Nga Gentian Çala

BROHORITJA E STADIUMIT

Kryeministri ynë dukej qejfprishur nga një kor kundër tij në stadiumin e përuruar rishtas. Dikush tha se ndoshta njerëzit që ishin kundër tij nuk duhej të ishin në stadium, duhet ta bojkotonin, ndërsa mua personalisht kjo kultura e bojktotit më pëlqen më pak se ajo e përballjes. Atmosfera e Arenës së re dallonte nga atmosfera e stadiumit në Prishtinë, ku luante Anglia dhe qytetarët që shkuan në stadium dhe jo vetëm aty, kishin një mundësi për të shprehur mirënjohjen ndaj një vendi që kontribuoi në çlirimin e Kosovës dhe në periudhën e pasluftës. Pra, mirënjohja dhe mosaprovimi mund të shprehen edhe kështu, madje edhe në një stadium.

Lidhur me këtë ngjarje kishte shumë njerëz që u ngazëllyen, sepse patën mundësi ta shfrynin dufin përballë KM-së për shumë prej pakënaqësive të grumbulluara. Ata e goditën pikërisht në ditën kur ai duhej të lumturohej më shumë se vepra e ideuar, e konceptuar dhe e mbështetur prej tij, kishte marrë jetë. Një goditje ndaj veprës më të madhe të bërë prej tij, në zemër të saj dhe ditën e inagurimit, ishte një shuplakë e fortë për të dhe pamjet e saj do ta ndjekin gjatë në kujtesë. Stadiumi me kullë ka brenda saj edhe simbolikën e krijuesit, i cili na e shpërfaqi duke u shkujdesur në këtë rast, plot arrogancë dhe me pak shije. Ajo është simbolika e sportit dhe biznesit në në një vend, e investimit të tjetërsuar dhe të shëmtuar.

Arkitekti italian i veprës ishte shprehur dikur për një televizion kombëtar se thjesht zbatova kërkesat e kontraktuesit, pra të KM-sw. Ajo që duhej të ishte thjesht një shtëpi futbolli, kaloi çdo imagjinatë duke u shndërruar në qendër biznesi. E një brohoritje mosaprovimi Rama duhej ta merrte vetëm për këtë fakt. Në stadium kishte më shumë se kaq, ku në një tabelë të madhe shkruhej “Hands off from Kosova” (“Duart larg nga Kosova”) dhe në një tjetër përmendej drejtësia për Astirin. Ai tashmë është identifikuar me të keqen në këtë vend dhe as propaganda, as dritat dhe as festat nuk mund ta ndryshojnë këtë gjë. Kjo e tërbon atë, më shumë se çdo gjë tjetër, do ta lodhi më shpejt se që mendohet.

Imagjinova Ramën në një teatër të ri, ku publiku në vend të duartrokasë shfaqjen bërtet në kor “Rama ik” dhe ai i mundur struket në mjekrën e tij. Duket se mjekra i ka mbetur vendi për tu fshehur dhe për të maskuar mërzitjen nga një vetmi e gjatë, nga mungesa e atyre që ekzaltohen dhe që i ngrenë moralin. Fund i trishtë të shikosh rrëzimin e vetes në sytë e njerëzve që nuk të duan dhe nuk të mbështetin. Karburant nuk ka më për energjinë plangprishëse të një KM që u kujdes më shumë për veten, xhepin, kastën e tij dhe jo për ata që e kishte detyrim tu shërbente.
Stadiumi i fiku dritat, kombëtarja u mund, qyteti ra në gjumë…dikush ende mendonte se ku gabova dhe kruante kokën dhe mjekrën e zgjatur. Tashmë ishte vonë! Nuk kishte as kohë për të rikuperuar ndonjë gjë.