Intervista e Gjetan Gjetanit për News24

Një status i tij në muajin shtator të vitit 2018, ku kritikonte Policinë e Shtetit për dy vrasje të ndodhura në Mamurras, i kushtuan atij përjashtimin nga grupi parlamentar socialist. Ishte kryeministri Edi Rama që i kërkoi Asamblesë se PS, përjashtimin e deputetit të Kurbinit, Gjetan Gjetani, duke bërë që ky i fundit të qëndronte në Parlament si deputet i pavarur. Por së fundmi ish-deputeti socialist ka vendosur t’i bashkëngjitet Lëvizjes Socialiste për Integrim.
“Në qoftë se do isha pjesë e bandave kriminale, Rama s’do më kishte përjashtuar , sot do isha deputet i PS, i nderuar, i respektuar nga z.Rama ”
Gjetan Gjetani në një intervistë për News 24 tregon edhe kur lindi ideja për t’iu bashkuar LSI-së.
“Ideja ka lindur pas periudhës së tërmetit, në atë moment kuptova se Rama nuk po reflekton për zonën e Kurbinit në mënyre absolute. Nuk e kisha vendos që të kalojë në asnjë parti, qëllimi im ishte që të përfundonte legjislatura, mandati dhe të merrem me punët e mia private. Por më ka habitur mllefi që ka z.Rama për Kurbinin dhe për qytetarët e Kurbinit. Kjo ishte arseja që unë mendova të bëj një lëvizje të kaloj në një parti tjetër.”
Gjetani tregon se ka negociaur për t’iu bashkangjitur LSI-se, drejtpërdrejtë me kryetaren, Monika Kryemadhin. Ai thotë se nuk ka shkuar në këtë parti për të marrë premtime, por e me qëllimin për të ndihmuar zonën e tij.
“Kam komunikuar drejtpërdrejt me Kryetaren e LSI, znj.Monika Kryemadhi, të cilën e falënderoj për besimin, e falënderoj që me bëri pjesë të LSI. Nuk kam shkuar te LSI për të marrë premtime. Qëllimi im të ndihmoj zonën e Kurbinit.”
Ish-deputeti socialist akuzon Edi Ramën se ka rrënuar shtetin shqiptar, duke dështuar ne reformat me kryesore qe ka ndërmarrë.
“Besoj se Kryeministri Rama do mbahet mend në historinë e kombit shqiptar, e para ka shkatërruar ekonominë e vendit, e dyta ka shkatërruar sistemin gjyqësor, kemi një kolaps të sistemit gjyqësor, e treta në Shqipëri thuajse në çdo bashki kemi nga një bandë kriminale pas vitit 2013. E katërta për administratën shtetërore, një administratë haxhi-qamil, të gjithë janë emëruar të paktën në Kurbin se kam informacion të saktë, me urdhër të Edi Ramës”
Gjetani deklaron se djegia e mandateve ka qenë një gabim sipas tij nga opozita.
“Për mua kjo lëvizje e opozitës ishte e gabuar por mbetet në vlerësimin e tyre. Çështja e mandatit tim do diskutohet nga Kryesia e LSI. Nëse do të ma kërkojnë të dorëzoj mandatin e bëj.”
Por a është e moralshme kjo lëvizje e deputetit te Kurbinit?
“Në gjykimin tim është shumë e moralshme sepse jam përplasur me Ramën jo për interesa personale. Nuk më kanë pëlqyer asnjëherë lëvizjet nga një parti në tjetrën por jam përplasur me Ramën vetëm për interesat e qytetarëve të Kurbinit.”