Monika Kryemadhi: Reforma në drejtësi pa LSI nuk do bëhej dhe nuk do të ishte e realizuar. LSI ka qenë një nga forcat politike kryesore dhe ndërhyri jashtëzakonisht fort për miratimin e Kushtetutës me konsensus

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi në një intervistë të dhënë për televizionin “Ora news” me gazetaren Ilva Tare ka folur mbi gjendjen e politikës së vendit sot dhe për Reformën në Drejtësi. Sipas Kryemadhit, Reforma në Drejtësi nuk do të ishte realizuar pa LSI-në dhe se opozita do ti japë edhe një shans të fundit qeverisë për të treguar se duan ta zbatojnë reformën.

Më poshtë keni intervistën e plotë:

Ka pasur një zhvillim për ngritjen e KLP-së dhe KLGJ-së dhe opozita ka marrë pjesë sot në komisionin e posaçëm. Kjo do të thotë se tashmë do të votoni në këtë proces?

Ajo çka dua të them është që opozita ka paraqitur ditën e hënë në Parlament dy amendamente dhe një letër drejtuar Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, për sa i përket rikthimit të parlamentit në shtratin kushtetues dhe ajo që ndodhi më 18 dhjetor, le të themi, një rrënim i Kushtetutës, e cila u miratua me 140 vota nga të gjithë deputetët e Kuvendi, më datë 21 korrik duke gdhirë data 22 të 2016. Pra, ajo çka ndodhi më 18 dhjetor shënoi një kapje të kësaj reforme. Ku ndërkohë opozita, për t’i dhënë shansin edhe njëherë mazhorancës të tregojë se ka vërtet dëshirë të tregojë një vullnet të pastër për të realizuar reformën, dhe për të ecur më tej me zbatimin e saj. Pra, për të mos treguar shenjat e kapjes ndaj sistemit, ose për të mos treguar frikën ndaj sistemit të ri të drejtësisë, ishte një shans që ne i ofruam, kur në fakt është një letër shumë e thjeshtë, e cila kërkon rikthimit të parlamentit në shtratin kushtetues dhe në ligjshmërinë e tij. Ashtu sikurse për të vazhduar për ngritjen e KLP dhe KLGJ në mënyrë institucionale për vetë faktin se Gjykata Kushtetuese ka sjellë një rrëzim të funksionimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe atij Gjyqësor. Janë dy nene, një për Prokurorin e përkohshëm, i cili nuk ekziston në Kushtetutë, kur i mbaron mandati, jo kur i ndërpritet. Domethënë ne nuk mund të përdorim dy standarde për një gjë, që është shkruar për të gjithë shqiptarët, pra që kërkon një barazi. Sepse ne nuk mund të themi që për politikën e përdorim, e shkelim Kushtetutën, ndërsa për qytetarët e thjeshtë nuk e shkelim. Ndërsa për sa i përket KLP dhe KLGJ janë dy nene, një nga këto ka 10 pika që bën funksionimin e KLP dhe KLGJ.

Do të kushtëzohet vota juaj në komisionin e posaçëm për ngritjen e KLP dhe KLGJ me ndryshimin e amendamentit kushtetues?

Kurrsesi nuk mund të funksionoj KLP dhe KLGJ, nëse nuk bëjmë ndryshimet Kushtetuese. Kryeministri Rama ditën e hënë, pa e lexuar se çfarë kishte propozuar opozita, ktheu një përgjigje dhe tha ne nuk e zbatojmë. Në qoftë se opozita pati për herë të parë një propozim në tryezë për mazhorancën, pra tregoi një vullnet të mirë. Është e sinqertë në atë që ofron, sepse nuk ka asgjë konspirative. Ka një material, besoj se mediat janë njohur me amendamentet, të cilat për herë të parë janë të shkruara. Një nga pikat është për zgjedhjen e Prokurorit të përkohshëm që të mos ketë mundësi, edhe opozita të përdori veton e saj, pra mos ta kushtëzojë veton për zgjedhjen, por të jetë e pavarur dhe të ketë edhe mekanizmin zhbllokues. Sigurisht që për sa i përket ndryshimeve në zgjedhjen e KLP dhe KLGJ, nëse do të rikthehet parlamenti në bazat e kushtetutshmërisë. Nëse të gjitha ndryshimet kushtetuese, të cilat ne i kemi miratuar me 140 vota, por mazhoranca kërkon t’i uzurpojë dhe t’i rrëmbejë atëherë është e kotë që të flasim, sepse të diskutosh me një strukturë, e cila ka kryer në puç institucional, është humbje kohe.

