“Media tradicionale apo media sociale”

Nga: Elidiana Saraçi

Media tradicionale apo media sociale po njeh një zhvillim të pamasë?! Sfidat me të cilat po përballet së fundmi media tradicionale bën që të gjithë të shkojnë drejt këtij mendimi. Mediat sociale shpërthyen në skenën e komunikimit dhe ngritën një mori pyetjesh si: “Si mund ti përdorim mediat sociale së bashku me mediat tradicionale me qëllim të përbashkët, informim të audiencës? A ndryshon mesazhi që përcjell media sociale nga mesazhi që përcjell media tradicionale? Cila nga mediat duhet përdorur në kohë krize, media sociale apo ajo tradicionale”? Pa dyshim interneti ka bërë revolucion në jetën tonë, në mënyrën si jetojmë, në mënyrën si lexojmë, si e shohim lajmin, si kuptohemi me njëri-tjetrin. Por a e ka ndryshuar rrënjësisht?

      Për tu kthyer përgjigje pyetjeve të mësipërme, kam marrë shembullin e zyrës së shtypit në SHBA. “Një qeveri popullore pa informacion publik, apo pa mjete për marrjen e këtij informacioni nuk është gjë tjetër veçse prologu i një farse apo tragjedie, ose ndoshta i të dyjave”, ka thënë në 1822 presidenti i katërt i SHBA-ve, James Madison.
“Rrjedhja e ideve, kapaciteti për të bërë zgjedhje të informuara, aftësia për të kritikuar, të gjitha supozimet ku mbështetet demokracia politike, varen kryesisht nga komunikimi”, presidenti i 35-të, John F. Kennedy. Fjalët e këtyre presidentëve, mbesin edhe sot të vërteta, sot në shek XXI, shekulli i informacionit masiv. Në shoqëritë demokratike, shtypi i lirë, liria e informacionit jane baza ndërsa aktiviteti transparent i komunikimit është vital. Pra për të pasur një shtyp të lirë, duhet të kemi një qeveri të hapur dhe transparente. Në demokraci qytetarët duan informacione të besueshme dhe të mbështetura në fakte. Mediat e lira, qofshin ato tradicionale, qofshin ato sociale janë thelbësore në sigurimin e informacionit. Por ç’ndodh?
Mediat sociale i ofrojnë publikut platform që i ndihmojnë për të ndarë informacionet dhe për të ndarë mendimet me njëri-tjetrin. Pra media sociale u ofron qytetarëve mundësinë e interaktivitetit, mundësinë e ndëhyrjes duke shprehur mendimin e tyre. Përmes mesazheve në Facebook, Twitter, blogje, përmes videove në youtube, qytetarët, audienca, publiku komunikon në mënyrë të drejtëpërdrejtë. Nëpërmjet mediave sociale, audienca arrin të krahasojë dhe të shprehë mendimin mbi saktësinë e informacionit të botuar nga media tradicionale dhe ato të transmetuara. Së fundmi kemi vënë re që audience ka mundësi t’ju asistojë mediave tradicionale duke u siguruar gazetarëve video, fotot të ngjarjeve. Këtu kemi formimin e një trekëndëshi , gazetarë, qytetarë dhe qeveritarë të cilët komunikojnë në mënyrë të drejtëpërdrejtë me njëri tjetrin. Me anë të mediave online zyrtarët e qeverisë mund të përgjigjen në kohë reale komenteve dhe mesazheve në rrjetet sociale, gjë kjo që nuk ndodh në mediat tradicionale ku qeveritarët mjaftohen me deklaratën për shtyp, ku nuk ka interaktivitet as me gazetarin, as me qytetarin, audiencën.

     Ish-drejtoresha e komunikimit në Shtëpinë e Bardhë, Anita Dunn i mëshon shumë faktit se nevoja për të nxjerrë pandërprerë lajme i tejkalon të gjitha faktet e vëna në dispozicion. Kjo duhet ta bëjë vendimtar rolin e gazetarit, pasi media ka një rol shumë të rëndësishëm, të ndihmojë audiencën të sqarojë gjërat.
Media e re shihet si diçka e re, shihet si diçka e jashtëzakonshme, por në fakt është vetëm një grup mjetesh komunikimi. Ashtu siç ishte telegrafi mjet i ri, ashtu siç ishte gazeta mjet i ri, ashtu siç ishte radio mjet i ri, ashtu janë sot mediat sociale. Mediat sociale na ndihmojnë shumë, na bëjnë më të shpejtë, por nuk ndryshon mënyra e të menduarit dhe strategjia. Ndoshta ndryshojnë vetëm mjetet e shumta të komunikimit, por duhet të theksohet se me mediat sociale rritet komunikimi i dyanshëm.

     Nëse marrim shmbullin e komunikatave për shtyp fare mirë mund të themi se mjeti tradicional i formës së shkruar janë pikërisht komunikatat për shtyp. Sot rëndësia e komunikatës për shtyp është rritur për shkak të zhvillimit të teknologjive të reja. Është rritur përmes njoftimeve me e-mail, përmes mediave sociale që lidhem me element multimedialë si foto, video, materialet audio-video digjitale. Përdoruesit mund të postojnë kurdoherë komente dhe të mundësojnë komunikim interaktiv dhe të drejtëpërdrejtë. Por pavarsisht formatit komunikata për shtyp, mjeti tradicional mbetet mjeti i preferuar.

