Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka reaguar për qëndrimin e Qeverisë Shqiptare në OKB. Në një reagim në Facebook ajo shprehet se një vendim i tillë duhet të ishte konsultuar me të gjithë faktorët. “Trajtimi i votimit në OKB për Jerusalemin duhet të ishte pa as më të voglin diskutim një vendim i të gjithë shqiptarëve dhe ashtu sikur se kemi ndarë shqetësimet tona më madhore duhet ta ndanim edhe këtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të kishim patjetër edhe mendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”,- shprehet Kryemadhi.
Më poshtë keni statusin e plotë:
Asnjë marrëdhënie dhe asnjë raport i Shqipërisë nuk mund të krahasohet me atë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat kanë shënjuar momentet më kritike në historinë e popullit tonë dhe ku përjetësisht Amerika ka qenë në anën e Shqipërisë.
E tillë ka qenë Amerika që në kohën kur mbrojti integritetin e kufijve të Shqipërisë, kur mbështeti shembjen e komunizmit, kur nxori Shqipërinë nga kriza e tmerrshme e vitit ‘97, kur ishte SHBA që anëtarësuan Shqipërinë në NATO, kur ishte SHBA pashaporta e Shqipërisë edhe për Integrimin Europian dhe kur SHBA udhëhoqi një nga arritjet më madhore në historinë e të gjithë Shqiptarëve kudo që ndodhen, duke i dhënë pavarësinë Kosovës e duke e shpëtuar nga kthetrat e genocidit Serb.
Ndaj vendimi për Amerikën s’ka për të qenë kurrë vendimi i një qeverie por përgjegjësi e mbarë shqiptarëve kudo që ata jetojnë, pasi kjo marëdhënie është një realitet dhe një trashëgimi e paçmueshme.
Trajtimi i votimit në OKB për Jerusalemin duhet të ishte pa as më të voglin diskutim një vendim i të gjithë shqiptarëve dhe ashtu sikurse kemi ndarë shqetësimet tona më madhore, duhet ta ndanim edhe këtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të kishim patjetër edhe mendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Një vendim vetëm i Ramës është thjesht dhe vetëm krijimi i një paqartësie të madhe, krijim i raportit të dyshimtë dhe ushtrim i njëanshëm i një përgjegjësie, që nuk është as e Kryeministrit dhe e asnjë ministri pasi marrëdhënia me Amerikën do të jetë madhore, strategjike dhe e patjetërsueshme cilido qoftë kryeministri, ministri apo pushtetari i radhës.