Jeni rakorduar me PD për qëndrimin që do të mbani në lidhje me Reformën në Drejtësi?

Patjetër që jemi rakorduar, sepse për sa iu përket qëndrimeve tona për Kushtetutën, janë shumë të rëndësishme. Dua të them që LSI ka qenë një nga forcat politike kryesore dhe ndërhyri jashtëzakonisht fort për miratimin e Kushtetutës me konsensus, sepse kjo është shumë e rëndësishme. Sepse ndryshime shumë të rëndësishme që kanë të bëjnë jo vetëm me sistemin në drejtësi për reformën në drejtësi, por dhe për integrimin Shqipërisë në BE janë shumë të rëndësishme miratimet e ligjeve në mënyrë konsensuale. Sepse një nga kushtet kryesore për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE është dialogu politik, i cili është shumë i rëndësishëm.

A keni mbështetjen e ndërkombëtareve në këtë iniciativë për të ndryshuar amendamentin kushtetues?

Unë sot kam hartuar një letër, të cilën nesër do ua drejtoj të gjithë ambasadorëve të BE, gjithë institucioneve ndërkombëtare, qoftë në BE, qoftë në institucione të tjera ndërkombëtare, për t’iu bërë të qartë kërkesat që ne si opozitë i kemi paraqitur. Ndërkohë jemi rakorduar dhe me PD që dhe ata nga ana e tyre të informojnë të gjithë ambasadorët e vendeve të BE që janë në Shqipëri, por jo vetëm ata, por dhe të gjithë institucionet e tjera ndërkombëtare, sepse është shumë e rëndësishme për t’i njohur me realitetin.

Nuk e njihnin kur e mbështetën në njëfarë mënyre, nuk njihnin realitetin?

Po sigurisht, sepse ne e kemi të shkruar në Kushtetutë që Prokurori zgjidhet me 84 vota. Dhe zgjidhet me konsensus.

Kemi pasur një interpretim të OPDAT…

Jo nuk ka qenë i OPDAT, ka qenë interpretim i EURALIUS, sepse OPDAT nuk është shprehur, për hir të së vërtetës. Është një letër që z. Ulsi Manja, në mënyrë individuale, jo si kryetar i Komisionit të Ligjeve. Sepse si kryetar i Komisionit të Ligjeve duhet të bëjë një mbledhje të komisionit.

Ka pasur dhe një qëndrim publik të ambasadorit amerikan më datën 7 dhjetor.

