Nga Gentian Çala

“KUPA ME TIMON, KUPA PA TIMON”
(Në vend të replikës)

Z. Kryeministër, timoni që po mban nuk është i ndonjē xhipi Ford, por po drejton thjesht një Tatra. Një Tatra, që i duket si makinë amerikane. Kurse të tjerëve u thotë, kujdes se mos blini ndonjë makinë ruse.

Opozita në fakt nuk ka as timon në duar, sepse atë e ka të gjithin KM. Ai madje është nga ata që ua jep makinën për xhiro vetëm Opozitës Parlamentare, kurse të tjerët kaq ta bëjnë dhëmbin, nuk mund ti japin.

Kryeministri e di që Tatra të cilës i ka hipur, mezi po ecën, ka difekte, sistemi i drejtimit, motori, balancimi, sistemi i frenimit, gomat e vjetruara dhe llamarinat e ndryshkura. Por ai nuk e ka ndërmend as ta dorëzojë, as ta dërgojë në servis.

Madje ka filluar të mburret se i jep pa duar. Eh çdo të na hedhë në greminë ky i çmendur, i dashuruar pas timonit dhe i papërgjegjshëm?! As mjet në rregull dhe as tru në vend. Ai thjesht po luan “kupa me timon, kupa pa timon”.

Edhe në 30 qershor e ndezi Tatrën e tij me të shtyrë, por në kolaudim nuk e kaloi dot se OSBE-ODIHR e nxorri që nuk ishte në gjendje të mirë teknike. Po ky si kaposh i fryrë vazhdon të mburret se di ti japë që çke me të.

Tashmë, ka shumë që po i zbresin Tatrës së tij, se ai nuk meriton timonin, kurse ne po na le trashëgimi një rrëkmë.