Monika Kryemadhi: Shqipëria i vetmi vend, që shqiptarët ushqehen me më pak se 2 dollarë në ditë!

Gjatë një lidhjeje direkte për emisionin “Opinion” në Tv Klan, kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, znj Monika Kryemadhi theksoi se një qeveri që nuk është e kapur nuk krijon varfëri dhe pasiguri për qytetarët e saj.

Më poshtë deklarata e plotë:

Znj. Kryemadhi, mazhoranca ka refuzuar prokurorinë për çështjen “Tahiri”. Çfarë do të bëjë opozitë për këtë çështje? Çfarë sjellje do të ketë në vazhdim opozita?

E kam thënë gjithmonë dhe dua ta ritheksoj se çështja “Tahiri” është hallka e fundit e gjithë zinxhirit kriminal që ka përfshirë qeverinë shqiptare. Historia e kësaj situate që ne kemi sot po kthehet gjithnjë e më shumë në politikë. Po bëhet politikë për të mbuluar shumë gjëra të tjera që janë shumë më të tmerrshme.

Çfarë gjërash të tmerrshme znj. Kryemadhi?

Unë mendoj se qeveria shqiptare është e kapur nga krimi dhe shqiptarët janë gjithmonë e më të varfër, janë më të papunë, shqiptarët po largohen çdo ditë e më shumë nga Shqipëria. Një qeveri që nuk është e kapur nuk krijon varfëri dhe pasiguri për qytetarët e saj.

A keni fakte konkrete? A disponon opozita fakte të tjera?

Nëse unë do të kem fakte do t’i drejtohem menjëherë Prokurorisë dhe nuk do të bëj thjeshtë përfaqësuesen mediatike. Unë nuk jam as gazetare e kronikës, as gazetare investigative. Unë përfaqësoj një grup të caktuar politik, përfaqësoj 225 mijë e 73 qytetarë që kanë votuar LSI-në. Kjo më bën të nderuar dhe gjithmonë do të denoncoj dhe do të ngre zërin për çdo gjë të padrejtë. Sa i përket ditës së djeshme në Kuvend unë mendova se PS do të ishte më realiste në vendimin e saj. Duhet të ishte më e drejtpërdrejtë në qëndrimin e saj në lidhje me z. Tahiri.

Ajo ka dhënë autorizimin për kontroll banese por jo për arrestimin.

Edhe Zotit në fakt 7 ditë ju desh për të krijuar botën, 7 ditë iu desh edhe prokurorisë për të bërë kontrollin e ‘befasishëm’ të banesës Tahiri. Diskutuam me ditë të tëra dhe ndodhi kështu. Këto janë lojëra politike. Jam në një pikë dakord me z. Hoxha, kur thotë se të gjithë duhet të shkojnë përpara drejtësi. Sepse faktikisht është luajtur shumë më përbaltjen. Ka qenë një makineri balte e Shoqërisë së Hapur, e Fondacionit Soros, të cilët për 20 vite në Shqipëri kanë përbaltur çdo gjë, çdo individ, çdo politikan, çdo gazetar. Problemi qëndron që është përbaltur e gjithë shoqëria dhe sot e kësaj dite ne nuk dimë kujt t’i besojmë. Duhet reformë në mentalitet, duhet reformë në ndryshimin e të gjithë shoqërisë shqiptare, sepse problemi më i madh nuk është nëse do jetë Edi Rama kryeministër apo dikush tjetër. Problemi më i madh që kanë sot shqiptarët është se nuk kanë më besim se ky vend do bëhet një ditë. Është i vetmi vend që vazhdojmë të jemi në tranzicion. Është i vetmi vend, që shqiptarët ushqehen me më pak se 2 dollarë në ditë. Ne nuk kemi dy dollarë për familje, përcaktohen si vende të varfëra nga Banka Botërore vende të cilat jetojnë me dy dollarë në ditë, te ne njerëzit jetojnë me më pak se dy dollar në ditë.

A keni ju raste konkrete për të denoncuar dhe si e shpjegoni ju këtë rrjedhjen e informacionit që po qarkullon?

