Monika Kryemadhi: Protesta e 27 janarit për të gjithë ata shqiptarët që ndihen të varfër, të pashpresë, që kanë shumë pak mundësi punësimi, që paguajnë më shumë para, që ju rri taksidari i qeverisë te koka

Bashkëbisedimi me gazetarët i Kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi

Do doja që këtë prononcim mediatik ta nisja me ngjarjen e Kosovës, duke dënuar ngjarjen e vrasjes së liderit serb në Kosovë, z.Oliver Ivanoviç. Pra Kosova sot është gjendur e tronditur nga kjo ngjarje kaq e rëndë dhe ne si LSI bëjmë thirrje që kjo çështje të zbardhet sa më shpejt dhe autorët të vendosen para drejtësisë. Duke pasur parasysh që në këtë situatë mjaft të rëndësishme të dialogut Kosovë- Serbi do të ishte një hap përpara nëse autorët dhe shkaktarët e kësaj do të gjendeshin përpara drejtësisë. Ashtu sikurse i bëjmë thirrje që ky moment të tejkalohet dhe dialogu Kosovë-Serbi të vazhdojë përsëri, sepse ka të bëjë me proceset shumë të mëdha dhe shumë të rëndësishme që i përkasin jo vetëm Kosovës por dhe rajonit.

