Nadia Toffa, fytyra e njohur televizive dhe moderatore e programit italian shumë të njohur edhe në Shqipëri, “Le Iene”, ndërroi jetë në moshën 40 vjeçare pas një beteje të gjatë me kancerin.

Lajmi bëhet i ditur nga redaksia e “Le Iene” me një postim prekës në Facebook: “Ke luftuar me kokën lart, me buzëqeshje, me dinjitet dhe duke shpërfaqur të gjithë forcën tënde, deri në fund, deri më sot”.

“Si pasojë e një sëmundjeje dhjetorin e shkuar (ishte viti 2017) u operova në urgjencë, rrëfente Nadia Toffa në studion e ‘Verissimo’ tetorin e shkuar.

“Më pas bëra kimioterapi dhe radioterapi. Dukej gjithçka e përfunduar, por në mars, gjatë një kontrolli, erdhi lajmi i keq. Kanceri ishte rikthyer dhe më operuan sërish”.
Që atëherë ajo nisi pa u trembur luftën e saj kundër tumorit nën tingujt e radioterapisë dhe kimioterapisë.

Humbja e flokëve, urrejtësit që kritikonin ekspozimin e saj në rrjetet sociale, e më pas rënia, lodhja…

Postimi i saj i fundit në Instagram daton në 1 korrik, para përkeqësimit të sëmundjes. Si gjithnjë, në foto e shoqëronte qenushi i saj Totò. “Unë dhe Totò të bashkuar! Po nga anët tuaja ç’bëhet? Ju puth të gjithëve, të gjithëve”.

Më pas asgjë, deri tek lajmi i tmerrshëm i ditës së sotme.