Monika Kryemadhi: Protestojmë më datë 27 Janar për t’ju rikthyer njerëzve besimin dhe shpresën për të ardhmen e tyre dhe fëmijëve të tyre

 

Fjala e Kryetares së LSI-së në takimin me strukturat në Njësinë nr. 8

Unë dua t’ju falënderoj të gjithëve për pjesëmarrjen në këtë takim, por edhe për nxitjen që na jepni çdo ditë me angazhimin tuaj, telefonatat tuaja, me mesazhet tuaja, me qëndrimin tuaj pranë nesh, që na jep zemër dhe na frymëzon për të arritur ato objektiva që ne duam të kapim. Në fakt, Lëvizja Socialiste për Integrim është një realitet politik sot në Shqipëri, gjë të cilën nuk e mohon dhe nuk e fsheh dot askush. Përveç kësaj, janë të detyruar ta pranojnë, të mëdhenj dhe të vegjël, të jashtëm dhe të brendshëm, një gjë tepër e rëndësishme kjo. Por, nga ana tjetër është edhe motivuese për ne drejtuesit e LSI-së. Është motivuese, sepse tani LSI-a nuk është thjesht një strukturë politike, por mbi të gjitha është një përfaqësi e një grupi të caktuar njerëzish, të cilët besojnë dhe e vlerësojnë Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe më datën 25 qershor i dhanë 226 mijë vota. Dhe mbi të gjitha në një moment kur ishte përballë një sulmi, represioni dhe një angazhimi të jashtëzakonshëm të bandave dhe krimit të organizuar, për të uzurpuar dhe tjetërsuar votën e shqiptarëve. Pavarësisht nga kjo, ne jemi këtu ku jemi sot. Edhe pse përballemi me një qeverisje, e cila nuk është gjë tjetër veçse një telekomandë në dorën e krimit të organizuar. Ashtu sikurse e pamë edhe sot nga lajmet e fundit, rrjeta e peshkut u ça dhe peshku i madh iku, doli nga sistemi i drejtësisë, tashmë është i lirë. Dhe sa e sa të tjerë janë në këtë rrugë. Pra, të gjithë atë uzurpim të institucioneve shtetërore, tashmë edhe uzurpimi i reformës në drejtësi, nuk ka për të sjellë gjë tjetër, veçse varfërimin e vendit, por edhe një shpopullim dhe një shpërngulje totale, sidomos të rinisë shqiptare. Unë nuk do doja të bëja shumë moral, sepse sot nuk është koha për të bërë moral, por është koha për të zgjuar të gjithë njerëzit, për të trokitur shtëpi më shtëpi, derë më derë, për të folur me njerëzit nga afër, për të mos ndaluar në asnjë moment për të luftuar të gjithë së bashku që më datën 27 janar, në orën 12, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të protestuar. E them për të protestuar jo nën flamujt e partive politike, as nën flamurin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, por për të protestuar të gjithë si shqiptarë, për t’u thënë atyre që nuk kanë vesh të dëgjojnë dhe sy të shikojnë, që shqiptarët janë një popull me të cilin nuk mund të bësh ç’të duash. Nuk mund t’i tjetërsosh, nuk mund t’i shfrytëzosh. Janë një popull i vogël, por me zemër të madhe, në bazë të së cilës kanë shtuar vlerat e kombit shqiptar. Mendoj që ne kemi shumë arsye për të protestuar më 27 janar. Një nga këto arsye në këtë zonë ka të bëjë me situatën e legalizimeve, mashtrimi që u është bërë banorëve me legalizimet, por edhe sjellja jo normale ndaj tyre. Ne jemi takuar me shumë prej jush, kemi biseduar edhe për Unazën e famshme. I dimë shumë mirë problemet, vuajtjet dhe stërmundimet që kanë pasur banorët këtu. Edhe pse kursimet e jetës së tyre, ose të fëmijëve të tyre me vite të tëra në emigracion i kishin hedhur në shtëpitë e tyre, ashtu sikurse jo vetëm që nuk ua rimbursuan shtëpitë, por i sollën nuk e di nëse dhe sot e kësaj dite ata kanë mundur t’i marrin shpërblimet ose dëmshpërblimin e shkatërrimit të tyre. Edhe pse rruga dhe bulevardi është i domosdoshëm për zhvillimin e një qyteti, dhe për zhvillimin e kryeqytetit, pavarësisht nga kjo, shteti ka detyrime ndaj qytetarëve, sepse unë besoj se nuk ka shqiptar, i cili nuk paguan taksat, i cili nuk ka detyrime ndaj shtetit, sepse shqiptarët edhe kur nuk kanë pasur bukë të hanë, nëse nuk paguanin dot 5 mijë lekë të vjetra energji elektrike, burgoseshin ose ndiqeshin penalisht e kështu me radhë kalonin në kalvarin e vuajtjeve të sistemit tonë të famshëm të drejtësisë. Ka arsye pafund për të protestuar, ka arsye për të gjithë ata nxënës për të qenë të lirë në studimet e tyre dhe jo të mbeten peng i orientimit, uzurpimit apo presionit të mësuesve të tyre politikë. Për të gjithë ata të sëmurë, të cilët duan të marrin shërbimin falas për të cilin iu është premtuar prej kaq vitesh, jo vetëm që nuk iu është bërë falas, por iu është bërë më i shtrenjtë dhe përveçse paguajnë ata që janë të sëmurë, po paguajnë dhe ata që nuk janë të sëmurë. Unë jam e bindur se shumica juaj këtu që janë mbi moshën 40 vjeç, asnjë nuk