Monika Kryemadhi: Pa rolin e gruas një shoqëri është e cunguar

Zonjat parlamentare duhet ti shërbejnë asaj kauze të cilën ato përfaqësojnë në parlament. Në fakt është pak herët. Por më mirë le të fillojë, sepse kur bën një bilanc se sa burra ka në parlament që nuk kanë folur fare, ose kontributin e tyre nuk e kanë fare në parlament, pse të mos jetë një grua?!  Le të jetë një grua më mirë!

Intervistë e deputetes së Lëvizjes Socialiste për Integrim, znj. Monika Kryemadhi për “News 24”

monika_Kryemadhi

Çfarë është kjo konferencë rajonale, cili ishte qëllimi?

Kjo është një asamble rajonale e grave parlamentare e përvitshme. Ne vitin e kaluar e kemi bërë në Beograd më 2 mars.. Dy vite më parë ka qenë në Bosnjë. Është bërë nën mbikëqyrjen e OSBE-së, në kuadrin që gratë parlamentare të angazhohen më shumë, të përfshihen më shumë, të bëhen më të përgjegjshme dhe më aktive në jetën parlamentare të vendit të tyre, ndoshta edhe duke qenë si vende me demokraci të brishta, menjëherë pas një tranzicioni që ne akoma vazhdojmë që ta kemi në vendet e rajonit, tranzicionin politik.

Ka qenë e nevojshme që gratë deputete, qofshin këto në Shqipëri, në Maqedoni, në Kosovë, në Mal të Zi, në Serbi, në Bosnjë Hercegovinë e kështu me radhë të jenë të përfshira dhe të integrohen në një proces të parlamentarizmit në këto vende. Sigurisht në njëfarë mënyre këto nuk janë vetëm në këtë drejtim, por shërbejnë edhe për t’u njohur, edhe për të krijuar një lloj network-u, dhe ne tashmë nuk do të mendojmë si vend i vogël, por do mendojmë si rajon, sepse këto janë edhe mundësitë që ne mund t’i afrohemi qoftë Europës, dhe qoftë edhe shumë institucioneve ndërkombëtare duke qenë si rajon, jo duke qenë si vende të vogla të ndara.

Për të diskutuar për çështjen e grave apo për fuqizimin, qoftë ekonomik të gruas, qoftë politik, sigurisht shkëmbimi i eksperiencave ndërmjet vendeve të ndryshme ka qenë shumë i rëndësishëm. Unë do të theksoja që ajo që më bëri përshtypje ishte prezenca e delegacionit të Serbisë, të cilët ishin prezent edhe pse sapo kanë mbaruar zgjedhjet në Serbi. Në fakt, po të ishte për ne shqiptarët, do të kishte qenë shumë më e vështirë për të marrë pjesë në angazhime të tilla.

Jo vetëm që ishin prezent, por ajo që bën përshtypje është që minimumi i pjesëmarrjes së grave në listat e deputetëve të partive, pra që kanë hyrë në parlamentin serb, janë mbi 40 për qind. Në Maqedoni e kanë me kuota. Ka disa eksperienca që në networke të tilla, t’i jep, merr, shkëmben eksperienca të ndryshme që me thënë të drejtën janë shumë interesante.

Këto ju bënë ju që të propozonit barazi të mirëfilltë ligjore?

Ne si LSI e kemi në strukturat tona që para katër viteve në Konventën e kaluar që në të gjitha strukturat e LSI-së të jenë 50 për qind gra dhe vajza dhe 50 për qind burra. Sigurisht dhe për parlamentin shqiptar ne propozojmë, ashtu siç është propozuar edhe për anëtarët e këshillave bashkiakë. Ne sot në këshillat bashkiakë kemi 49.36 për qind gra. Por, nuk është thjesht numri.

Nga njëra anë unë them se është dhe mundësia, perspektiva që mund të kenë gratë për t’u gjendur dhe për t’u përfshirë. Do jetë shumë e vështirë dhe unë e thashë dhe në fjalën time, ne vërtet do të luftojmë dhe do të lobojmë për këtë gjë, por kjo është një sfidë që gratë e politikës do ta kenë në të ardhmen. Është sfidë sepse është shumë e vështirë që një grua të përfshihet në politikë. Ne sapo pamë një viktimë të politikës. Nuk ka rëndësi është në Shqipëri apo është në Maqedoni, znj. Ermira Mehmeti, ndoshta edhe për vetë vendin ku ajo është, pak më patriarkal ose dhe mediat kanë qenë më të kursyera ndaj sulmeve që u janë bërë grave apo ndaj vajzave në Maqedoni.

