Nga Gentian Çala

ME SYTË NGA DERA…

E kemi pasur këtë huq, por duket se na është shtuar. Kjo ka ecur paralelisht me paaftësinë tonë për të ndërtuar një shtet të konsoliduar dhe për të zgjidhur problemet tona vetë. Edhe tani, e shohim veten sërisht me sytë nga dera: si do të jetë Ambasadorja e re amerikane, çfarë do të thotë Makron, po Merkel, po Micotaqis, po …?! Me sytë nga dera nuk duket të jetë vetëm politika, po thuajse shumica e popullsisë, të cilët përpiqen që të gjejnë shtegun e ikjes nga vendi, sikur ikin prej dreqit. Pak janë ata që nuk i kanë sytë nga dera, nga të huajt, nga ikja.

Kjo të kujton se ne kulturalisht vazhdojmë të jetojmë për hijen e pemës e jo për pemën (sepse pema jemi ne, kurse hija është opinion i të tjerëve për ne), për atë që mendojnë të tjerët. Me sytë nga dera e ka edhe këtë dimension. Në fakt ne jemi ndërmjet të vërtetës dhe asaj që na perceptojnë. Nuk jemi as më të këqinjtë dhe as më të mirët e kësaj bote, por thjesht një shoqëri e dalë nga një periudhë e gjatë trushpëlarje dhe izolimi, e cila rropatet të gjejë më shumë dinjitet dhe mirëqënie. Kujtdo që i ka dhënë pushtet dhe mundësinë duke i deleguar drejtimin e punëve të vendit, ka bërë çdo herë më pak nga pritshmëritë tona.

Me sytë nga dera, të kujton përpjekjen e të sëmurit për të gjetur ilaçin e shpëtimit nga dhimbja morale a fizike qoftë. Ikja duket si llixha, të qetëson ca, por nuk ta largon sëmundjen. Ca plagë të reja të hapen dhe ti kupton se as të parat nuk u mbyllën. Po duket se ca punë, ca lekë më shumë, kushte më të mira jetese sikur ta mbushin veten, por dinjitetin shumë pak e përmbushin. Mendja të rri gjetkë aty ku ke lënë fëmijërinë, njerzit, toka e katandi, gjëra që nuk i ke gjetur atje ku je degdisur. Me sytë nga dera këtu dhe me mendje nga dera atje.

Sot pashë që Kryeministri i Libanit kishte dhënë dorëheqje, sepse i ishte bërë e pamundur qeverisja nga kriza politike, mendova se ishte treguar i përgjegjshëm, kurse te ne ka një Kryeministër që nuk e vret mendjen dhe nuk i bën përshtypje se njerëzit e popullit që drejton po i turren derës të ikin, kurse ky në mediat e veta trumbetohet si poltikani më i pëlqyer nga shqiptarët. Nga cilët se, nga ata që po ikin përditë?! Eh si mos ndihesh shpirtplasur, e si të mos duash të ikësh me vrap?! Fundja ata që zgjidhen për të drejtuar zgjidhen për të qenë edhe të ndjeshëm, edhe të përgjegjshëm, e kur nuk janë, thjesht duhet tu tregosh derën.

Fati ynë duket të jetë ende me sytë nga dera, nga ata që na duan, e nuk ka duan, nga ata që na shfrytëzojnë dhe nga ata që na përdorin, nga ata që duan tu bashkohemi, por ne ende nuk jemi gati, as tu përgjigjemi të parëve dhe as ti refuzojmë të dytët. Për aq sa jemi me sytë nga dera dhe jo nga përpjekja për të zgjidhur problemin tonë brenda shtëpisë, për aq kohë them se do të jemi larg vendeve të qytetëruara ku pretendojmë të bëhemi pjesë.