Los Angeles Lakers, edhe me LeBron James e ka shumë të vështirë për të gjetur fitoren e parë në kampionatin amerikan të basketbollit, NBA.

Skuadra kaliforniane u mund nga San Antonio me rezultatin 143-142, pas kohës shtesë, duke regjistruar humbjen e tretë në po kaq ndeshje të luajtura. San Antonio e nisi mjaft mirë sfidën dhe e mbylli periodën e parë 40-26. Por, Lakersat reaguan me kalimin e kohës dhe në përfundim të kohës së rregullt rezultati ishte 128-128. Në 5 minutat e shtesës, San Antonio mori maksimumin, falë paraqitjes së Mills, por edhe gabimit të LeBron James, në gjuajtjen vendimtare që mund t’i jepte fitoren skuadrës së Lakersave.

Boston Celtics pësoi humbjen e dytë sezonale. Skuadra nga Massachusets u mposht nga Orlando me rezultatin 93-90. Bostoni e pagoi shtrenjtë fillimin e dobët të sfidës, teksa periodën e parë e mbyllën në disavantazhin 19-28.

Pavarësisht përpjekjeve në periodën e dytë dhe të tretë, Bostoni nuk arriti dot të ndryshojë fatin e takimit, që ishte në favor të Magic, për të cilin u dalluan Nikola Vuçeviç, me 24 pikë e 12 topa në tabelë, si dhe Jonathan Isaac, me 18 pikë e 12 topa në tabelë. Për Bostonin spikati i zakonshmi Irving, me 25 pikë.

Toronto nuk di të ndalet në këtë fillimsezoni të NBA-së. Raptorsat fituan ndaj Charlotte Hornets 127-106, duke regjistruar fitoren e katërt në po kaq sfida. Toronto e kontrolloi mjaft mirë ndeshjen që nga fillimi deri në fundin e saj.

Leonard vazhdon të bëjë paraqitje të shkëlqyera për skuadrën kanadeze. Ish-basketbollisti i San Antonios e mbylli këtë radhë sfidën me 22 pikë, ndërkohë që Kyle Lowry regjistroi një bilanc me 16 pikë e 14 asiste.

Golden State rikthehet te fitorja. Warriorsat mposhtën në ndeshjen e radhës Phoenix Suns me rezultatin 123-103. Kampionët në fuqi të NBA-së nuk e vunë në asnjë moment në dyshim këtë fitore, që është e treta sezonale për ta. Për Suns, Booker shënoi 28 pikë, që nuk i shërbyen skuadrës nga Arizona. Te Golden State, ata që i shkaktuan shumë dëme Phoenixit ishin si gjithnjë Stephen Curry dhe Kevin Durant. I pari shënoi 29 pikë në 29 minuta, ndërsa Durant regjistroi 22 pikë në 26 minuta.