Sot familjet shqiptare mezi mbijetojnë sepse qeveria ka rritur taksat dhe tatimet sikurse dhe tarifat lokale të bashkive të cilat janë rritur mjaft ndjeshëm. Këtë vit qeveria mesatarisht do të trefishojë taksën e banesave e cila do të prekë xhepat e të gjithë familjeve shqiptare, pavarësisht nëse kanë apo jo pronësi të banesës apo janë në proces legalizimi. Çmimet po rriten çdo ditë e më shumë dhe kostot e jetesës janë rritur dhe janë bërë të papërballueshme për familjet shqiptare, ashtu sikurse dhe papunësia tashmë është masive dhe të ardhurat reale të shqiptarëve kanë rënë ndjeshëm. Në katër vitet e fundit fuqia blerëse ka rënë, sepse përveç rritjes së taksave dhe tatimeve, fatura e energjisë elektrike dhe ujit është rritur. Çmimet e ushqimeve të përditshme janë rritur me mbi 50%,  dhe ndërkohë që pagat reale janë ulur ndjeshëm. Ministri i Financave dje foli për një sukses të ekonomisë shqiptare në 2017, ndërkohë dhe statistikat që edhe ai ju referua nuk i beson as vet. Rrogat reale duke skontuar inflacionin në sektorin privat janë ulur me 6.6% dhe vetëm në 2016, ndërsa 1.1% në sektorin publik përsa i përket pagave reale dhe sipas INSTAT-it që drejtohet nga qeveria. Sikurse dhe rënia e papunësisë në 13.6% është një gënjeshtër mjaft e madhe përsa i përket statistikave. Shqiptarët janë të bindur se mbi 400.000 shqiptarë janë larguar nga Shqipëria drejt vendeve të tjera të Europës për shkak të papunësisë dhe kryesisht 90% e këtij numri të madh shqiptarësh që janë larguar janë fuqi punëtore. Pra janë njerëz, pjesa dërrmuese e të papunëve që janë larguar. Prandaj dhe papunësia në fakt është rritur nëse do ta llogarisim në fakt si dhe formalizimin e pjesës së tregut të punës dhe me punonjës që kanë qenë të punësuar apo edhe të pasiguruar. Ministri Ahmetaj tha se investimet e huaja po rriten në vend me rreth 1000 biznese të hapura por nuk tregon se janë mbyllur 13.675 biznese të tjera. Nuk thotë se ku janë hapur këto biznese të reja dhe në çfarë sektori janë hapur dhe me çfarë shkalle investimi. Edhe Sheratoni që të gjithë shqiptarët tani e dinë është larguar. Dhe kjo vjen si shkak i rezultatit të klimës së biznesit të rëndë që është krijuar. Gjithashtu z.Ahmetaj tha një gënjeshtër të madhe përsa i përket TAP dhe kaskadës së Devollit , kontributi i të cilave në ekonominë shqiptare është 0.1% ose 0.25% të rritjes ekonomike, kur ndërkohë FMN-ja e ka bërë mjaft të qartë dhe e ka konfirmuar se kontributi i tyre në rritjen ekonomike në Shqipëri është 1.2%. Tani unë nuk besoj se shqiptarët mendojnë se gënjen FMN dhe Edi Rama është i drejtë. Por jam e bindur që situata është e qartë që gënjeshtari më i madh është Edi Rama, i cili drejton këtë qeveri. Fatkeqësisht nuk është se po vijnë investitorë të tjerë, të huaj dhe serioz në vend, por ata po ikin çdo ditë dhe më shumë. Të gjitha statistikat konfirmojnë se 10% e shqiptarëve kanë një mungesë të ushqimit bazik dhe 14% e tyre jetojnë në një varfëri ekstreme me më pak se 1 dollarë në ditë. Sipas Forumit Ekonomik Botëror ekonomia shqiptare është e fundit në Europë, për aftësitë prodhuese dhe e 91-ta në 100 ekonomitë që janë të llogaritura. Prapë sipas INSTAT, sot 90% e shqiptarëve konsumojnë më pak ndërkohë që 70% e të ardhurave të tyre shkojnë vetëm për shpenzime ushqimore pra për ushqimet bazë. Në 2016 aplikuan 200 mijë  shqiptarë për llotarinë amerikane, në 2017 aplikuan 270 mijë shqiptarë, të cilët duan të ikin për shkak të mungesës së shpresës, për shkak të papunësisë së lartë varfërisë, e cila ka pllakosur në këtë vend. Të gjitha pasuritë shqiptare dhe asetet shtetërore që u jepen peshqesh një grup njerëzish, ndërkohë borxhet e larta do ti paguajnë fëmijët e shqiptarëve. Sot mund të kemi një rritje ekonomike prej 3.9% sipas qeverisë, por paratë të cilat janë të injektuara në ekonominë shqiptare janë paratë e drogës dhe të oligarkëve, të cilët po gllabërojnë pasurinë kombëtare. Dhe janë një rritje ekonomike që shkon vetëm në 1% të shqiptarëve por 99% e tyre janë akoma më të varfër se ç’kanë qenë 4 vite më parë. Në finale do thoja që ekonomia nuk është më ajo që do të thoja një statistikë në makro, pra nuk është numër. Por ekonomia është sesa para kanë shqiptarët në xhepin e tyre dhe sesa konsumojnë ata. Mjafton që të pyesësh sot çdo shqiptar për të kuptuar nëse është më i varfër apo është më mirë ekonomikisht se çka qenë 5 vite më parë. Kjo ishte si një statement përsa i përket situatës ekonomike në Shqipëri, por ndërkohë jemi të hapur për çdo pyetje tjetër që ju jeni të interesuar.

Znj.Kryemadhi ju së bashku me PD-në depozituat për të rregulluar atë situatë që ju e konsideroni antikushtetuese, pas zgjedhjes së Kryeprokurores së Përgjithshme të Përkohëshme dhe nga ana tjetër janë një sërë ligjesh që duhen rregulluar në Parlament në përputhje me vendimet e Gjykatës Kushtetuese, për të cilat apeloi dje Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi dhe të cilat kërkojnë një shumicë të cilësuar votash. A është ky një moment optimist që ju të uleni për dialog apo thjesht palët po hedhin kartat e tyre në tavolinë, por do të ngelet në Inpas Reforma në Drejtësi, për të cilën edhe Presidenti i Republikës ka bërë apel sot për dialog?

