Nga Nora Mal

Për familjen dhe për dashurinë pa kushte që ajo të dhuron!
Sot ishte dita ndërkombëtare e familjes. Në këtë ditë ndamë së bashku me studentët e masterit dhe shoqatën ASAG (Shoqëria shqiptare për të gjitha moshat), sesa shumë vlera ka familja, sidomos në ditët e sotme, kur shumëkush të fut në kurthin dhe në intrigat e vockla, që shpesh janë jo njerëzore.
Familja jo gjithnjë mund të jetë e përkryer, ashtu si dhe shoqëria që në bazën e saj ka familjen… Ne diskutojmë, por edhe grindemi, madje ndonjëherë ndalojmë së foluri me njëri- tjetrin për një kohë. Por në fund familja është familja… Dashuria do të jetë përgjithmonë aty. Për të të ruajtur nga kurthet dhe intrigat që shpesh të ofron shoqëria në sfidat e jetēs. “Ndaj për të vendosur botën në rregull, duhet të vendosësh kombin në rregull, për të vendosur kombin në rregull, ne duhet të vendosim familjen në rregull, për të vendosur familjen në rregull, ne duhet të kultivojmë një jetë personale, ne fillimisht duhet të drejtojmë zemrat tona”. Ky pohim i Konfuncit, tregon se familja është bërthama e shoqërisë, ndaj dhe për mua, familja vjen e para, pasi kjo ma bën çdo hap edhe më të lehtë.
Për ta përmbyllur për të gjithë ju të nderuar studentë, lejomëni t’ju lexojë poezinë që im at (ndjesë pastë) ma lexonte kur isha paradoleshente, si një mesazh për tërë jetën time dhe si një trashëgimi për t’ia lexuar edhe unë djalit tim më pas dhe më vonë mbesës sime, si një busull orientuese në jetë:

Në mundsh…
(Rudyard Kipling)

Në mundsh të ruash arsyen kur bota humbet fillin
e fajin ty ta hedh dhe vehtes t’i besosh,
sa herë te ty dyshojnë e s’të perfillin,
por edhe dyshimet drejt t’i gjykosh…

në mundsh të rrish në pritje nga pritja palodhur,
a kur t’urrejnë, urrejtje mos t’ushqesh,
madje ndaj shpifjeve të rrish pa folur,
me thjeshtësi me to pa rënë ndesh…

në mundsh t’mendosh por jo gjer në shkaterrim,
t’ëndërrosh por jo si rob ëndërrimesh.
dhe ti t’i trajtosh një lloj e pa dallim,
ngadhnjimin e shpartallimin, burim mashtrimesh…

në durofsh dot që thëniet e tua të drejta
në kurthe trutharët, kopukët të t’i kthejnë,
t’i shohësh të thyera gjërat më të shtrenjta
e prap t’i ndërtosh me vegla që nuk vlejnë

në mundsh fitoret që ke korrur t’i flijosh,
si në kumar me një të vetme lojë,
të rrezikosh e prap t’ja fillosh dhe
humbjen kurre të mos e zësh me gojë…

në i detyrofsh dot muskul, nerv dhe puls e zemër,
të të shërbejnë edhe kur gjithçka duket e kotë,
e të qëndrosh kur s’ke asgjë veç vullnetit,
që veç një fjalë, “qëndro”, gjithnjë të thotë…

në mundsh të flasësh me maskarenj, por nderin tënd të ruash
a t’ecësh përkrah mbretit pa krenari që të verbon…
nëse armiku apo miku s’të bëjnë dot të vuash
dhe gjithkënd e çmon, por veç aq sa meriton

në mundsh t’i mbushësh ti minutat
që të rënda me veprat që peshojnë
dije dhe mos ke asnjë dyshim,
se e jotja do jetë bota me gjithë ç’ka brenda

dhe BURRE do t’jesh o biri im.
Faleminderit që sot bëmë një terapi në grup !
Faleminderit për momentet dhe idetë që sot ndamë së bashku! Jeta është e bukur dhe njerëzit janë akoma edhe më të bukur!