Nga Gentian Çala

Jemi shndërruar në një fole qyqesh, madje ngjajmë si në thrillerin me të njëjtin emër, ku ngjarjet zhvillohen në një spital psikiatrik. Kryeministri ynë ngjan pikërisht si personazhi kryesor i këtij filmi, McMurphy, i cili luan dhe me “çmendurinë” e tij arrin të zhbëjë sistemin e një institucioni, atakon rregullat dhe autoritetin, si dhe përdor të tjerët me qëllim që të krijojë rehati për veten. Parimet mund të jenë të njëta si në mikrosistem, ashtu edhe në makrosistem.

McMurphy ynë Kryeministër, ngjitur në krye të shtetit, ka bërë gjithçka për të shpërbërë institucionet, për të shmangur kontrollin dhe llogaridhënien, shpik gjithçka për të arritur qëllimet e veta dhe të klientëve të tij. Madje ai nuk pyet për askënd dhe qytetarët janë thjesh numra, ndaj të cilëve nuk ka as ndjeshmëri dhe as reflektim. Nuk do t’ia dijë as kur ju prish shtëpinë, as kur hedhin në rrugë prodhimet bujqësore, as kur marrin rrugëte botës, as kur nuk e gjejnë të drejtën e tyre nëpër institucionet e vendit. Ata janë thjesht numra, më e shumta numra votash që të japin pushtetin, të cilat kur i duhen i shantazhon apo i blen me ca numra të tjerë, me numrat e parave. Nga këto të fundit duket se ka shumë.

Fluturimi në folenë e qyqes, duket si udhëtimi në një dimension tjetër, ku të gjithë duken thuajse pa mend në krye, se jeta duket e zymtë dhe rrjedh vështirësisht. Por, McMurphyt tonë kjo nuk i bën përshtypje, fundja ai nuk e ndjen veten në këtë dimension sepse ai jeton në një tjetër, në atë të lajkave, pëlqimeve e brohoritjeve, të arritjeve dhe të liderit të shkëlqyer, të cilën ai ka filluar ta besojë edhe vetë se është i tillë. Madje nuk ngurron as ta pohojë. Ai nuk e fsheh edhe dëshirën për të ngjarë si baballarët e kombit, por në fakt është vetëm Kryeministër i Folesë së Qyqeve. I folesë së ngritur mbi gënjeshtra, hipokrizi dhe pazare.

Secili nga ne duhet të jetë pjesë e njërit nga dimensionet, në njërin ku qëndron personazhi ynë KM dhe ata që e rrethojnë, kurse në tjetrin populli apo të ashtuquajturit numra. Ai po luan aktin e fundit të tragji-komedisë. Vazhdon e luan me të njëtin ritëm, sepse thotë se e ka nga pasioni, por pasioni i tij i vetëm është lufta ndaj autoritetit të shtetit dhe pasurimi i çmendur. Pasion nga i cili po vuajnë shumë, jo vetëm ata larg tij apo në opozitë me të, por edhe një pjesë e tyre që i kanë qëndruar pranë, apo që kanë bashkëpunuar me të.

Ai na shpërfaqet çdo ditë, kudo, na del gjithmonë e më zbuluar në marrinë e tij, ku madhështia nuk fsheh gjë tjetër veç shpirtvogëlsisë e cinizmit, ku të bësh shtet është baraz më shkatërrimin e institucioneve, ku shan ata që flirtojnë me krimin ndërsa është vazhdimisht me ata, ku oratoria e stërzgjatur qëndron pas figurës së dikujt që nuk bën asgjë, ku arroganaca është koraca e frikës dhe e pasigurisë së brendshme.

Fluturimit të tij në Folenë e Qyqeve po i vjen fundt, kurse unë po shijoj këtë fund, ashtu si dhe po mendoj se McMurphy ynë është duke pësuar lobotominë e karrierës së tij politike.
E gjitha për tu harruar!