Nga Gentian Çala

PAS MEJE…U SHKRETOFTË!

Papërgjegjshmëria e liderëve politikë ka disa stade, por besoj se më i papërgjegjshmi është ai që beson se pas vetes duhet të lerë, thjesht një shkretëtirë. Kjo nuk është pa precedentë në historinë e shtetit tonë. Duket se gjasat janë që të ndodhë edhe me të papërgjegjshmin Kryeministër Edi Rama.

Shqipëria është duke kaluar njërin prej momenteve më të vështira në historinë e saj moderne, ku duket se vendin e kanë kapluar depresioni dhe eksodi masiv. Ky duket skenar mjaft i keq, por jo mjaftueshëm i tillë për qeverinë Rama 2. Tashmë në mes të rrugës së integrimit. Por pa busull dhe datë, vendi duket në udhëkryq, thuajse në një déja-vecù politik dhe ekzistencial.

Shpesh kam menduar se mbijetesa e Ramës në krye të qeverisë dhe në politikën shqiptare, nuk i atribuohet as “lojës së tij”, as “skakierës politike shqiptare”, por thjesht dhe vetëm, vënies së tij në shërbim të politikës së “peshës së rëndë” në Ballkan, ku vasaliteti i tij mund të jetë i dobishëm. Dikujt nuk i intereson aq shumë demokracia e një vendi të vogël, sa ç’intereson gjeopolitika, interesat e vendit të tyre dhe zgjidhjet strategjike.

Stabilokracia është një argument fake, për të fshehur ndoshta “usefulness” (i dobishëm apo i përdorshëm) dhe duket se te Edi Rama kanë parë dikë të tillë. Por, a është i tillë për popullin e tij?! Sot ai thjesht një elememt që mban gjallë krizën në vend dhe që gradualisht po e çon vendin në rrënim ekonomik, me standarte demokratike në kuota të ulta, me përpjekje për të kufizuar liritë. Më keq nuk mund të jetë.

Ky i papërgjegjshëm nuk duhet lejuar ta lerë pas vendin të shkretuar, sepse ky mund të jetë dëm i madh jo vetëm për shqiptarët, por edhe ata që mendojnë se ky është i “dobishëm”, pasi po humbasin një nga elementët e rëndësishëm të paqes në Ballkan dhe një komb me orientim tërësor euro-atlantik. Fundja, po nuk mbrojtëm vlerat nuk e di se si mund të kemi partnerë të besueshëm?!