Unë dua të jem shumë e qartë përsa i përket kësaj nisme ose iniciative të përbashkët që ka marrë opozita. Për të cilën ne kemi gati prej mëse 3 muajsh që kur ka filluar sesioni parlamentar në shtator, legjislatura e re po e quajmë, që I është kërkuar z.Rama për tu ulur dhe për të vazhduar proceduar dhe për të hyrë në shinat kushtetuese përsa i përket Reformës në Drejtësi. Sigurisht që ne historikisht kemi dëgjuar batuta dhe deklarata fëminore dhe inatçore të Kryeministrit nga mikrofona televiziv. Por në fund të ditës, asnjëherë nuk kemi pasur një material të shkruar ose një letër të drejtuar zyrtarisht përsa i përket opozitës. Ajo çka dua të them, dje opozita u tregua mjaft e përgjegjshme dhe serioze pavarësisht se mazhoranca mundohet ta quajë si një kartë politike, por nuk mendoj që është një kartë politike kur mazhoranca nuk pranon të ulet dhe për të lexuar materialin. Opozita i ka paraqitur rikthimin e parlamentit në shinat kushtetuese dhe përveç kësaj ka bërë dhe propozimet grupi i punës. Ka shkruar dhe propozimet e amendamenteve të cilat janë shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese. Ne deri më sot nuk kemi parë nga mazhoranca, apo dhe nga ndonjë institucion i ashtuquajtur që është konsultativ pranë parlamentit, përsa i përket zgjidhjes së ngërçit në Reformën në Drejtësi. Përsa ju përket ligjeve qoftë për Prokurorin e Përgjithshëm por edhe për vazhdimin më tej të KLP dhe KLGJ, të cilët aktualisht janë të bllokuar për shkak të shfuqizimit të këtyre neneve nga Gjykata Kushtetuese. Ne kemi qenë dhe jemi të sinqertë në propozimet tona. Nuk kemi absolutisht asnjë lloj karte politike që mund ta përdorim. Ne duam që të zbatohet Reforma në Drejtësi. I vetmi njeri që e ka kapur Reformën në Drejtësi dhe e ka përdorur Reformën në Drejtësi për interesat e veta është z. Rama. Meqënëse po themi mazhoranca e quan lojë politike, atëherë unë po i përmend: menjëherë pas zgjedhjens së Prokurores së Përgjithshme, ne kemi kthimin e pashaportës të z.Tahiri, lirimin e Orest Sotës, përgjysmimin e Mark Frrokut, lirimin e të dënuarve të ngjarjes së Xibrakës dhe shumë çështje të tjera të cilat bëjnë të dyshojnë, pra mosreagimin e prokurorëve në seancat gjyqësore të këtyre çështjeve që janë mjaft të përfolura bëjnë të dyshojnë që Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme pra po ta quajmë kështu. Edhe duhet ta vendosim në Kushtetutë Kryeprokuroren e Përkohshme, se nuk e kemi si term. E kemi si term vetëm kur i ndërpritet mandati Prokurorit të Përgjithshëm por jo kur i mbaron mandati Prokurorit të Përgjithshëm. Dhe vetë Prokurorja dje, znj.Marku tha që problemi nuk ka të bëjë më emrin tim, por ka të bëjë me mosfunksionimin e zgjedhjes sime, pra mënyra e saj që ishte jashtë kornizave Kushtetuese. Pavarësisht nga kjo ne e themi përsëri, jemi të hapur për tu ulur dhe për ta futur parlamentin në shinat Kushtetuese, sepse vetë historia politike e z.Rama tregon që ka një destabilitet mendor të cilin e ka kthyer tashmë në një instrument të uzurpimit të institucione shtetërore. Ky destabilitet mendor që ka, detyroi Visho Ajazin të jap dorëheqjen, më pas uzurpoi Prokurorin e Përgjithshëm, më pas kërkon të kap të gjitha institucionet e tjera të drejtësisë, siç ishte rasti i KLP dhe KLGJ dhe shumë të tjera. Tani do të marri edhe Federatën e Futbollit, ka dashur të marri Universitetin Shtetëror e të gjitha me rradhë. Pra kemi një person i cili ka probleme shumë të mëdha, por problemet e tij nuk kanë pse të jenë problemet e shqiptarëve. Kështu që ne jemi shumë të qartë dhe shumë të hapur në këtë drejtim.