E para njëherë rrjedhja e informacionit fillon që me Këshillin e Mandateve dhe Imuniteteve, ku vetë deputeti fotografoi dokumentacionin dhe dëshmitë nga dëshmitarët kryesorë të çështjes dhe e nxori nënën e tre fëmijëve apo histori të tjera me radhë. Përsa i përket fakteve, besoj që Prokuroria Shqiptare të bëj punën e saj, të mos bëhet palë as me mediat as me partitë politike, por të vazhdojë punën e saj në mënyrë të tillë që të ruajë integritetin e saj, të ruajë dhe identitetin e saj. Është shumë e rëndësishme për të pasur institucione me integritet dhe me identitet, që ndërkohë në këto vite tranzicioni ne i kemi deformuar këto institucione, qoftë edhe për shkak të politikës, qoftë kjo edhe për shkak të interesave të grupeve të caktuara apo për interesat e 4-5 oligarkëve, të cilët po pasurohen çdo ditë e më shumë dhe do të kthehen veçse në një mburojë për pastrimin e parave të bandave dhe të krimit të organizuar.

Çfarë do të bëni më tej në këtë përplasje me mazhorancën znj.Kryemadhi?

E para njëherë ne nuk përplasemi me mazhorancën, por ne po përplasemi me kokën e krimit të organizuar në Shqipëri që është Edi Rama. Po pse ka frikë Edi Rama nga Sajmir Tahiri, sepse në fillim e lëshoi Sajmir Tahirin.

Çfarë domethënë koka e krimit?

Koka e krimit të Edi Ramës. Po përse ka frikë Edi Rama nga Saimir Tahiri? Se në fillim e lëshoi Tahirin, dhe pastaj e mbajti. Sepse Tahiri e kërcënon. Sepse Tahiri ka marrë urdhra drejtpërdrejtë nga Edi Rama.

Me çfarë e kërcënon Tahiri-Ramën?

Atë e di më mirë z. Tahiri dhe mund të pyesni më mirë z. Tahiri dhe bashkëpunëtorët e tij. Ku është sot Drejtori i Policisë, z. Haki Çako? Po familja e tij?

Ku është znj. Kryemadhi?

Jeni gazetarë, pyesni. Unë po pyes. Sepse ka dhjetë ditë që Drejtori i Policisë nuk bëhet i gjallë. Kjo është një gjë tjetër, le t’iu ngelet qytetarëve ta vendosin. Ajo që dua të theksoj është që, situata nuk është aq rozë sa mundohemi ne ta shfaqim. Ne mendojmë se situata është shumë e vështirë, nuk është e vështirë për ne politikanët, sepse ne do vazhdojmë të bëjmë atë retorikën tonë çdo ditë, edhe ju gazetarët për të pasur atë paradën e debateve politikë në media për t’ua dhënë shqiptarëve. Por problemi më i madh qëndron që, çfarë do të bëjmë dhe si do të ecë Shqipëria përpara në hapat e saj.

Znj. Kryemadhi, ju pash që kishit një përplasje në Parlament lidhur me radarët. Çfarë ishte konkretisht?

Është një denoncim i vërtetë. Ne e kemi denoncuar që më parë, që në fillim të punës së Parlamentit, më pas doli që argumentet që ka ngritur z. Luan Rama u vërtetuan në përgjimet e dosjes Habilaj, ku ai i tregonte mikut të tij që kontrollonin fikjen dhe ndezjen e radarëve.

Radarët që kontrollojnë bregdetin?

Radarët janë disa të Ministrisë së Brendshme dhe disa të ministrisë së Mbrojtjes. Ndoshta nuk jam e saktë por për këtë mund të pyesni z. Rama se ai e ka të qartë, ka bërë një dosje dhe shemë shpejt do paraqitemi në Parlament qoftë për ngritjen e një komisioni hetimor qoftë edhe në interpelancë.