Ambasadori amerikan ka pasur një qëndrim publik për largimin e prokurorit, për mbarimin e mandatit të prokurorit të kaluar. Megjithatë, unë nuk besoj se ambasadori amerikan do t’i kërkoj parlamentit shqiptar që të shkelë Kushtetutën. Ne kemi qenë të gatshëm dhe ja kemi ofruar gjithmonë bashkëpunimin tonë si opozitë, për të zgjidhur këto ngërçe kushtetuese, të cilat janë shumë të rëndësishme, sepse ne nuk mund të përdorim dy standarde. Nëse ne iu themi shqiptarëve që do bëjmë reformë në drejtësi, reforma në drejtësi nuk është vetëm për hallexhinjtë. Reforma në drejtësi fillon në radhë të parë për klasën politike. Ne nuk mund të përdorim dy standarde. Për politikanët, për të korruptuarit, ne e shkelim Kushtetutën dhe të bëjmë sikur nuk shohim, ndërsa për hallexhinjtë i marrim i fusim në burg dhe i harrojmë nëpër birucat e burgjeve. Sepse e tillë është reforma. Shqiptarët nuk besoj se kanë aspiruar për një reformë në drejtësi, e cila ka dy lloj standardesh. Unë jam e bindur që komuniteti ndërkombëtar nuk mund ta thotë hapur dhe unë dua të dëgjoj ku kemi një deklaratë të ndonjë ndërkombëtari, që thotë shkelni Kushtetutën. Absolutisht. Nuk ja ka kushtëzuar njeri atyre emrin e Prokurorit të përkohshëm, pavarësisht se nuk ekziston, por ama është e thënë që Prokurori zgjidhet me veting. Në qoftë se ne të gjithë këtë histori që kemi bërtitur, ulëritur, kemi tre vjet që bërtasim vetingu, vetingu i famshëm, ne do bëjmë një veting. Por nëse ne reformën në drejtësi duam ta bëjmë siç u bë ‘policia që duam’ e Saimir Tahirit, atëherë bujrum le ta marrim, dhe të mbajnë përgjegjësi ambasadorë, ndërkombëtarë, kombëtarë, institucionalë, politikanë, kryeministër, media, çdo gjë. Por unë nuk besoj se shqiptarët duan që të kenë një reformë në drejtësi, të kemi prokuror dhe gjykatës siç kishim ‘policinë që duan”, që ishte e përfshirë komplet në trafikun e drogës dhe sot treçereku i policisë është në kërkim dhe ne nuk e dimë ku janë.

Rama është shprehur se LSI ka vepruar ‘hidhte gurin dhe fshihte dorën’ gjatë ditëve të negociatave të reformës në drejtësi. Keni ndonjë koment për këtë?

Nuk kam asnjë lloj komenti. Unë dua të them këtë gjë, që reforma në drejtësi pa LSI nuk do bëhej dhe nuk do të ishte e realizuar, pavarësisht se personit që nuk i ka interesuar për ta realizuar reformën në drejtësi ka qenë z. Rama. Kështu që, nuk kam ndërmend të nis diskutime personale me të. Kjo ka të bëjë me rolin që ka pasur LSI-a, e cila ka qenë një ndër rolet vendimtare, sepse qoftë departamenti i shtetit apo BE, por edhe ndërkombëtarët kërkonin që reforma në drejtësi të miratohej me konsensus. Mbaj mend tre ligjet e famshme para se Shqipëria të merrte statusin për vendin kandidat, të cilat duhej të miratoheshin me konsensus. Por mos të harrojmë edhe një gjë tjetër, që paketë e këtyre ligjeve ishte vendosur edhe rregullorja e parlamentit, të cilën LSI po të donte ia jepte votat PD në atë kohë dhe ta kalonte në një shumicë të thjeshtë. Por, jo pa qëllim rregullorja e vendit u fut pjesë e konsensusit, për të vetmen arsye sepse ishte shumë e rëndësishme për të pasur një mbarëvajtje dhe një ndërtim institucional të marrëdhënieve midis opozitë-mazhorancë-parlament. Mora vesh sot që PS paska bërë propozim për të ndryshuar rregulloren e parlamentit, gjë që është shumë e habitshme, por kjo tregon një lloj frike dhe uzurpimi. Me aq sa pashë kishte të bënte me heqjen e imunitetit dhe arrestimin e deputetëve. Nuk është se kam shumë dijeni, por me aq sa mora vesh ka të bëjë më paraqitjen e provave nëse kërkohet arrestimi i një deputeti nga Prokuroria. Por atëherë i bie që mos heqja e imunitetit dhe mos arrestimi i z.Tahiri ka qenë i paligjshëm. Pra i bie që parlamentin ta kthejnë në një formë gjykate, ku ne ndërkohë i kemi gjykata dhe parlamenti duhet të kryejë funksionin e tij.

Jemi pak ditë para protestës së opozitës PD-LSI, por ajo çka vihet re është se tonet janë më të qeta e më të zbutura krahasuar me protestën e parë. Keni ndryshuar strategji?