Ndërsa ne në Shqipëri jemi mësuar më shumë, sepse ne fjalën e fundit e themi gjithnjë në fillim. Na kanë bërë rrjetet sociale që të dëgjojmë gjëra nga më të ndryshmet dhe komentet më të ndryshme. Por sigurisht që është pak e vështirë. Pse duhet të sulmohej Ermira ? Ishte diçka në jetën e saj personale. U sulmua, sepse përfaqësonte diçka Ermira. Por po të mos ishte asgjë Ermira, po të mos ishte deputete apo po të mos ishte ai zë kundërshtues , edhe mund të mos ishte sulmuar fare. Ne merremi me Ermirën, por nuk merremi me palën tjetër po themi.

Janë gjëra që në njëfarë mënyre është shumë e vështirë. Do të duhet të gjesh forcën dhe unë sot e përgëzoj Ermirën që gjeti vendin e duhur dhe momentin e duhur për të bërë daljen e saj të parë publike, në një ambient me gra, ku të gjitha u solidarizuan, jo vetëm me duartrokitje, por edhe me lot në sy për atë ç’ka, në një farë mënyre të gjitha gratë në politikë, kush më shumë e kush më pak e ka kaluar. Sepse, dashje pa dashje, politika buron pushtet dhe duke qenë se buron pushtet është diçka e lakmuar. Burrat janë më solidarë, janë më të qëndrueshëm ndaj njëri-tjetrit, jo se janë po themi sulmues, por në njëfarë mënyre janë më kompaktë.

Ndërsa te ne gratë, kemi akoma nevojë… edhe vetë mënyra e jetesës, domeini që ne kemi ndërtuar, duke u marrë me familjen, me fëmijët, me shtëpinë, na bën edhe pak më të distancuara nga jeta e shoqërisë. Po të flasim për këtë gjë kemi pafundësisht dhe mund të rrimë me orë të tëra dhe me ditë të tëra, por ajo që them unë pse jam skeptike, është sepse ne nuk duhet të bëjmë gabimin që 50 për qind e grave ta mbushin me kukulla, të cilat mund të jenë shumë të bukura, mund të flasin bukur, por nuk janë vendimmarrëse. Ne kemi nevojë për gra, të cilat të jenë vendimmarrëse dhe t’i shërbejnë jo vetëm grave, por edhe burrave.

Përtej çështjes së kuotave, pra kësaj vendimmarrjes që vjen nga lart poshtë. Ju si grua besoj s’keni pasur nevojë për kuota për të qenë në politikë?! Kur flasim për zgjedhjet presidenciale në Amerikë, Hillary Clinton është shumë e fokusuar te pjesa e grave. Trump gjithashtu. A kemi edhe ne nevojë që gratë votojnë për gratë më shumë?

Çdo gjë vjen me emancipimin shoqërisë, në çfarë shoqërie jetojmë. Për mua gratë shqiptare, sidomos në gjeneratat që ne jetojmë dhe kemi bërë politikë, janë gjenerata të sakrificës dhe kanë vuajtur, qoftë nënat tona, të cilat kanë qenë në një sistem tjetër që ishin të detyruara të punon me tre turne. Qoftë brezi ynë, të cilin e kapi tranzicioni dhe u ndryshua sistemi, por qoftë edhe brezi i ri, vajzave të reja të cilat e kanë pak më të lehtë, sepse nuk përplasen me atë mentalitetin e denigrimit të një vajze apo të një gruaje që merret me politikë.