Mesa mbaj mend unë radarët nuk punonin, s’kishin energji elektrike se nuk ishin paguar faturat e energjisë

Radarët janë të gjithë me gjenerator por disa nuk kishin valë, disave nuk u punonte ingranazhi i rrotullimit sepse radarët në bazën në Napoli tregonin që situata ishe shumë e pastër. Besoj që shqiptarët i kanë parë ato filmat e aksionit ku vidhen situatat dhe ndryshohet skena e kamerës, të njëjtën gjë bënin dhe radarët shqiptarë. Tregonin që deti shqiptar ishte shumë i pastër, nuk lëvizte asnjë por ndërkohë lëvizjet e gomoneve të transportit të drogës, lëviznin në mënyrë turistike drejt brigjeve të Italisë.

Znj. Kryemadhi, si i gjykoni deklaratat ndërkombëtare, të Hoyt Yee të ambasadorit Lu dhe Bashkimit Evropian sot?

Unë them se më hapur që kanë folur atë me atë shpullë të rëndë në këto 4 vite që kemi dëgjuar nga ndërkombëtarët, ka qenë deklarata e djeshme qoftë e Hoyt Yee-s por qoftë edhe e z. Lu ku i tregojnë z. Rama që të gjithë janë të barabartë para ligjit, si ai fukarai që s’ka para për të paguar energjinë elektrike, edhe një ministër, kryeministër apo deputet të cilët i kanë mundësitë për të jetuar shumë më mirë.

Si do i orientoni shqiptarët znj. Kryemadhi kur ju dhe Rama falënderoni Lu-në. Si mund ta kuptojë një qytetar në mes se çfarë ndodh?

Unë jam e bindur që shqiptarët nuk lexojnë shumë politikë. Shqiptarët kanë hall se si do ushqejnë fëmijët e tyre në darkë dhe ky është problemi më i madh.

A do bashkëpunoni me Partinë Demokratike për këtë çështje dhe çfarë hapash konkret ka?

Ne do vazhdojmë bashkëpunimin jo vetëm me Partinë Demokratike por me çdo parti politike, në çdo strukturë jo politike, me shoqërinë civile, me gazetarë, me aktivistë të ndryshëm. Këtu nuk ka të bëjë çështja kundër Partisë Socialiste. Këtu kemi të bëjmë me një çështje kundër bandave dhe krimit të organizuar, të cilat çdo ditë e më shumë po zaptojnë dhe pushtojnë institucionet shtetërore.

A keni ju, ose a ju janë premtuar juve, se do t’ju vënë në dorë materiale komprometuese për njerëz politikë, qoftë të mazhorancës, qoftë të opozitës?

Jo, ne nuk kemi materiale të tilla. Po ju bëj një thirrje çdo personi, i cili dëshiron të bëjë publike pranë LSI-së materiale të tilla, t’i drejtojë në Prokurori, sepse kjo është rruga më e mirë. Pastaj nëse Prokuroria nuk reagon, atëherë le të na drejtohen neve.

Znj. Kryemadhi, ju përmendët Sorosin, i cili sot po qortohet nga qarqet konservatore të të gjithë botës për politika globale, por për përbaltje të njëri-tjetrit në rrethana lokale nuk është se është qortuar ndonjëherë. Çfarë kishit në mendje me atë që thatë?

Ajo që dua të them është që në marrëdhënie me LSI-në, Fondacioni Soros dhe segmente të paguara nga ky Fondacion, kanë qenë fabrikues të fake-news në lidhje me LSI-në. Dhe kanë qenë jo vetëm fabrikues, por edhe deformues të deklaratave tona. Këtë jua kemi bërë të qartë, kemi tentuar të sqarojmë vetë personat, shoqëritë, të cilët më pas në mënyrë jo zyrtare kanë thënë që ne na kanë ardhur, kur dihet shumë mirë që organizatori, menaxhuesi apo edhe drejtuesi i këtyre shoqatave ka qenë vetë z. Rama dhe rrethi i tij i ngushtë. Edhe z. Remzi Lami ka qenë një drejtues i bordit të Sorosit, apo edhe znj. Eris Luarasi. Nuk e kam për ata njerëz të cilët kanë dinjitet dhe integritet por për ato segmente të caktuara që kanë përdorur lidhje të dyshimta të cilat kanë sjellë këto pasoja sot, ku demokracia është në një rrezik shumë të madh në Shqipëri.

 

Burimi: (integrimi.al/T.I)

 

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al