Znj. Kryemadhi gjithë vëmendja kryesore është përqendruar në 27 Janar kur opozita ka thirrur në një protestë të madhe qytetarët. A do të kemi të njëjtin skenar si në protestën e mbajtur më 18 Dhjetor jashtë parlamentit pra a do të ketë një tentative për tu future në godinën e kryeministrisë ashtu siç pati më 18 dhjetor. Dhe a do kemi shfaqje dhune të paktën nga ana e protestuesve?

Në fakt shqiptarët janë aq të lodhur dhe aq të zhgënjyer përsa i përket situatës politike dhe me klasën politike mbi të gjitha. Dhe ne me protestën e 27 Janarit  do të jetë një protestë paqësore ku të gjithë shqiptarët që ndihen të varfër, të pashpresë, që kanë shumë pak mundësi punësimi, që paguajnë më shumë para, që ju rri taksidari i qeverisë te koka, për të gjithë ata biznesmenë që ju rrezikohen bizneset, e tyre për të gjithë ata njerëz të cilët nuk shikojnë më asnjë shpresë por duan të ikin nga sytë këmbët sa më përpara nga Shqipëria, i ftojmë që në datën 27 Janar të protestojnë më prezencën tonë për ti treguar Edi Ramës që shumica e shqiptarëve janë kundër tij. Edhe pse ai kërkon t’ju blejë varfërinë me paratë e drogës shpirtin nuk jua blen dot. Gjëja tjetër që dua të them në fakt në imazhin e shqiptarëve është krijuar gjithmonë ideja e protestave të dhunshme, duke pasur parasysh që dhunën në protesta e solli z.Rama në 21 Janar, I cili ishte shembulli më i keq për të treguar se si protestohet. Protesta e 18 Dhjetorit ka qenë një protestë shumë paqësore. Nëqoftëse flakadanët i quan bomba, gazlotsjellësi është çështje, nuk po them çështje botëkuptimi, por është çështje interpretimi dhe çështje informacioni. Mendoj që policia dhunoi disa gra dhe vajza, gjë që normalisht njerëzit I irritojnë. Dhuna nuk është nga njëra anë, dhuna vjen kush e provokon dhe Policia duhet të jetë shumë e kujdesshme për të mos provokuar qytetarët, sepse nëse është shumë normale që nëse prindërit e tyre do të shikojnë që fëmijët e tyre dhunohen në mënyrë të padrejtë nga policia, nuk ka prind që ta pranojë dhe ta suportojë. Ndërkohë nga ana tjetër rrugët e Tiranës, dhe jo vetëm të Tiranës por të të gjithë Shqipërisë janë rrugë për të ecur qytetarët, por janë rrugë dhe për të protestuar, sepse ne pretendojmë që jemi një vend demokratik. Në fakt në situatën që ne gjendemi, Shqipëria është  një vend hibrid, nuk është vend demokratik. Është midis diktaturës dhe uzurpimit të shtetit nga një organizatë e strukturuar kriminale, e cila është bërë çdo ditë e më shumë më e rrezikshme.

Znj.Kryemadhi opozita nga njëra anë flet për reformat kryesore siç është reforma në drejtësi apo reforma zgjedhore dhe që lidhen me integrimin e vendit, por nga ana tjetër ka shpallur një klimë mjaft të acaruar me mazhorancën ku kërkohet largimi i Kryeministrit. A mendoni se mund të funksionojnë të dyja, pra nga njëra anë më 27 Janar kërkohet largimi I kësaj qeverie dhe krijimi i një qeverie Antimafie dhe nga ana tjetër të flasim për vijimin e Reformave?

