Nga Gentian Çala

NDOTJA MË E MADHE…AJO MORALE !

Ne flasim shpesh për disa lloj ndotjesh, ku mesa duket me shumicën prej tyre e kemi humbur betejën, ndoshta për një arsye qenësore, pasi ndotja më e madhe që po përjetojmë është ajo morale. Unë nuk befasohem kur morali është zhbërë dhe shitur për pak, në disa raste për më shumë para, për rehati, për pushtet apo famë.

Tashmë që politika i është kthyer për herë të 14-të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor në 29 vite pluralizëm politik, unë dyshoj se kjo do të zgjidhte shit-blerjen e votës, për aq kohë sa bjerrja jonë morale është e jashtëzakonshme. Ai do të ishte një Kod me disa rregulla të reja, por ata që duan të blejnë pushtetin, do të vrapojnë sërisht të gjejnë “viktimat’ e tyre të varfër dhe moralthyer. Pushteti sakaq i mbetet atij që blen, kurse ata që e shitën do të vazhdojnë ti shajnë nga mëngjesi deri në darkë ata te të cilët u shitën. E historia e ndryshimit të Kodit do të fillojë nga e para.

Moralthyerit e pushtetit vazhdojnë të tregojnë histori suksesi kur ne bëjmë hapa pas në ekonomi, në integrim, në sundimin e ligjit, në drejtësi e kështu me radhë, sepse askujt nuk munden ti dëshmojnë të vërtetën e dështimit të tyre në të gjitha aspektet. Pastaj, kanë kurajo që disa syresh prej tyre dalin të bëjnë edhe moral, pasi ti i ke kapur në përgjime, me fakte dhe dëshmi për korrupsionin, paaftësinë apo grykësinë e tyre. Të vjen të qeshësh dhe të qash njëkohësisht. Ata janë po aq të pafytyrë sa nuk të bëjnë vetëm moral, por edhe gjyqin publik.

Të vijnë kaq shumë gjëra në mendje lidhur me këtë temë, por nuk mundesh të mos e përmendësh njërën prej tyre, a ka më moralshkelur se ai që ke zgjedhur të drejtojë vendin, Kryeministri aktual, i cili nuk e merr përgjegjësinë që i takon!? Nuk ka as moral për të qëndruar dhe as kurajo për të ikur, mban peng një popull për pushtetin e tij dhe për sojlitë e tij.

Dikush që nuk paguan as faturën e dritave dhe me paratë për librat e fëmijëve luan kumar, ka kohë të shajë politikën nga A te Zh-ja duke i fajësuar për gjendjen e tij ekonomike, njëkohësisht shkon dhe proteston për një ekip futbolli, por jo për qeverinë që e vjedh dhe i shkel të drejtat. Në fund të ditës, shkon në shtëpi dhe u bën moral fëmijëve sepse kanë marrë nota të këqia në shkollë. Ndotja nuk ka kufij!

Ty të ndal në rrugë ai që konsiderohet ruajtës i ligjit, të ndalon dhe të ve gjobë, me të drejtë, pasi ke parë që para teje kaloi dikush i fortë dhe me pushtet, në të njëtin gabim dhe thjesht ruajtësi i ligjit i buzëqeshi dhe e la të kalonte. As moral dhe as drejtësi! Por as ai, ruajtësi i ligjit nuk ka faj, sepse shefi i tij duke drekuar me ata (të fortët dhe të pushtetshmit) do të marrë konsiderta negative dhe mund ta heqë nga puna. Histori të tilla ka pafund.

Moralin kanë filluar ta bëjnë ata që janë moralthyer dhe ti kupton se nuk të ka mbetur gjë tjetër veç të shkruash, të pandehësh se ata që e lexojnë do të kuptojnë, se pas like-ve të tyre do të gjesh mirëkuptimin që kjo ndotje duhet luftuar, por kupton që shumica as që e kanë lexuar. Fundja kush jam unë të bëj moral, unë thjesht desha të shkruaj për të. Ndaj njerëzit ikin, atje ku gjejnë ca më shumë paqe, ca më shumë drejtësi, ca më tepër shtet social. Kurse ne jetojmë me ndotjen nga të katra anët, ku shumë duket se janë mësuar me të dhe nuk u bën përshtypje.

Po na duhet një KOD i ri vlerash, për të rikthyer moralin në vend, për të zgjedhurit dhe banorët e këtij vendi, na duhet një kod që përjashton të pamoralshmen dhe i hap rrugën drejtësisë, barazisë së qytetarëve dhe iniciativës së tyre. Na duhet të pastrojmë këtë ndotje morale…