FALJE…?! PËR ÇKA ?

Tashmë që Albin Kurti është duke u bërë gati për të qenë Kryeministër i Kosovës pas zgjedhjeve të përgjithshme të parakohëshme të 6 Tetorit, shumë mendojnë se retorika dhe qëndrimet e tij duken më të matura dhe të moderuara. Shumë janë të interesuar lidhur rreth disa deklarimeve të tij ndaj Kryeministrit Rama, por posaçërisht njëri e ka tepruar. Ky është Baton Haxhiu.

Madje ai shkoi deri aty sa ti kërkonte Z. Kurti publikisht që ti kërkojë të falur Kryeministrit shqiptar. Falje për çka?! Z. Kurti erdhi në pushtet me disa karta politike ku predominonin tezat kundër kapjes së shtetit, kundër oligarkisë, kundër korrupsionit dhe krimit, si dhe për një zgjidhje të çështjes me Serbinë bazuar në reciprocitet. Kurti evidentohet edhe nga media ndërkombëtare si politikan i real politikës.

Qëndrimi i tij ndaj Ramës është thjesht koherent me qëndrimet e tij politike. Ndaj ti thuash kërko falje qoftë edhe për recetë diplomatike, është si ti thuash Kurtit ndrysho tezat dhe qëndrimet. Madje Kurti e di shumë mirë që populli i Kosovës e votoi në shumicë për shkak të ideve dhe aksionit të tij politik, e jo për hipokrizinë që flet ndryshe për aktorët e brendshëm politikë dhe ndryshe për aktorët e jashtëm.

Rama kaloi edhe një cak duke u bërë protagonist i planit të gatuar për shkëmbim territoresh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë së bashku me Vuçiçin dhe Thaçin. Ky plan i vetëofruar prej tyre për partnerët ndërkombëtarë hasi në kritika dhe refuzim nga disa aktorë politikë në Kosovë, ku bënte pjesë edhe Z.Kurti me forcën e tij politike. Rama duke qenë protagonist meritonte gjithë kritikat për qëndrimet e tij. Ndjesa nuk hyn këtu, madje është Rama që duhet të bëjë mea culpa.

Dikush mund të thotë se përse duhet të merresh me Baton Haxhiun, kur dihet mirë roli dhe raporti i tij me politikën në Shqipëri. Ka një arsye dhe kjo qëndron në momentin kur ai e bën këtë deklaratë, e cila më duket destruktive në vetvete. Rreth Z. Kurti ka disa paqartësi nga qeveritë partnere dhe kjo deklaratë duket se paralajmëron probleme të reja në rajon, madje midis Kosovës dhe Shqipërisë, duke i dhënë mesazhe hezitimi për qëndrimin ndaj shumicës së re në Kosovë.

Unë po e këshilloj Z. Haxhiu se Z. Kurti nuk ka as arsye dhe as nevojë ti kërkojë falje Kryeministrit shqiptar, sepse as nuk e meriton dhe as nuk i shërben.