Anëtari i Kryesisë së LSI-së Klevi Pojana ka reaguar me anë të një shkrimi në Facebook pas monologut të gazetarit Adi Krasta. Pojana shkruan se Krasta mund të ishte gazetari i përkëdhelur i çdo qeverie dhe çdo PUSHTetari, por fatmirësisht ai zgjodhi të ishte i lirë, në një kohë kur fatkeqësisht edhe liria ka çmimin e saj.

Postimi i plotë:

Adi Krasta, gjarpri i shtëpisë!

Një monolog i zakonshëm nga një prej gazetarëve më të jashtëzakonshëm që Shqipëria ka prodhuar ndër dekada, ngacmoi neuronet e çdo shqiptari.

Është thjesht Adi Krasta me të vërtetën tonë të përbashkët, por çuditërisht narrativa e tij është therëse gjer në asht, kjo jo thjesht sepse Krasta thotë atë që të gjithë ndiejmë e duam të themi, por sepse Krasta është ndryshe, shumë ndryshe nga shumica dërrmuese prej nesh.
Krasta mund të ishte gazetari i përkëdhelur i çdo qeverie dhe çdo PUSHTetari, por fatmirësisht ai zgjodhi të ishte i lirë, në një kohë kur fatkeqësisht edhe liria ka çmimin e saj.

Kjo nuk ndodhi sepse mazhoranca e sotshme apo pozitat ndër vite nuk kanë pasur aq para sa për ta blerë atë, por sepse ai nuk doli fare në pazar.
Ai refuzoi të kishte çmim, ai nuk pranoi të shitej, ai nuk e trafikoi vetveten!

Si askush tjetër në këto tri dekada ‘demokraci’, ku liria e shprehjes garantohet në Kushtetutë, ai, gazetari rebel, shoëman-i fantastik, oratori brilant, pra Krasta, u përndoq kudo që shkeli e ngado që shkoi… të gjithë i trembeshin gjuhës së tij.
Po po, padiskutim të gjithë, veçanërisht ata mbi kolltuqe.

Për pushtetin gjuha e tij ngjasonte me atë të një gjarpri, fjalët e tij ishin helmi që vret zullumin qeveritar dhe antidoti ishte një dhe vetëm një… Krasta, ky gjarpër i rrezikshëm për pushtetin, duhej vrarë.
E në përpjekje për të vrarë gjarprin, pushteti minoi çdo vrimë ku mund të shfaqej Krasta.

Toka mediatike e pseudo pronarëve u shkretua, jo nga bombat por nga artileria e rëndë e tenderave, ryshfeteve, dhe presioneve qeveritare.

E në këto kushte Krasta gjarpëroi, ai iku në një tokë që ka erën tonë e flet gjuhën tonë, veçse është dukshëm më e lirë e më demokratike se ne.

Ai tani është kaq pranë dhe kaq larg.

Kosova, zemra e shqiptarisë, u bë strehë për një nga zërat më therës të pandershmërisë qeverisëse, andej dhe këndej kufirit imagjinar të po të njëjtit vend.

Krasta i bën nder me atë çka është dhe me atë çka bën çdo qytetari, çdo gazetari, çdo media, çdo opozite dhe çdo qeverie.

Edi Rama duhet përgëzuar në këtë rast pasi jo çdokush ka luksin të ketë ‘armik’ Adi Krastën.

Koha do ti jap të drejtë Adi Krastës, jam i bindur.

Fjala e lirë do arrijë përsëri t’i thyejë prangat e robërisë diktatoriale, siç i ka thyer gjithmonë.

Çmimin e rëndë të kësaj fature do ta paguajmë ne, edhe njëherë, dashtë Zoti për të fundit herë.

Ky popull duhet ta dojë më shumë lirinë në paqe, ndryshe diktatorë të rinj do të lindin sërish.

Deri atëherë duhet ti tregojmë vetes fabulën me gjarprin e shtëpisë, ku përralla thotë se ai nuk vritet pasi nuk na lëndon por na ruan.