë për ta destabilizuar vendin dhe për ta larguar atë çdo ditë e më shumë nga BE.

E mbani mend të gjithë që në vitin 2009 vendosëm bashkëpunimin me PD-në, duke kontribuar me katër mandatet e LSI-së. Nuk ishin ato mandate për të qeverisur Partia Demokratike, por për t’i dhënë vizat shqiptarëve që të lëviznin të lirë në Evropë, për të parë fëmijët e tyre që kishin vite të tëra pa i parë, për të shkuar dhe për të shkolluar fëmijët e tyre në shkollat evropiane, për të shkuar për t’u vizituar, apo qoftë edhe për turizëm. Dhe jo më për të vazhduar në radhën e stërgjatë dhe kriminale nëpër dyer e ambasadave për të marrë një vizë. Dhe me katër mandatet e Lëvizjes Socialiste për Integrim, ku edhe Qarku i Beratit kishte mandatin e tij, ne sot, shqiptarët në të gjithë Shqipërinë lëvizin pa viza nëpër Evropë.

Dhe kjo është falë LSI-së. E them këtë pa modesti, sepse duhet t’ua kujtojmë të gjithë shqiptarëve, sepse i kanë harruar radhët e tmerrshme në dyert e ambasadave. Ashtu sikurse i dhamë pushtetin Partisë Socialiste në 2013-n. Në fakt qetësia dhe dashuria e Ilir Metës fuqizoi dhe i dha një pushtet të pakufi Edi Ramës. I dha një pushtet, i cili jo vetëm kriminalizoi Policinë e Shtetit, por gjithë Shqipërinë. Prandaj, ajo që dua t’ju them sot është që, ne sot duhet t’i thërrasim jo vetëm mendjes, por edhe bindjes, edhe zemrës. Prandaj, e shikoj të nevojshme organizimin tonë, jo vetëm datën e 27 janarit, por çdo ditë, çdo orë dhe çdo minutë, duke folur dhe denoncuar çdo vepër kriminale që bëhet ndaj shqiptarëve. Sepse vepër kriminale është edhe të presionosh një nxënës në shkollë, edhe të shantazhosh një nëpunës administrate, edhe të fyesh dikë për bindjet e tij politike, edhe të detyrosh shqiptarët të largohen nga Shqipëria. Ne kemi dy rrugë: ose të largohen shqiptarët nga Shqipëria, ose të largohet Edi Rama nga qeveria. Dhe unë jam e bindur që kostoja më e ulët dhe më fitimprurëse është që të largohet Edi Rama, sepse ky është shansi i vetëm, që shqiptarët kanë për të shpëtuar njëherë e mirë nga kjo kapje e shtetit nga krimi i organizuar.

Do dëshiroja të flisja në fakt edhe për situatën ekonomike, sepse edhe ju e dini sa e vështirë është ajo për secilin prej jush, pavarësisht pozicionit dhe shkollimit që ai ka. Qoftë për fermerin në fshat, qoftë për biznesin e vogël, që ka një dyqan në rrugicën e një qyteti, qoftë për nëpunësin në administratë, qoftë për mësuesin, qoftë për mjekun, apo qoftë edhe për të papunin. Sot shqiptarët janë më të varfër se ç’kanë qenë përpara katër viteeve. Jo se ne po lajmë duart dhe po themi që ne nuk kemi fajet tona. Sigurisht që edhe ne kemi fajet tona, sepse për hir të stabilitetit politik, ne lejuam që shqiptarët të ngarkohen me taksa gjithmonë e më të larta. Për hir të stabilitetit politik, ne lejuam që të shkatërrohet sistemi i tërë funksionar, qoftë për arsimin, qoftë për shëndetësinë, qoftë për infrastrukturën e kështu me radhë. Pak më parë Nasipi tha: ‘Shumë mirë që kanë bërë shëtitoren. Por, mendoj që të gjithë beratasit dhe shqiptarët duhet ta dinë që kjo shëtitore nuk u ndërtua me paratë e buxhetit të shtetit. Ajo është bërë me paratë e Fondit Amerikan të Zhvillimit.