Janë të sakrificës dhe në fakt është e vështirë të merresh me politikë. Por në momentin që gratë dhe vajat shikojnë një individ i cili i përfaqëson, jo të shtiret, por i përfaqëson, i takon, i vlerëson, i respekton, sepse në fund të ditës secili nga ne bukën e përditshme e fiton vetë, mos mendoni se politikanët ose deputetët në parlament i japin bukë 3 milionë shqiptarëve, sepse në administratë shtetërore 75 mijë njerëz punojnë, që nga Presidenti e deri te i fundit. 1 milionë e ca të tjerë punojnë në biznese private, punojnë tokën, kryejnë shërbime, me të cilat e fitojnë bukën e përditshme për familjen e tyre. Pra nuk është politika.

Politika ofron infrastrukturën që këto biznese të rriten, të zhvillohen ose të falimentojnë, dhe njerëzit janë aq koshientë në atë që shikojnë sepse arrijnë të dallojnë kush është ai që vërtet i përfaqëson apo ajo që i përfaqëson. Unë personalisht për veten time kam pasur përkrahje shumë të madhe nga gratë, sidomos nga vajzat e reja. Ndihem mirë me to, sepse në njëfarë mënyre qajmë të njëjtat halle. Njerëzit na shikojnë nga televizioni, por të njëjtat probleme kemi të gjitha në shtëpi.

Në fund të ditës ne mund të bëjmë politikë, propagandë sa të duash, por kur vjen bën bilancin e gjithë gjërave, thua po unë sot jam, por nesër nuk do jem. A do shkojë fëmija im në shkollë, rruga, drita, uji. Pra të gjitha janë njëlloj si për politikanin dhe për popullin.

Ne që merremi me politikë, duhet të jemi shumë më të kujdesshme dhe shumë më solidare. Ndonjëherë ne harrohemi nga pushteti që na rrethon, harrohemi dhe nga lufta politike, dhe harrojmë thelbin kryesor që ne përfaqësojmë. Unë do të doja të theksoja, se ne kemi folur shumë dhe tani flasim për barazinë gjinore dhe artikulojmë barazinë gjinore, por tashmë duhet të kërkojmë se çfarë kemi arritur dhe ku kemi arritur. Sa indikatorë kemi ne për matjen e shumë gjërave, të cilat çfarë kanë ndodhur. Sepse është investuar shumë, është investuar nga qeveria për barazinë gjinore, është investuar nga shoqëria civile, nga organizatat ndërkombëtare, por në fakt ne nuk kemi indikatorë matës për të parë se çfarë ka ndodhur me barazinë gjinore.

Unë sot në parlament bëra dhe një autokritikë dhe në njëfarë mënyre kërkova dhe një lloj falje dhe u bëra dhe thirrje kolegeve të tjera që në buxhetin e ardhshëm ne duhet ta rishikojmë. Sepse ndoshta nga indiferenca jonë, apo ndoshta edhe nga pozicionet politike, ne kemi bërë një veprim shumë të gabuar në buxhetin e 2014-s, ku kemi hequr zërin e buxhetit për barazinë gjinore që ka qenë për vitin 2014 -2018.

Por ndërkohë kemi kërkuar nga bashkitë, pushtetet lokale që të vendosin në buxhet një zë të tillë, gjë që nuk na falet faktikisht. Por në Forumin Ekonomik që u organizua nga Lëvizja e Gruas Socialiste për Integrim me disa pedagogë të cilët ishin ndihmesë mjaft e madhe në këtë tryezë na e bënë të ditur dhe na e bënë prezent një problem të tillë. Nga njëra anë kompleksohesh sepse thua cila është puna ime, por nga ana tjetër, edhe gëzohesh sepse ka edhe njerëz vigjilentë që t’i thonë gabimet, që t’i edhe të reflektosh menjëherë.

Ky aktivitet i sotmi me gjithë rëndësinë që ka, nuk ka kaluar pa u komentuar edhe jo mirë, ndoshta nga ato gra që nuk kanë dashur të ishin bashkë me ju në këtë aktivitet. Flas për deputetet e PD që nuk donin të ishin prezent…. Cili është komenti juaj lidhur me etiketimin që i kanë bërë këtij takimi tuaj sot si një show politik?

Unë nuk dua të komentoj absolutisht, sepse ky është vendim personal i kolegeve tona të Partisë Demokratike. Edhe herë tjetër kur kanë bojkotuar parlamentin, unë ju kam bërë thirrje që nuk jam në parlamentin shqiptar sepse do Ilir Meta, ashtu siç nuk janë edhe deputetet socialiste, sepse do Edi Rama apo dhe deputetet e Partisë Demokratike, sepse do Sali Berisha apo Lulzim Basha.

