Nga Gentian Çala – Psikiatër

KUNDËR STIGMËS !
(Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Shëndetit Mendor – 10 Tetor)

Në këtë ditë nisa të reflektoj se çfarë i pengon pacientët të kërkojnë ndihmë, të këshillohen apo të trajtohen te profesionistët e shëndetit mendor. Përgjigjen besoj se e dini të gjithë: është stigma, frika nga të qenit “i damkosur”.

Shpesh më ndodh që kur takoj të panjohur dhe u flas për profesionin tim, ata ndryshojnë qëndrim, jo me fjalë, por me gjuhën e trupit. Disa të thonë me gjysmë shaka se duhet të jemi të kujdesshëm kur flasim me ju. Në fakt, unë as që i shoh me atë sy, nëse do ta bëja do të ishte shtrembërim profesional. Këto fjalë i them se jo vetëm pacientët janë pre e paragjykimeve, por edhe profesionistët e shëndetit mendor.

Pacientët apo shfrytëzuesit e shërbimeve, hyjnë për vizitë me ndrojtje, ata i pengon emri “psikiatër” që lexojnë te dera. Shpesh mbrohen duke thënë se “unë nuk jam i çmendur”. Ata nuk e dinë që për ne pacientët nuk ndahen në të çmendur dhe në jo të çmendur. Ata janë thjesht pacientë që kanë nevojë për ndihmë apo këshillim, trajtim apo ndjekje. Asgjë nga psikopatologjia e tyre nuk na bën të mendojmë ndryshe për ta.

Paragjykimet janë kudo, madje jo rrallë edhe në profesionistët shëndetësorë, të cilët krejt pa dashje (ose duke përdorur mekanizmat e tyre mbrojtës) kontribuojnë në shtimin e stigmës dhe në shmangien e ndihmës. Gjithkush duhet të ndihmojë sepse sëmundjet mendore janë si të gjitha sëmundjet e tjera. E keni pyetur veten përse keni më pak ndrojtje apo hezitim për të kërkuar ndihmë te një profesionist tjetër shëndetsor?! Thjesht dhe vetëm se pranoni më lehtë problemin shëndetësor trupor.

Pacientët vlerësojnë më pak problemet shëndetësore pa dhimbje dhe presin tu “kalojnë vetë”, duke humbur kohën nga fillimi i vështirësive deri te mjekimi. Ata e shmangin kërkimin e ndihmës për shkak të stigmës dhe këtë gjë e racionalizojnë duke menduar se do ti kalojë vetvetiu. Problemet e shëndetit mendor prekin 1/3 prej nesh gjatë jetës, ndoshta më shumë se kaq, për një periudhë të caktuar ose më gjatë. Ky është realiteti që duhet ta pranojmë, unë, ju, familjarët tanë, fqinjët, miqtë e shokët, farmacisti ku marrim mjekimet, mjeku i familjes, të gjithë. Askush nga ne nuk është i imunizuar. Mund të na ndodhë të jemi në njërin breg, por edhe në tjetrin.

Disa prej besimeve që kemi në raport me sëmundjet mendore na vështirësojnë pranimin e tyre dhe kërkimin e ndihmës. Unë po përmend disa prej tyre:

– “Sëmundjet mendore si çmenduria apo depresioni nuk mund të mjekohen”. Aspak e vërtetë! Shumë prej sëmundjeve trajtohen përkohësisht apo përfundimisht. Cilësia e jetës dhe funksionimi përmirësohet nga trajtimi.

– “Mjekimet janë të rënda dhe krijojnë varësi…po i pive për disa kohë duhet ti marrësh përgjithmonë”. E pavërtetë, disa prej kategorive të barnave më të përshkruara si antidepresivët, antipsikotikët apo stabilizuesit e humorit nuk krijojnë varësi fizike edhe nëse përdoren shumë gjatë.

– “Të sëmurët mendorë janë të rrezikshëm dhe të paparashikueshëm”. Aspak e vërtetë! Statistikisht të sëmurët mendorë kryejnë më pak krime të rënda se popullata e përgjithshme.

– “Me një të çmendur nuk jetohet se mund të sëmuren të tjerët apo fëmijët”. Natyrisht që të jetosh me një të sëmurë mendor është sfidë, por me të mund të jetohet ashtu si me secilin prej nesh.

– “Çdo i sëmurë mendor është i paaftë i përjetshëm”. Shumë prej sëmundjeve mendore trajtohen dhe nuk krijojnë paaftësi. Kjo shoqërohet shpesh herë edhe me tendencën për ti mbyllur në institucione: “nuk e dua, më mirë të rrijë në spital se jam lodhur”. Qëndrimet e gjata në institucione krijojnë më shumë paaftësi dhe zvogëlojnë mundësinë për reintegrim.

– “Mblidhe mëndjen”. Kjo është një këshillë shpesh e pavend e familjarëve në raport me dikë që vuan. Ndonjëherë pacientët vuajnë më shumë moskuptimin e problemit prej të afërmve, se sa vetë sëmundjen.

Ka ndoshta mjaft paragjykime, por kjo është dita kur ne duhet të kuptojmë më shumë dhe të bëjmë më tepër për të lehtësuar vuajtjen duke kërkuar ndihmë pa hezitim, jo vetëm për tu mjekuar, por edhe për këshillim.

Historia njerëzore na ka mësuar se nga vuajtja e sëmundjes mendore pacientët nuk dalin gjithmonë më të dobët, madje ata jo rrallë herë e kanë tejkaluar parashikimin tonë duke ia dalë që të jenë më të fortë dhe ngadhënjyes.

Fotografia e Gentian Çala