Nga Gentian Çala

SHQIPËRIA BOSH?!

Sot isha në një nga krahinat më të vjetra dhe historike të zonës tonë, në Mokër. Ndalem të pij një kafe në fshatin e parë, pak njerëz pashë. Ulem me të zotin e lokalit dhe e pyes se si u shkojnë punët, kurse ai më pyeste se çfarë do të ndodhë. Duke tymosur cigaren më thonte se situata nuk është aspak e mirë, se çdo gjë e paguan më shtrenjtë dhe se të gjithë të rinjtë ikin. Pak më tutje rruga e re pjesërisht e asfaltuar dhe puna ishte ndërprerë. Kuptova se firmat nuk janë paguar, së paku kështu e dinin njerëzit aty.

Ndonjë makinë tek-tuk, e cila linte tymin nga pas dhe të krijohej një ndjesi boshllëku. Askush nuk fliste për bujqësi apo blegtori se mundësitë janë të pakta. Të gjithë të pakënaqur dhe nuk shihnin zgjidhje për jetën e tyre. Djemtë ikin ku të mundin, madje edhe në vendet e tjera të Ballkanit. Punonin kryesisht për 15 – 25 € në ditë. Po këtu çfarë të bëjmë thonin ata dhe tundnin kokën duke shprehur dëshpërimin e tyre.

Në kthim ndalemi me disa shokë, miq të vjetër. Të gjithë flisnim për gjendjen aktuale, madje me zë të lartë. Sërisht tema e bisedës ikja e të rinjve. Disave u duhet të udhëtojnë disa herë në javë në Korçë për të mësuar në kurs privat gjuhën gjermane. Duket si epidemi kjo e ikjes. E keqja është se po mësohemi me të dhe po e inkurajojmë. Unë mendoja se shumë prej nesh pas më shumë se 1 dekade do të ishim në moshën e tretë dhe imagjinoja Shqipërinë bosh, vetëm me të moshuar.

Duket sikur të gjithë e presin ndryshimin nga tjetri, të pakënaqur, të indinjuar, por duket se thonë se ikja s’ka alternativë. Shqipëria bosh ka vetëm një alternativë ndryshimin e shpejtë të situatës dhe rikthimin e shpresës.

Image may contain: house, tree and outdoor