Ne jemi deputete të Kuvendit, na kanë votuar njerëzit, përfaqësojmë elektoratin tonë, pavarësisht se të kujt partie jemi dhe kjo asamble nuk kishte të bënte as me bindjet tona politike. Kjo asamble kishte të bënte që secila nga partitë politike të demonstronte vlerat që kishte brenda partisë së tyre, dhe për mua ishte mungesa e demonstrimit të vlerave të grave të Partisë Demokratike dhe atyre vajzave të reja që kanë, të cilave do t’i jepej një shans, edhe një podium ku ato mund të shfaqnin idetë e tyre.

Hallet e grave dhe vajzave shqiptare nuk kanë për të mbaruar ndonjëherë sepse nuk kanë mbaruar që me lindjen e njerëzimit. Kështu që do të vazhdojnë sepse do të zgjidhet një hall dhe do të dali një hall tjetër, do të zgjidhi një problem, do të dali një problem tjetër. Ashtu siç ka qenë me breza, nënat tona kanë pasur probleme që i kanë zgjidhur, ne kemi të tjera e kështu me radhë.

Unë mendoj që vetpërjashtimi, sidomos në aktivitete të tilla nuk i shërben absolutisht as Partisë Demokratike dhe nuk i shpërben absolutisht as vetë deputetëve të Partisë Demokratike. Unë do të gjykohem, ose do të paragjykohem për mendimin tim, por unë do të dëshiroja që vendimet politike që kanë të bëjnë me parlamentin shqiptar janë vendime politike.

Por kur kemi të bëjmë, ashtu siç ka ndodh me Aleancën e Grave Deputete, që fillimisht gratë deputete të Partisë Demokratike nuk ishin dakord, dhe gjej rastin për të falënderuar dhe nuk besoj se do të gjykohem për këtë gjë, Albanën dhe Majlindën të cilat dolën mbi këto tabu dhe në një farë mënyrë, sepse ishin edhe organizatoret e këtij aktiviteti, sepse duam apo nuk duam, këto janë aktivitete rajonale që nuk kanë të bëjnë me bindje politike, kanë të bëjnë me atë që ne përfaqësojmë.

Përveç kësaj, unë do të thosha që do të kishim mundësi për të krijuar lidhje me koleget tona në Kosovë, në Maqedoni, në Bosnje, në Mal të Zi, apo edhe në Serbi, sepse fundja edhe kur shkojmë në konferenca të tjera, ne atje takohemi, bisedojmë, kalojmë orë të tëra duke biseduar dhe nuk pyesin nga cili krah jeni dhe ne themi me krenari më të madhe nga Shqipëria.

Edhe një pyetje shkurt kam, në lidhje me këtë temë. Pavarësisht se ju e prekët në disa pika, çfarë mendoni për këto dy nivelet. Pra nivelin që kemi në elitë, në politikë në ekonomi kudo qoftë dhe nivelin që kemi në jetën e përditshme në periferi të qyteteve ose në qendër, në fshatra ku ne kemi raste të dhunës, të persekutimit, probleme shumë të rënda të grave..

Dakord, ne e shikojmë problemin e dhunës ndaj grave, por nuk duhet parë i ndarë nga problemi i dhunës për të gjithë shoqërinë. Sepse një grua që rrihet në fund të fundit është edhe mamaja e një djali, apo është motra e një djali. Ndoshta edhe ngaqë ne i shikojmë si të ndarë kjo është edhe një nga arsyet që shtohet më shumë.

Pra ne e deklarojmë gjithmonë gruan si seksin e dobët. Për mua këtu duhet të zbatohet ligji. Këtu nuk është çështja se duhet ta mbroj unë se u rrah një grua. Unë duhet të zbatoj ligjin, si të rrihet një grua, si të rrihet dhe një burrë apo si të rrihet një fëmijë sepse kemi edhe dhunë ndaj fëmijëve. Janë shumë gjëra bashkë që ndodhin. Pra unë them që asnjëherë nuk është e ndarë, por e rëndësishme është që gratë kanë filluar të denoncojnë, që gjë është shumë e rëndësishme. Pra kanë filluar që të ndihen si të pavarura. Dhe ajo që unë mendoj, ndoshta kjo vjen edhe si rezultat i denoncimeve se e njëjta gjë mund të ketë ndodhur më përpara dhe nuk ka qenë aq e emancipuar shoqëria shqiptare sa të bënte prezent problemin.

