Nga Gentian Çala

KUR PËRDOR FATKEQËSINË

Thuajse është bërë sport për ne përdorimi i fatkeqësisë, e cila shpesh bëhet pjesë e debatit politik edhe në rastet kur ato na i sjell natyra ose zoti. Kjo është posaçërisht e dhimbshme kur manipulohet si situatë nga ata që kanë përgjegjësinë e marrjes së masave, nga Qeveria. Fillimisht përdorën paralajmërimin për fatkeqësinë, duke anatemuar Presidentin dhe duke vënë në pozicion të vështirë sizmologun grek me përvojë 40 vjeçare.

Kurse sot, Qeveria ka zënë ekranet e televizioneve me mbledhje, takime me qytetarët, me mbledhje këshilli, me qëllimin e vetëm që të krijojnë perceptimin se ata pu punojnë, ata po ndihmojnë. Por, ne kemi rastin e ngjashëm në Qarkun e Korçës ku dëmet ishin të kufizuara, më të pakta dhe ende shumë nga qytetarët nuk janë ndihmuar apo dëmshpërblyer. Edhe atje shkoi KM, i takoi, u premtoi dhe ende asgjë. Dhe sa herë që i kritikon, ata fillojnë mbrohen.

Nga mbledhja e grupit parlamentar të PS dhe nga goja e KM kuptuam se fondet për situatat emergjente janë, po përse nuk vihen në shërbim të qytetarëve?! Rasti i Korçës tregon paaftësinë e strukturave, jo për të ngritur një çadër, por për ti kthyer banorët në shtëpitë e tyre. Kur bëhet kjo e fundit, flasim për një shtet që funksionon dhe jo për një shtet që bën gjoja se po të ndihmon. Qeveria duhet të ketë gati një plan emergjence dhe ekipet e ndihmës apo të vlerësimit të dëmeve në terren, e jo të dalë vetë me një tufë kamerash nga pas, të cilat nuk zgjidhin asgjë veçse një show të dalëboje.

Fatkeqësitë nuk duhen përdorur nga askush, aq më pak nga Qeveria, ato duhet të jenë moment reflektimi mbi atë se çfarë dreq shteti kemi ndërtuar, duhet të jenë një moment solidariteti i sinqertë midis njëri-tjetrit, duhet të jenë një moment angazhimi që normaliteti të kthehet sa më shpejt në çdo familje. Ky është rasti kur tregojmë se bashkëjetesa vlen mbi çdo ndasi, sepse jeta mund të jetë e shkurtër dhe natyra e paparashikueshme. Ndaj bëni më shpejt, më shumë, si dhe mendoni se kjo që ndodhi dje mund të na ndodhë sërisht nesër. Ka kombe dhe popuj që kanë jetuar gjatë në situata të ngjashme dhe ia kanë dalë. Ne përse jo!?