Nga Gentian Çala

ANORMALITETI KU KEMI HYRË

Tashmë vendi është në një qerthull anormaliteti, ku janë molepsur jo vetëm institucionet e vendit, por edhe disa diplomatë e ndërkombëtarë. Sovraniteti i institucioneve kushtetuses të vendit po shkelmohet përditë dhe iniciativat ujëturbulluese të mazhorancës po i kontribuojnë paçavurizimit të tyre. Askush nuk mundet të thotë se jetojmë në një vend normal, ata që e thonë nuk e besojnë as vetë ose janë të detyruar të shprehen ashtu.

Po si arritëm deri këtu?! Kujt i duhet kjo situatë?! Përgjigjet mund ti kemi, por analiza e tyre nuk mjafton. I dimë, cilat janë arsyet, por nuk po dimë sesi dilet nga ky qerthull. Të zezës po i thonë e bardhë në mes të ditës. Atyre që duan normalitetin, kushtetutën dhe institucione normale të vendit nuk i ka mbetur udhë tjetër veç ngritjes së popullit, daljes në rrugë dhe reagimit ndaj kësaj situate. Duket se Presidenti i Republikës ka zgjedhur këtë udhë dhe i ka ftuar qytetarët në shesh në një ditë simbolike për demokracinë.

A duhet mbështetur kjo lëvizje? Besoj se po dhe inkurajoj këdo që e do këtë vend ti bashkëngjitet kundërshtisë popullore për kthimin e vendin në normalitet. Normalitet do të thotë kushtetutë, ligje, ekonomi, luftë korrupsionit dhe krimit, drejtësi e pavarur, shtet dhe demokraci funksionale. Kjo nuk është beteja për një emër, për një post, por për një vend demokratik.
Pas 29 vitesh do të kthehem në të njëjtin shesh, dje si student dhe sot si mjek, sërisht me të njëjtin synim.