Prandaj thashë se mungesa e indikatorëve na bën që ne asnjëherë të mos e kemi të qartë se çfarë ka ndodhur në të vërtetë. Është emancipuar shoqëria, është rritur dhuna. Prandaj e them gjithmonë që ne duhet të ngremë një institucion për matjen e indikatorëve. Ashtu sikurse kur thatë për diferencë midis elitës dhe shoqërisë tjetër. Unë them se edhe ajo që punon tokën është elitë, sepse është mund, djers, që ajo harxhon dhe prodhon diçka që asnjëri nga ne të tjerët nuk e prodhon që mund të kemi mbaruar universitete pafund. Në një farë mënyrë është një komplementarizëm që ecën bashkërisht me njëri- tjetrin. Dhe tjetra që unë do të doja të theksoja është se ne duhet të ndërmarrim disa nisma ligjore, të cilat në një farë mënyrë e lehtësojnë jetën e gruas.

Unë e përmenda edhe pak në fjalën time, përsa i përket kontributeve të sigurimeve shoqërore për gratë e divorcuara. Shumë gra rrinë në shtëpi, sepse merren me rritjen e fëmijëve ose në mungesë të papunësisë dhe në administrimin e familjes. Një ditë kjo familje mund të divorcohet dhe në 20 vite ajo grua nuk ka kontribute në sigurimet shoqërore dhe nuk përfiton pension. Atëherë ne duhet të ndërmarrim iniciativa të tilla, sepse kjo grua ka mbajtur familjen, ka punuar dhe ka bërë punë të papaguar, ndërsa burri ka bërë derdhjen e kontributeve.

Kontributet e bashkëshortit duhet t’i njihen të dyve palëve bashkë që në një farë mënyrë në asnjë nga parlamentet rajonale nuk është diskutuar. Sigurisht është në kuadrin e “gender balance”, në kuadrin e disa gjërave që ne do t’i rishikojmë, me impakt në buxhet. Sepse përderisa të gjithë paguajmë taksa, shteti ka edhe detyrime që të na përgjigjet. Pra ka gjëra që duhen parë ashtu sikurse duhen parë klinikat e këshillimit, përsa i përket këshillimit ligjor të shumë grave të cilat janë shumë të mira në domenin e tyre, por kanë mungesë informacioni, ose mungesë te praktikës së jetës së përditshme.

Znj. Kryemadhi kjo është një temë që mund të flitet gjerë e gjatë dhe me orë të tëra. Meqë ju kemi në studio do të donim të përfitonim duke ju pyetur edhe për atë që është në fakt aktualiteti jonë politik, për Reformën në Drejtësi, do të donim t’ju merrnim një koment tuajin?

Unë nuk është se e njoh, as nuk e kam studiuar dhe as nuk e kam diskutuar, por mendoj që Reforma në Drejtësi duhet të ishte votuar që në tetor, që në nëntor…

Kush e pengon në gjykimin tuaj?

Çdo konflikt i tepërt bëhet një shkak për ta zvarritur dhe unë jam partizane, prandaj dhe kur thashë për deputetet gra që ne duhet të bëjmë detyrën tonë, dhe detyra e çdo deputeti të Kuvendit të Shqipërisë është të votojë reformën urgjentisht. Ne kemi tashmë edhe rekomandimet e Komisionit të Venecias.

Të gjitha palët janë të dakordësuara. Kështu që duhet mbyllur sa më shpejt. Ne nuk jemi këtu për t’i bërë qejfin as njërit dhe as tjetrit. Ne mbajmë përgjegjësi përpara opinionit publik, mbajmë përgjegjësi përpara elektoratit tonë dhe Reforma në Drejtësi është një pikë kyçe për të zgjidhur fundin e tranzicionit të politikës shqiptare.

Përtej Reformës në Drejtësi flitet shumë, e gjithmonë e më shpesh për një Reformë Zgjedhore. Do të ketë LSI një pozicion të përcaktuar?

