Nga Gentian Çala

BETEJA NË DY PLANE…

Këto ditë duket se në botën mbarë po zhvillohet një betejë e vërtetë me virusin e pagëzuar me parashtesën korona dhe një tjetër virtuale, me lajme mediatike gjithfarë ku armiku është pas lajmeve të pavërteta (fake). Nga njëra anë beteja me Pandeminë, nga ana tjetër beteja me Infodeminë.

Konfuzioni i “të vërtetave”, rritja e nivelit të frikës dhe stresit, etja për informacion po shfrytëzohen për qëllime gjeostrategjike dhe politike nga vende të caktuara, të cilat e shfrytëzojnë një situatë të tillë. Agjensia europiane EEAS nxorri një raport special lidhur me desinformimin që përpiqet të denigrojë demokracitë euro-atlantike.

Duket se makineria e desinformimit nuk do të ndalet dhe se të gjithë duhet të tregojnë kujdes në filtrimin e tyre. Pandemia po na jep mundësinë të kuptojmë se bota ka edhe një pjesë të errët të saj që e shfrytëzon këtë situatë për të mbjellë panik dhe me prapavijë politike.

Bota dhe vlerat e saj duhet të trumfojnë dhe kjo sigurisht që do të ndodhë. Kura dhe vaksina për koronavirusin do të sigurohet, por a do të kemi mundësi të gjejmë një “kurë” për informacionet “fake”. Besoj se duhet menduar një zgjidhje që zvogëlon mundësinë e informacionit fake.

Imuniteti ynë mund të arrijë të na mbrojë nga agjentët infeksiozë, kurse mendja do ta ketë të vështirë të “vaksinohet” nga informacioni “fake”. Liria e medias dhe kontrolli i saj është debat i vështirë nga tendencat e pushteteve për ti kontrolluar mediat, por zgjidhje mund të ketë, të cilat konsistojnë në demaskimin e tyre.

Avancimi i teknologjisë e ka bërë botën më të vogël, ku informacioni shkëmbehet shpejt dhe bashkë me të të vërtetat dhe të pavërtetat, ndaj duhet kujdes dhe mençuri, sepse naiviteti dhe moskujdesi mund tu vështirësojnë ditët dhe shëndetin, posaçërisht atë mendor. Mbani mend se Infodemia mund tu dëmtojë po aq sa dhe ndoshta më shumë se Pandemia.