Nga Gentian Çala 

TRE NGJARJE, NJË DORË

Vetëm në një vend të çuditshëm, të zhytur në marrëzi dhe të kriminalizuar mund të ndodhë që në harkun e dy ditëve të ndodhin tre ngjarje që marrin vëmendjen e publikut pasi dirigjohen nga e njëjta dorë. Ja pra kjo është lidhja, dora që i përzien të gjitha bashkë. Madje diskutimet politike duken ndonjëherë si diarre e kotë.

Një sasi e madhe kokaine nuk arriti në destinacion, kurse ai që e priste mallin ia ka mbathur sepse dikush e lajmëroi. Dikush nga brenda, nga policia e Shqipërisë, e akuzuar dhe impilikuar në shumë raste në trafiqe. Vlera ishte kaq e madhe saqë ke të drejtë të dyshosh se mund të ketë edhe të tjerë njerëz me pushtet të implikuar. Hashashi kur nuk shitet, këmbehet me heroinë në Turqi, i gjithë biznesi vazhdon. Nëse qeveritarët nuk janë drejtpërdrejt të implikuar, ata janë fajtorët për kanabizimin e vendit.

Venecia u shpreh, madje përmes një dokumenti që kishte një datë të mëvonshme. Draft apo raport përfundimtar, vetëm ata e dinë. Dikush mezi e priste. Lajmi doli fillimisht në mediat proqeveritare. Secili përpiqej ta lexonte sipas pritshmërive që kishte, jo sipas asaj që shkruhej. Parashuta rilindase e shkarkimit të Presidentit duket që nuk u hap, Spiropali dhe Balla nxituan të flasin, kurse Rama e kundronte nga New York-u diskutimet. Tashmë shkarkimi mbeti flluskë që e frynë sa mundëm dhe po pëlcet.

Qeveria duhej ta shpërblente Patozin për kontributin e tij të 30 Qershorit. Braçe me tagrin e deleguar nga Rama dhe me urdhër të tij i jep në përdorim partisë së tij një vilë, madje edhe me palestër. Bindja e bindi Ramën se i duhej shtëpi, kurse Murrizi nuk e ka bindur ende se deputetëve të opozitës së re u duhen shtëpi, ku të fusin kokën. Kjo nuk do të thotë që Rama nuk do ta pranojë, por do të varet nga sjellja e tyre në të ardhmen.

Ah moj Shqipëri në ç’duar ke rënë?! Bëjnë si duan, çfarë të duan, nuk pyesin për asgjë dhe në fund të shesin dëngla me ligje, kushtetutë, e si tu vijë për mbarë. Ata që nuk i kontrollon askush dhe që nuk përgjigjen për asgjë. Ata të bëjnë moral nga mëngjesi deri në darkë?! Po ju the jo, të ndjekin me komision, me polici, me gjykata, por po qe i mirë e i urtë të japin zyra e shtëpi. Ata të shkarkojnë e të gjykojnë po i dole ballazi, sepse i pengon, i pengon ta vazhdojnë punën e rrënimit të vendit dhe të pasurimit të vetes.