Unë jam shumë e qartë në qëndrimet e LSI-së. Gjithashtu, opozita është shumë e qartë sa i përket rolit të zbatimit kushtetues. Në fundit të fundit në politikë, kush e bën ndarjen e demokracisë nga diktatura? Sigurisht që kushtetuta dhe rregullat. Pse vendosen rregullat? Sigurisht që për t’u zbatuar. Ajo që është e rëndësishme është që, opozita, në një farë mënyre, është garanci e zbatimit të Kushtetutës dhe fjala e lirë është e vetmja gjë që ka opozita. Protestat janë e vetmja gjë që ka opozita në dorë. Protestat janë një instrument legjitim, jo vetëm i opozitës, por i çdo qytetari për të protestuar në një vend të lirë dhe demokratik. Në qoftë se Shqipëria nuk është një vend demokratik, por një vend diktatorial, atëherë të ndërrojnë ligjet, numrat në Parlament i kanë siç bënë me dhunimin e Kushtetutës më datë 18 dhjetor dhe kjo është shumë e thjeshtë. 18 dhjetori është vërtet shumë i rëndë. Nuk ka të bëjë as me Monikën, as me LSI-në, as me politikën, ka të bëjë me atë se çfarë do t’u ndodhë shqiptarëve nesër. Sepse kur një njeri kërkon të uzurpojë, jo vetëm institucionet kushtetuese dhe Kushtetutën ditën për diell, dhe na bën ne për budallenj, atëherë kjo tregon që jo vetëm ka rënë shteti, por ka rënë çdo gjë. Sepse, në fundit të fundit, Kushtetuta çfarë është? Garanci e zbatimit të ligjit.

A keni një skenar se si do të zhvillohet protesta e 27 janarit? A do t’i jepni ju garanci qytetarëve që do të duan të dalin të protestojnë se do t’i përmbaheni rendit kushtetues. A mund të ketë një rrëshqitje të situatës, që mund të degradojë deri në dhunë?

Dua t’ju them diçka tepër të rëndësishme që, protesta e 27 janarit është një protestë demokratike. Opozita është e detyruar nga kërkesa e qytetarëve. Sepse në takimet tona ne shikojmë vazhdimisht trishtimin dhe dhimbjen që kanë bizneset e vogla, për sa i përket rritjes së taksave. Shikojmë dhimbjen dhe humbjen e shpresës te të papunët, të cilët do të shohin këtu një mënyrë për të reaguar. Protesta e 27 janarit i përmbledh të gjitha, sepse varfëria, papunësia, mjerimi, krimi, dhuna, mungesa e shpresës ka sjellë që, gjithë këtë trishtim, që ka përfshirë gjithë shqiptarët, ta mundohen ta mbulojnë me shkeljen e Kushtetutës dhe dhunimin e saj. Çfarë e detyroi mazhorancën që më datën 18 dhjetor të bënte një veprim të tillë? Frika. Frika e protestës, frika e njerëzve. Kërkon të marrë instrumentin e Prokurorit të Përgjithshëm për të ushtruar dhunë dhe presion ndaj prokurorëve. Dhunë dhe presion ndaj bizneseve.

Nuk do të ndërhyjnë ndërkombëtarët, partnerët tanë strategjikë SHBA, BE, nëse vinin re që kjo mazhorancë po merr pushtetin, po shkel Kushtetutën…

Unë mendoj se z. Rama nuk mund të vazhdojë të fshihet pas kostumeve dhe fustaneve të ndërkombëtarëve. Por, sado që ai mundohet t’i manipulojë, sado që ai mundohet t’i keq-informojë, e them këtë me bindje sepse të gjitha kontaktet që ne kemi pasur me ambasadorë, apo edhe me përfaqësues të institucioneve të tjera ndërkombëtare, shikojmë dhe konstatojmë me bindje që ka një deformim qëkur ka filluar fushata zgjedhore dhe procesi i zgjedhjeve dhe përfundimi i këtij procesi, e deri tek ardhja e datës 18 dhjetor. Nuk di që të ketë një ndërkombëtar që t’i ketë thënë z. Rama që të zgjedhë kryeprokurorin me 69 vota. Ashtu sikurse EURALIUS, që ju përmendët pak më parë, është një institucion konsultativ, jo vendimmarrës. Për LSI dhe gjithë klasën politike, Komisioni i Venecias është kryesor. LSI ishte ajo që votoi 7 ligjet, që i dha 84 votat për votimin e 7 ligjeve dhe tregoi hapur që Partia Demokratike kishte shumë të drejtë që mazhoranca do të kërkonte ta përdorte për të kapur reformën në drejtësi, sepse një nga kushtet që ne kishim kush ishte? Zgjedhja e një kryeprokurori jo nga klasa politike.