Ashtu sikurse edhe të gjithë investimet e tjera në Bashkinë e Beratit, janë bërë me fondet e buxhetit të kësaj bashkie. Pra, janë bërë me taksat që beratasit kanë paguar vetë. Ashtu sikurse dhe projektet që janë në vazhdim do të jenë projekte të financuara nga Banka Botërore. Pra, nuk kemi asnjë projekt të financuar nga buxheti i shtetit, kështu që të dashur qytetarë të Beratit, ju bëj me dije që qeveria e rilindjes nuk ka sjellë asnjë investim në Berat, por janë taksat tuaja që edhe në ditët më të vështira ekonomike, ju i keni paguar në mirëbesim ndaj shtetit për të zhvilluar qytetin tuaj. Prandaj, mos dëgjoni më përgjërimet e deputetëve rilindës, të cilët përfaqësojnë në parlament krimin e organizuar, sepse kanë shkuar me mandate të blera më lekët e drogës, por të jeni të bindur që çdo investim që bëhet në qytetin e Beratit, nuk është as e Edi Ramës, as e Ilir Metës, por është një investim i juaji, i cili vjen drejtpërsëdrejti nga taksat që ju paguani. E them këtë me bindje, sepse na është bërë rëndomë në jetën tonë politike, që nëse vjen një investim, ne duhet t’ia dimë për nder qeveritarëve. Absolutisht që jo, madje ne duhet të jemi shumë të nervozuar që në 27 vjet, në vitin 2017, shqiptarët akoma nuk kanë ujë e drita nëpër shtëpi. Këto janë problemet më të mëdha, ku Shqipëria, që është në mes të Evropës, është një vend mjaft i prapambetur. Prandaj, kjo duhet të na bëjë që të ndërgjegjësohemi që të gjithë, për t’u zgjuar dhe shkëputur nga e gjithë kjo demagogji politike, e cila po na mbulon me varfëri dhe mjerim. Madje edhe Migjeni i famshëm nuk do arrinte dot fjalë për të përshkruar varfërinë dhe mjerimin që është pllakosur sot në Shqipëri. Kështu që, data 27 janar ka një vlerë shumë të rëndësishme, e cila është zgjimi i ndërgjegjes kombëtare. Ne, sot më shumë se kurrë duhet të zgjohemi nga apatia, sepse e di që ndjejmë të gjithë të jemi më të varfër, të lodhur, apo të nënshtruar, por nëse ne nuk do të zgjohemi, nënshtrimi ynë do jetë gjumi i vdekjes. Të gjithë do largohen nga Shqipëria pa zhurmë, pa thënë asnjë fjalë për të mos u kthyer kurrë. Shqipëria do ngelet një vend bosh dhe ngelet një nga vendet më të plakura në Evropë. Prandaj është shumë e rëndësishme angazhimi ynë dhe pjesëmarrja jonë më datën 27 janar.

Është e rëndësishme, sepse duhet t’i tregojmë jo vetëm Edi Ramës, por edhe të gjithë atyre që nuk kanë sy, por edhe veshë, për të parë dhe dëgjuar këtë realitet të hidhur, që shqiptarët nuk janë më lodra në duart e tyre, por shqiptarët janë një popull me dinjitet, integritet, por mbi të gjitha janë një popull i fortë dhe i guximshëm, që atëherë kur duhet për ta rrëzuar diçka që është kundër bindjeve të tij, që është kundër vlerave të tij, ai ngrihet dhe e rrëzon. Nëse në 1990 shqiptarët e tërhoqën zvarrë bustin e Enver Hoxhës, me sjelljen që Edi Rama po bën ndaj shqiptarëve, të jeni të bindur që shqiptarët do ta tërheqin zvarrë atë për së gjalli. Sepse nuk ka nënë shqiptare që të lejojë që t’i largojë nga gjiri i saj fëmijët. Nuk ka baba, të cilit t’i ikë fëmija dhe të mos ketë dëshirë për t’u kthyer, sepse e ka të pamundur për të rritur dhe për të krijuar familjen e tij dhe për t’iu dhënë shanse fëmijëve të tij. Nuk ka vajzë dhe djalë të ri që nuk do dëshironte të ndërtonte familjen dhe të ardhmen në vendin e tij. Prandaj, ju them me bindje të gjithë së bashku më datën 27 janar në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, për të bërë një protestë paqësore, ku të jetë e qartë pjesëmarrja jonë për t’i treguar Edi Ramës që nuk ka nevojë që të jemi të dhunshëm, sepse kaq vetë sa jemi ne me një frymë të rrëzojmë. Ju bëj dhe njëherë thirrje pavarësisht ditëve të ftohta, por dielli që shkëlqen, që jo rastësisht shkëlqen këto ditë, për të thënë që një dritë e re, një frymë e re po vjen në Shqipëri. Po vjen fryma e lirisë për t’u çliruar nga krimi i organizuar dhe për t’u çliruar nga kjo bandë kriminale, e cila kërkon të shesë dhe të copëtojë Shqipërinë në mënyrën më të tmerrshme. Duke iu falënderuar për pjesëmarrjen tuaj, duke iu qenë dhe njëherë mirënjohëse për të gjithë angazhimin tuaj, për të gjithë vlerat dhe punën tuaj të paçmuar për mua, unë ju uroj gjithë të mirat. Zoti iu ruajt ju dhe familjet tuaja dhe zoti e bekoftë Shqipërinë.

Burimi:(integrimi.al/T.I)

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al