Unë mendoj që shqiptarët janë të manipuluar përsa i përket Reformës në Drejtësi. Personi I cili e ka frikë Reformën në Drejtësi dhe nuk e zbaton është Edi Rama dhe nuk është opozita. Është I vetmi person, I cili ka më shumë nga të gjithë në pushtet, ka qenë tre vjet ministër kulture, ju jeni shumë të rinj, besoj nuk e mbani mend, se si është akuzuar edhe nga ish-ministrat socialistë të kulturës, për dosjet e të famshmeve fasada të ministrive, që edhe sot e kësaj dite, ajo dosje nuk është mbyllur dhe është e hapur në Prokurorinë e Tiranës. Ashtu sikurse ka qenë dhe tre herë kryetar i Bashkisë, dhe të gjithë qytetarët e Tiranës e shikojnë se si është betonizuar dhe se si është zhvilluar në mënyrë komplet të padrejtë nga ana urbanistike Tirana. Ka 5 vjet kryeministër dhe të gjithë e dimë mënyrën se si funksionon. Kemi të bëjmë me një kryeministër mediokër dhe mjeshtër të mashtrimit, që flet dhe qan për hallet e shqiptarëve, por besoj të gjithë e keni parë mbledhjet e famshme të qeverisë, pra cirkun e tij shëtitës nëpër Shqipëri. Do tju sugjeroja që po të investigonit dhe po të kërkonit do të shikonit që të gjithë ministrat dhe zëvendësministrat kanë shofer, të cilët flenë. Edhe ministrat flenë, të cilët asnjëri nuk paguan me paratë e tyre, por me paratë e shtetit. Pra qeratë e sallave, drekat, darkat, karburanti i makinave, dietat, ku ndërkohë ti ke një institucion që është godina e Kryeministrisë për të mbledhur dhe për të bërë mbledhjet e qeverisë. Ky njeri që përlotet dhe qan për hallet e shqiptarëve, të cilët nuk kanë mundësi për të zgjidhur hallet e tyre, pra që bën shoë mediatik me një element të caktuar, është sa 1/10 e shpenzimeve që ai bën për një shëtitje të cirkut të tij nëpër Shqipëri. Përsa i përket varfërisë që u ka shkaktuar shqiptarëve, nuk ka lidhje fare me Reformën në Drejtësi. Reforma në Drejtësi është  një element që z. Rama kërkon ta përdorë si  mburojë të vetes së tij dhe uzurpimit që I ka bërë krimi i organizuar Shqipërisë. Ajo çka dua të them dhe që është shumë e rëndësishme është se protesta e shqiptarëve për papunësinë, për çmimet e larta , për varfërinë, edhe po të dojë ta ndali opozitën, nuk kanë për ta ndalur vetë qytetarët. Opozita mund të bëhet pjesë e kësaj proteste, dhe pse jo të jetë edhe organizatore, nuk ka asgjë të keqe, por është shumë e rëndësishme që mesazhi që u jepet qytetarëve, mesazhi që u jepet shqiptarëve, është një mesazh që ka të bëjë për të mësuar shqiptarët se si të protestojnë. Nuk kemi ne pse të presim deri sa ne të shkojmë në momentin e fundit, deri në shpërbërjen e këtij vendi, në destabilitetin përfundimtar të këtij vendi, pra që Shqipëria të kthehet në një eksportues destabiliteti, ndërsa deri më sot ka qenë një nga kontribuesit kryesorë të stabilitetit në rajon dhe të presim që z.Rama ta shkatërrojë këtë gjë, e cila është ndërtuar me shumë mund në 27 vitet e tranzicionit. Ne kemi krijuar një tranzicion politik në Shqipëri, por faktikisht në të gjithë këto vite tranzicioni, Shqipëria ka qenë një nga kontribuesit kryesorë të stabilitetit në rajon.