ka bërë check up falas. Edhe pse nuk e ka bërë asnjë nga ne atë kontrollin mjekësor falas, qeveria shqiptare i ka dhënë koncensionarit 12 euro për person. Edhe nëse asnjë nga ju nuk e ka bërë. Ashtu siç dëgjojmë dhe premtimet e famshme vazhdojmë dhe një koncesion tjetër, sot sapo ju vodh prapë 100 milionë të tjera shqiptarëve me aeroportin e famshëm të Vlorës, që iu dha me koncesion një kompanie private turke, por të gjitha këto para’ me të cilat do të ndërtohet ky aeroport do të jetë nga paratë e taksapaguesve shqiptarë. Edhe pse do jetë aeroport privat, taksapaguesit shqiptarë do jenë ata që do paguajnë. Pra, nis ky dyqani është privat, ti mund të vish këtu dhe mund të blesh diçka, por e paguan për shërbimin, por edhe nëse ti nuk hyn fare në këtë dyqan, ti do paguash sipas koncesionit, të cilit sapo Kryeministri Rama i ka dhënë një kompanie private turke, e cila mund të jetë një kompani shumë serioze, por përse ajo duhet të marrë 100 milionë euro shqiptarëve në vite. Është shumë e tmerrshme. Koncesionet e famshme që çdo ditë e më shumë i kanë varfëruar shqiptarët, koncesione në shëndetësi, koncesione në arsim, koncesione në infrastrukturë, koncesione në sigurinë ushqimore, në sistemin fiskal, që po kërkon t’iu vendosë bizneseve të vogla TVSH e famshme, që jo vetëm shkakton rritjen e çmimeve, por do çojë drejt falimentimit shumë prej bizneseve të vogla, të cilat mbajnë shpirtin me bukë për familjet e tyre. Edhe këtë sistem, ai do kërkojë ta kalojë me koncesion për shkak të mungesës së stafit për ta administruar. Ka pafundësisht probleme, arsye që na bëjnë të dalim në bulevard më datën 27 janar për të protestuar. Por mbi të gjitha do doja t’iu bëja një thirrje grave që Zoti u ka dhënë mundësinë të jenë nëna që një nga arsyet që duhet të protestojnë duhet të jetë për shkak të dhimbjes që duhet të ndiejnë se fëmijët e tyre po largohen çdo ditë e më shumë, të heshtur, për të mos t’u kthyer më, sepse në Shqipëri nuk shohin më asnjë mundësi shprese, asnjë mundësi të mbijetesës së tyre. Sot më erdhi një miku im dhe juaji, Klajdi Musabelliu, i cili më tha: Monika do vij të të takoj, të përshëndes, sepse më datë 31 janar kam prerë biletën për t’u shpërngulur. Përse? Sepse fatkeqësia e tij është se ka mbaruar një shkollë për komunikim mediatik dhe është një këngëtar i talentuar. Fatkeqësia tjetër ishte se ai është anëtar i LSI-së, ku Kryeministri ynë i famshëm e shkarkoi për të vetmen arsye se ky njeri nuk kishte të njëjtën bindje politike si Edi Rama. Këto gjëra kanë ndodhur në kohën e komunizmit dhe të diktaturës, por përveç kësaj, ato po ndodhin edhe sot, në kohën e diktaturës së krimit. Ajo është po aq e keqe, por edhe më monstruoze se diktatura komuniste, që ne kaluam në 50 vite. Kjo e sotmja është një diktaturë, e cila në thelb të saj ka krimin, shpërbërjen e një vendi dhe kthimin e këtij territori në një kështjellë të krimit të organizuar, të trafikut të drogës dhe të prodhimit të destabilitetit rajonal. Nuk do doja të zgjatesha shumë, por do doja që çdo orë që na ka mbetur deri ditën e shtunë, të punojmë pafundësisht për të njoftuar njerëzit dhe për t’i ftuar ata që të marrin pjesë në protestë më datë 27 janar. Duhet të protestojmë edhe për një arsye tjetër madhore, me një ndjenjë kombëtare për të ngritur tashmë jo më flamujt e partive politike, por flamurin e shpresës, për t’i kthyer shqiptarëve besimin. Ata kanë shumë të drejtë që të jenë mosbesues, po ne duhet të rikthejmë besimin, ta përmbysin këtë lloj klase politike dhe të sjellim një situatë të re dhe njerëz të rinj, që jo vetëm do ringjallin shpresën për qytetarët, por mbi të gjitha do ringjallin të ardhmen e fëmijëve tanë për të jetuar sa më të qetë dhe të begatë në Shqipëri. Ky është një vend i bekuar nga Zoti, por në fakt na ka dhënë një klasë politike, e cila në këto 27 vjet prodhoi vetëm destabilitet politik. Unë marrë përsipër edhe fajet e mia dhe duhet të reflektojë, duke punuar me dashuri për zhvillimin e vendit dhe për shqiptarët, të cilët janë të lodhur nga politika. T’i rikthejmë shqiptarët që të protestojnë, sepse vetëm duke protestuar ne mund t’u japim shanse njerëzve që ky vend mund të bëhet. Për një vend demokratik, që ne kemi aspiruar gjithnjë, njerëzit duhet të protestojnë. Nëse njerëzit nuk e bëjnë këtë gjë e nuk ndihen të lirë të flasin, atëherë ky nuk mund të jetë një vend demokratik, por mund të jetë një shtet që ka vetëm drogën, të vendosur në një vend kaq të vogël si Shqipëria.

Burimi: (integrimi.al/T.I)

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al