     A ndryshon mesazhi që përcjell media tradicionale nga mesazhi që përcjell media sociale?  Alfred Lela, gazetar me profesion, teksa kumton suksesin e “New Media”, ngre disa pyetje që sipas mendimit tim qëndrojnë. A funksionojnë rrjetet sociale si media? A e kanë zëvendësuar ato në një mënyrë a një tjetër gazetarin dhe rolin e tij në informim? A është Facebook, Twitter apo blogosfera, një alternativë e të themi gazetave, radios, televizionit?
“Jo në asnjë rast, dhe jo në të gjitha rastet. Absolutizmi i kësaj sigurie, ndoshta vjen edhe për faktin se unë jam gazetar dhe militoj në mediat tradicionale, e rrjedhimisht më intereson supremacia e tyre. Të gjitha këto janë të vërteta, por jo ndikuese, se roli i gazetarit dhe gazetari si figurë dhe institucion bëhet edhe më i domosdoshëm për faktin se në skenë kanë hyrë mediat e reja”, ka shkruar Alfred Lela. Ajo ç’ka Lela kërkon theksojë është nevoja që ka publiku për të parë përtej ngjarjes, pasi lexuesi kërkon një interpretim të asaj që ka ndodhur. Një kontekst, cilido qoftë ai: social, politik, historik, gjeostrategjik. Qoftë edhe të gjitha bashkë nëse ky është rasti. Pra gazetari nuk ka vdekur, sepse nuk ka marrë fund ekzistenca dhe nevoja për ndërmjetës. Ndërmjetësi është më i nevojshëm se kurrë. Pra mesazhi që përcjell media sociale ndryshon nga mesazhi që përcjell media tradicionale, sepse media sociale jep informacion, por nuk interpreton, pra këtu lind nevoja për gazetarin, e kundërta ndodh me median tradicionale e cila jep informacion, e interpreton atë, por nuk ofron mundësi interaktiviteti.

      Komunikimi në kohë krize, roli i medias në kohë krize. Kriza është ngjarje e papritur dhe e befasishme e cila kërkon reagim dhe përgjigje të shpejtë. Menaxhimi i mirë i një krize ruan reputacionin e medias dhe ngren nivelin e besueshmërisë tek mediat. Mediat digjitale dhe sociale e bëjnë më të lehtë komunikimin gjatë krizës. Mediat sociale mund ta transmetojnë mesazhin më shpejt, tek një audiencë më e gjerë dhe gjithashtu ofron mundësi e pranimit të reagimeve prej audiencave të ndryshme. Edhe kohët e fundit po të vësh re, Twitter është bërë shumë i efektshëm në komunikimet emergjente.

     Eric Shereer, në librin e tij “A na duhen më gazetarët” thekson se triumfi i mediave sociale është një revolucion i drejtuar nga të rinjtë dhe i pranuar nga publiku. Në momentin që rreth gjashtëqind milionë persona në botë kanë një faqe Facebook, katër miliardë fotografi postohen në Flickr dhe një Twitter vlen më shumë se një miliardë dollar, me siguri themi se mediat sociale nuk janë thjeshtë një modë, por janë të pranuara, kanë miratimin e publikut. Ky hov i mediave sociale vjen nga oreksi mjaft i madh që audienca ka për informacion dhe njohuri. Web-i shumë shpejt mbush 20 vite ekzistencë. Pra jemi një brez i tërë, një gjeneratë e rritur me internetin. Sot për sot informacioni është malli që rritet dhjetë herë më shpejt se çdo mall i fabrikuar apo industrial. “New Media”, mediat e reja po e ndryshojnë gazetarinë, është e vërtetë. Për shembull në Tunizi mediat e reja arritën të mashtronin censurën, t’i jepnin jehonë revolucionit dhe imazheve te shtypjes. Por ndikimi i mediave sociale është i pashmangshëm, por jo rrënjësor sepse publiku vërtet ka oreks të madh për informacion, por asnjëherë nuk ka konsumuar aq shumë informacion. Në Amerikë audienca i kushton rreth 70 minuta në ditë informimit nëpërmjet mediave tradicionale, kjo sipas një studimi të vitit 2010 të institutit PEW.

     Kriza e shtypit, letrës, muzikës, televizionit është pikërisht në kohën kur shpërthejnë “New Media”. Këtu fillon dhe tensionimi i vetë gazetarëve të cilët duket sikur po u zbehet autoriteti. Të ndodhur përballë këtij revolucioni mediatik që ka ndryshuar çdo gjë, përballë përhapjes dhe konsumimit të informacionit të bollshëm, falas dhe të disponueshëm kudo, gazetari është i konkurruar nga të gjitha anët. E thënë shkurt është më pak i nevojshëm dhe i dobishëm ndoshta!

Me  të drejtë ngrihet pyetja: “A na duhen më gazetarët”?
Sipas Eric Scherer, gazetarët duhen, por tanimë ndryshe! Cilësitë themelore të gazetarit janë mëse të nevojshme, cilësia e shkrimit, e dëgjimit, mendja e hapur, deontologjia, cilësia e gjykimit të informacionit, shpirti kritik, por me daljen në skenë të mediave sociale këto cilësi nuk mjaftojnë. Tanimë duhen kompetenca, transparenca, përunjësia dhe besueshmëria për të rigjetur besimin e humbur. Tashmë qëllimet e gazetarëve duhet të jenë SMART,pra specifike, të matshme, të arritshme, reale dhe të kenë një kornizë kohore kur duhen të realizohen. Pra media tradicionale, gazetari nuk po vdes, thjesht ndodhet përballë sfidave të vështira të cilat duhet të dijë ti menaxhojë . Media tradicionale nuk po vdes, është thjesht një rotacion, jo politik, por mediatik.
Është një revolucion i cili sot apo nesër do të ndodhte. Media tradicionale nuk po vdes, thjesht po ndodh një gërshetim i mediave sociale me median tradicionale.
Ndoshta një balancim midis tyre…

Elidiana Saraçi

 

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al