Znj.Kryemadhi, socialistët etiketojnë veprimtarinë e opozitës, protesta, si një hap të garnizonit ÇÇ e quajnë ata, “çadër çizme”, që bllokon integrimin e vendit. A mendoni ju se opozita po mban përgjegjësi për të mos ndikuar negativisht tek integrimi i vendit, një process në fakt i cili pritet të ketë  një hap të rëndësishëm në pjesën e parë të këtij viti.

Nuk e mbaj mend mirë datën, por diku rreth datës 10 Dhjetor, në mes të Brukselit, Z.Rama kërcënoi hapur Bashkimin Europian, ku tha se ne kemi oferta të tjera përsa i përket Bashkimit Europian, në drejtim të kundërt. Qoftë nga vende radikale fetare apo dhe institucione apo shtete të tjera që nuk kanë lidhje absolutisht me aspiratat e shqiptarëve. Mua nuk më mbetet gjë tjetër veçse të ngërdheshem dhe të zbavitem me ankthin e z.Rama, i cili gjen suflerë, që do ishte shumë mirë njëherë që të përballen me drejtësinë, sepse kanë drejtuar institucione pa qenë të diplomuar në shkollat e tyre. Pra kur flasim për njerëz të pashkolluar, duhet të jemi shumë të vëmendshëm, që akuzat kur t’i ngremë t’i shikojmë dhe nga vetja jonë, sepse është si puna e asaj që e ngre kokën lart dhe të bie mbi fytyrë. Kështu që u them kolegëve të mi të Partisë Socialiste, të cilët nuk kanë asnjë lloj lidhje me Rilindjen, sepse po të shikosh të gjithë socialistët e vërtet nuk i ke pjesë të të gjithë akuzës që bëj ndaj mazhoranës, sepse ata që e ndjejnë më shumë nga të gjithë presionin dhe devijimin që ka marrë Partia Socialiste, por për atë sekt kriminal të Rilindjes, i cili është në duar të disa njerëzve. Edhe pushteti I sotëm është në duar të disa njerëzve që nuk kanë lidhje me Partinë Socialiste. Socialistët e vërtet sot I ke në rrugë. Socialistët e vërtet do ti kesh në datën 27 Janar në rrugë, të cilët ndihen të zhgënjyer nga qeverisja e Rilindjes. Ajo çka dua të them dhe që është shumë e rëndësishme është se ÇÇ-ja, ata e dinë shumë mirë dhe do ta marrin shumë shpejt përgjigjen përsa I përket edhe Çadrës , edhe çizmes. Çizmes së krimit të organizuar me çizme do ti përgjigjen shqiptarët dhe Z.Rama e di më mirë nga të gjithë.

Nëse mazhoranca nuk i merr parasysh amendamentet tuaja për Kushtetutën dhe ligjit për Prokurorinë, a do të merrni pjesë në procesin që do të nisë në Komisionin e Ligjeve brenda dy ditëve për ngritjen e KLP-së dhe KLGJ-së?

