Nga Gentian Çala

TË ISHA NË VENDIN TUAJ DO TË TURPËROHESHA Z.RAMA

Nuk e di nga ta nis, sepse ka aq shumë gjëra që dua të ti them, jo sepse nuk ndaj të njëjtën ide politike me ju, por… Çfarë po them, po ku ke pasur ndonjëherë bosht politik ti, politika tënde ishte pushteti, në këmbim të zbrastisë së brendshme, e cila nuk mbushej dot?! Mendoj se ende e ke bosh atë pjesë dhe nuk ka asgjë që ta plotëson.

Shumë njerëz besonin te ty, ju dukeshe vizionar, por sapo binin në kontakt me ju e kuptonin se e kishin pasur gabim. Njerëzit për fat të keq u besonin fjalëve tuaja, por sjellja tënde ishte krejt gjë tjetër. Ti zhgënjeve shumë njerëz, bashkëpunëtorë e miq, ushqeve ca të tjerë, që dinë vetëm pazarin ta ndajnë mirë me ty. Për fat të keq edhe në pazar ishe pa skrupuj, sepse në pazar nuk bëhe dallim, në tryezë ulje të mirë e të këqinj. I bëre çorbë!

Ti ishe dhe mbete fasadë pa brendi, aksion pa rregull, mish pa virtyte. Kur kujtoj se edhe drogën lejove të mbillet ngado në vendin tënd apo kur ishe gati të bëje pazar me tokat shqiptare, më vjen për të vjellë, nga turpi. Edhe ca punë i ke dreqosur, ke bërë ligje të përligjësh vjedhjet. Lakejtë e servilët të mbajnë për Skëndërbe, ndërkohë që nuk arrite të jesh më shumë se Don Kishot.

E di pse nuk arrin dot të bëhesh një burrë shteti, sepse nuk e kupton që vjen një moment tërheqje, jo se këtë ta kërkon dikush, por i duhet të mirës së vendit. Nuk bërë asgjë, bash asgjë, për zgjedhje me standarte, madje shfrytëzove bojkotin e opozitës për të marrë pushtetin vendor. Misionar jo, burrë shteti jo e jo, tashmë të ka mbetur të tregosh se brenda teje ka një grimë shpirt që nuk është infektuar nga etja për pushtet.

Koha po vjen duke u shtrënguar dhe atë që nuk e bën ti vetë, do të ta sjellë ajo me hir a me pahir. Unë kam besuar se njerëzit, madje ata më të paudhët, mund të reflektojnë në një moment. Në atë moment ata lenë pas ambicien dhe çdo synim, mendohen dhe bëjnë gjënë e duhur. Humbja e ofiqeve dhe e pushtetit nuk është gjë e lehtë, por nuk është domosdoshmëri për një jetë të paqtë dhe produktive. Koha po rrjedh dhe dita e fundit e qeverisjes tënde nuk është larg.
Pyetje është si del, kokëulur dhe i turpëruar apo e mbyll me dinjitet?!Mendoje..!