Sigurisht LSI-së i kanë pëlqyer historikisht sfidat dhe gjithmonë Reformat Zgjedhore që kur është thelëmuar LSI-ja janë bërë për ta dëmtuar. Tashmë që ne i kemi kaluar të gjitha, jemi përgatitur, kemi krijuar strukturat, LSI-ja është një parti që ka ardhur duke u rritur, ka qenë prezent. Unë mendoj që Reforma Zgjedhore tashmë nuk duhet parë si një reformë zgjedhore për të eliminuar dhe për të cënuar demokracinë.

Unë mendoj që reforma zgjedhore dhe në Shqipëri të fillojë pak nga pak dhe ne të dalim nga ai instagniacioni i destabilitetit, pra që rrimë me një destabilitet politik institucional. Për të vetmen arsye për të dëmtuar në emër të ashtë quajturës demokraci. Demokracia është që votën e qytetarit ta numërosh ashtu siç e jep ai. Nuk ka pse vota ime të jetë dy herë më e vlefshme se sa vota juaj, pavarësisht se ku jetojmë, në çdo cep të Shqipërisë.

Jeni për proporcional kombëtar….

Për mua nuk ka rëndësi, si proporcional kombëtar, mazhoritar kombëtar, proporcional rajonal, për prim, për çdo gjë për mua nuk ka rëndësi. E rëndësishme është që vota të lexohet ashtu siç është. Kjo është e rëndësishme. Sepse nëse ne gjithmonë sa herë do të gjejmë klauzola, apo formula, apo gjëra të cilat në një farë mënyre do t’i fusim njerëzit në qorrsokake të tilla, apo vetë politikën, asnjëherë nuk do të jemi të gatshëm për të zgjidhur konflikte që në një far mënyrë nuk mban peng politikën. Sepse politika në fund të ditës do të vazhdojë ato seancat e të enjteve, por do të mbajë peng të ardhmen e njerëzve tanë, të ardhmen e fëmijëve tanë duke pasur parasysh që kemi humbur shumë kohë në kaq vite tranzicion.

Mendoj që nuk duhet të humbasim më asnjë sekondë më shumë në tranzicionin e lodhshëm, rraskapitës, sfilitës. Brezi jonë e kaloi këtë tranzicion, kush më mirë, kush më pak, kush me më pak dhimbje kush me më shumë dhimbje. Por një trazicion që në një farë mënyrë nuk do të dëshironim t’ua linim fëmijëve tanë, sepse është një vend në mes të Evropës, është një vend shumë i vogël, por është edhe bekuar nga Zoti për të gjithë resurset e mira që ka dhe është gjynah që ne të humbasim. Kur ne tu flasim të huajve për Shqipërinë duhet tu flasim për vlerat e bukura që ka, për historinë, për traditën, për gjithë pozicionet e veta, dhe në fakt ne gjithmonë flasim për gjithë ankthin që instalojmë herë pas here me konfliktet tona të kota politike.

Si e konsideroni thirrjen e ish-kryeministrit të vendit Berisha “Merri armët dhe mbrohuni o popull”, një deklaratë e cila e penalizoi atë?

Secili nga ne bën deklaratën e vet personale dhe në një farë mënyrë, doktori bëri një deklaratë, për të cilën njerëzit e gjykojnë, politika e gjykon, gazetaria e gjykon. Çdo gjë, edhe për deklaratat që ka bërë kryeministri Rama, përsa i përket zgjedhjeve në Amerikë, të cilat prapë u komentuan.

Ajo që unë dua të them është që ne nuk duhet të gjejmë sebepe për të krijuar konflikt në parlament në mënyrë të tillë që të largohemi çdo ditë e më shumë nga pika më e rëndësishme që i intereson shtetit shqiptar, popullit shqiptar, politikës shqiptare, Reforma në Drejtësi. Çdo konflikt, çdo sebep që ne gjejmë me deklarata të gabuara apo të sakta, me veprime të gabuara apo të sakta, na largojnë çdo ditë e më shumë vëmendjen nga ajo që është pika më e rëndësishme që është Reforma në Drejtësi.

Burimi:(News 24/ E C)

Te shenuara si:
al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al