Ne do të konsultohemi bashkarisht si opozitë përsa i përket hapave të tjerë, por nuk ka arsye qoftë llogjike, por qoftë edhe juridike që mazhoranca të mos marrë parasysh amendamentet që ne kemi paraqitur përsa i përket akteve nënligjore të funksionimit të KLP-së dhe KLGJ-së. Unë them që mosmarrja përsipër e kësaj tregon hapur që Partia Socialiste është në favor të të gjithë propozimeve që kemi bërë ne, por sekti kriminal I Rilindjes do të jenë ata që do ta drejtojnë për të mos ndodhur kjo gjë. Aktet nënligjore janë akte që I japin zgjidhje dhe vazhdimësisë së punës së Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor. Edhe rasti i denoncimit që është bërë dje, përsa i përket kandidaturave të Shoqërisë Civile, ku OMN-ja pra, Bashkimi Europian, ajo që u tha pak më përpara që Edi Rama qenka pro Bashkimit Europian dhe ne qenkemi kundër Bashkimit Europian, Bashkimi Europian ka skualifikuar për shkak të integritetit të figurës së tyre, për shkak të problemeve që ata kanë në kushtet që kemi vendosur për kriteret e anëtarëve që duhet të jenë anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Dhe Sekretari i Përgjithshëm i Parlamentit, i cili ka problemet e veta përsa i përket Vettingut, duhet të vetohet edhe ai se çfarë përfaqëson. Të mos harrojmë se Sekretari i Përgjithshëm I Kuvendit, ai që përgatit listat për KLP-në dhe KLGJ-në, mos të harrojmë që është një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Sajmir Tahirit, sepse ka qenë Sekretari I Përgjithshëm në Ministrinë e Brendshme. Pra z.Genc Gjonçaj ka qenë një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të z.Tahiri, jo vetëm përsa i përket emërimeve në polici, sepse emërimet në polici, ai I ka bërë me Policinë, por përsa i përket të gjithë evazionit fiskal dhe të gjithë korrupsionit të brendshëm për tenderat e Ministrisë së Brendshme, të cilat janë firmosur dhe vulosur me vulën e z.Gjoncaj. Rasti i kundërshtimit të OMN-së nuk ka bërë vaki në asnjë Kushtetutë të botës, siç kemi shkruajtur ne në Kushtetutën që kemi miratuar me 140 vota, kemi shkruajtur që kemi Mision Ndërkombëtar për vëzhgimin e zgjedhjeve të strukturave apo të organeve të sistemit të Drejtësisë. Kështu që ne kot e paskemi marrë OMN-në, kot e paskemi pranuar OMN-në, kot Bashkimi Europian paska harxhuar me qindra mijëra euro për të paguar këta ekspertë të OMN-së për të zgjedhur dhe për të bërë sugjerimin përsa i përket kandidaturave të KLP-së. Del Genc Gjoncaj, një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Sajmir Tahirit dhe e hedh poshtë të gjithë konsulencën e OMN-së dhe vendos konsulencën e tij mbi konsulencën e Bashkimit Europian.

Prandaj dhe ne duhet të jemi shumë të hapur me qytetarët, për të treguar se si Reforma në Drejtësi është e kapur nga një grup i strukturuar kriminal dhe opozita po ofron një kompromis, po ja ofron Partisë Socialiste, jo sektit kriminal të Rilindjes, po i ofron një shans për të ndryshuar dhe për ta future në shinat kushtetuese Reformën në Drejtësi. Këtë Reformë të cilët shqiptarët mezi e kanë pritur, por nuk kanë luftuar, edhe deputetët e Parlamentit të kaluar, nuk kanë votuar për ta kaluar këtë reformë në duart e këtij grupi të strukturuar kriminal.

Mos jeni pak kontradiktore kur i jepni të drejtë BE-së për OMN-në, por nuk i jepni të drejtë BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës përsa i takon qëndrimit për zgjedhjen e Kryeprokurores së re të Përkohshme, të cilat të dy ambasadat më të rëndësishme në vendin tonë e kanë përshëndetur dhe nuk e kanë kundërshtuar.

Kanë përshëndetur largimin e Kryeprokurorit tjetër, nuk përshëndetur zgjedhjen e Kryeprokurores së Përgjithshme. Këto janë dy gjëra të ndryshme, është tjetër kur përshëndet largimin dhe është tjetër kur përshëndet zgjedhjen e saj. Po të shikoni dhe deklaratat e Ambasadorit Amerikan pas takimit që ka bërë me Kryeprokuroren e Përgjithshme znj. Marku ku ai I thotë që është nën vëzhgim. Dhe znj.Marku është nën vëzhgim. Nuk ka të bëjë me individin, por ka të bëjë me procesin. Dhe vetë znj.Marku në bashkëbisedim me gazetarët e pranoi që zgjedhja e saj ishte jashtë kuadrit kushtetues.

Burimi:(integrimi.al/E.P)

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al