 Rama i bëri disa thirrje publike opozitës për negociata.

Mesazhet qesharake të z. Rama në Facebook si “Luli lëri llafet dhe hajde voto” janë thirrje, të cilat e shtyjnë opozitën që të largohet nga tryeza e diskutimeve. Edi Rama kurrë nuk i ka ofruar opozitës, apo qoftë PD-së, seriozisht bashkëpunimin.

Si duhet ta shprehë seriozitetin?

Sepse ka institucione. Opozita i ka paraqitur 2 dokumente. Një letër z. Ruçi, të cilit i jepet shansi për të treguar edhe një herë që nuk është i kapur dhe që ka një lloj fisnikërie brenda vetes së tij dhe të tregojë që kërkon ta rikthejë në tempullin e demokracisë opozitën. Të mos ketë më marrëdhënie të kushtëzuar me Parlamentin. Të tregojë edhe një herë që nuk një vegël e një grupi të caktuar. Z. Rama e ka shumë të qartë, ai nxori z. Manja. Ulsi Manja mund të flasë si kryetar i Komisionit të Ligjeve, por ka një problem, që ai është për të drejtuar mbledhjen dhe jo për ta marrë vendime. Ka një sekretariat, ku është nënkryetari i komisionit dhe sekretari që marrin vendime për rendin e ditës, apo edhe për letrat e dërguara në mënyrë kolegjiale.

Protestat do të jenë periodike, për një kohë të pacaktuar, apo mbarojnë më 27 janar?

Ne do t’u përgjigjemi vullnetit të protestuesve. Ata do të jenë që do të vendosin. Nëse mazhoranca e mandateve të 25 qershorit nuk e ka kuptuar që ka hyrë në një rrugë pa krye për opozitën ka marrë fund roli i saj në parlament. Nuk mund të funksionojë më si një opozitë në një parlament, i cili nuk respekton Kushtetutën e vendit të tij. Kështu që absolutisht që opozita do t’iu drejtohet qytetarëve.

Ka dhe nga ata që e shikojnë edhe si një garë mes PD-së dhe LSI-së, apo jo?

Absolutisht që jo. Më shumë e shoh si një nxitje që po e bën Rama, sepse gjithmonë kërkon që nga gjëra shumë të rëndësishme ta kalojë vëmendjen në gjëra shumë të vogla. Është njeri i detajeve, por jo thelbësor. Opozita është një pjesë e protestës më 27 janar. Pjesa më e madhe do të jenë të gjithë ata njerëz, të cilët kërkojnë barazi në ekonomi, barazi në drejtësi, barazi në Shqipëri. Të gjithë duam të jemi njerëz të barabartë në një vend demokratik. Për këtë kemi luftuar 27 vite më përpara dhe vjen dita sot kur i rikthehemi të njëjtave kërkesa. Kërkojmë barazi për të ndërtuar një ekonomi të fortë, kërkojmë barazi për të zhvilluar një sistem arsimor të drejtë për të gjithë, kërkojmë një sistem drejtësie të barabartë për të gjithë, që institucionet shqiptare të jenë të barabarta për të gjithë.

Mund të më thoni si është gjendja në bazë të LSI-së?

Gjendja është shumë e mirë. Ajo që më bën më shumë përshtypje është njerëzit janë pak më agresivë se jam unë.

Drejtorët e LSI-së janë akoma?

Dua të them diçka për këtë çështje, sepse është abuzuar shumë. LSI ka pasur pozicionin e saj në qeverisje, qoftë me PD-në, apo qoftë me PS-në. Dua të them që kontributi i saj në qeverisje ka qenë shumë domethënës për sa i përket realizimit. Për drejtorët që thatë ju mund të them që drejtorët u hoqën menjëherë pas marrëveshjes së 17 majit.

Burimi: (integrimi.al/T.I)

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al