Rreth 350 mijë dokumente që datojnë nga shek XV-XX me rëndësi historike kombëtare kanë ardhur nga Arkivi Qendror i Stambollit në formë digjitale të cilat shumë shpejt do të jepen për shfrytëzim për të gjithë historianët dhe studiuesit.

Si ishte Shqipëria dhe shqiptarët në Periudhën Osmane? Një zbulim i bazuar në fakte, i cili do të hedhë dritë edhe mbi kohën e sundimtarëve vendas dhe jo vetëm, që nga Ali Pashë Tepelena e Ismail Qemali.

Këto dokumente, që përbëjnë gjysmën e arkivës së periudhës së shekullit të XV dhe XX janë me rëndësi të lartë historike kombëtare dhe shumë shpejt do të jepen për shfrytëzim për të gjithë historianët dhe studiuesit.

Drejtori i Përgjithshëm i Arkivës, Ardit Bido, tha se pritet të hedhin dritë mbi atë që ka mbetur e pazbuluar nga historianët.

Bido: Është një mori e jashtëzakonshme dokumentare, që duhet të kalojë në një proces renditjeje. Sipas parashikimeve tona nga fundi i vitit të ardhshme do jenë gati dokumentet për shfrytëzim.

Kjo bëhet për të pasur një pamje të qartë historike mbi ato gjëra që nuk ishin të qarta. Do kemi gjithë pasurinë kombëtare mbi periudhën osmane. Asnjë studiues s’do duhet të shkojë në arkiva të tjera, do t’i ketë të gjitha këtu për Shqipërinë në periudhën osmane. 

Dokumentet që kanë ardhur janë të njëjta me origjinalet. Asnjë dokument i periudhës osmane nuk është sekret, por janë dokumente që nuk i dinim deri më dje. Ju takon historianëve t’i analizojnë. Dokumentet kanë të bëjnë me çështje fetare, arsimore si dhe shkrimin e gjuhës shqipe. Kemi regjistra ku përfshihen qytete të rëndësishme Prizreni e Janina. 

Në mesin e këtyre dokumenteve ndodhet edhe fermani me këshilla administrative që i është sjellë Ali Pashë Tepelenës. 

Por studiuesit ngrenë shqetësimin e mungesës së njohësve të gjuhës osmane.

Gjatë vitit 2016 u morën rreth 5 mijë dokumente. AKSH përmban sot tërësinë e dokumenteve pas Pavarësisë, por edhe tërësinë e dokumenteve gjatë Periudhës Osmane.

Çfarë përmbajnë dokumentet?

Dokumentet e marra përbëjnë përafërsisht gjysmën e të gjithë dokumenteve që Arkivi i Stambollit ka mbi Shqipërinë dhe shqiptarët dhe që pjesa tjetër pritet të merret shumë shpejtë.

Pjesa më e madhe e tyre i përkasin shekullit 19 dhe 20, ku tregohet për zhvillimet për Shqipërinë e shqiptarët në Perandorinë Osmane, reformat, kryengritjet shqiptare dhe masat osmane për t’i shtypur ato, çështjet fetare, arsimore, ku madje trajtohet edhe çështja e shkrimit të gjuhës shqipe.

Dokumenti më i vjetër i 8 shkurtit 1455 – Është një regjistër që përfshin timare në Rumeli ku përfshihen dhe qytetet shqiptare si Prizreni, Janina dhe Elbasani.

Ndër materialet që arkivi ka marrë është edhe urdhëresa që u është dërguar mytasarifëve të Ohrit, Vlorës, Delvinës, valiut të Bosnjës dhe myteselimit të Podgoricës, për arrestimin e mutasarifit të Shkodrës Mahmut Pashës dhe vëllait të tij Ahmet Pashës, të Bushatllinjve, për shkak se kanë bashkëpunuar me kryengritësit shqiptarë dhe malazezë.

Në mesin e këtyre dokumneteve ndodhet edhe fermani me këshilla administrative që i është sjellë Ali Pashë Tepelenës për të siguar rregullin dhe qetësinë në kalanë e Pargës, Prevezës, Potrinit dhe Dubnicës, që u rimorën prej francezëve.

Po ashtu, një ndër dokumentet është edhe shkresa e përgjegjësit të Moresë, Ahmet Pashës, ku urdhërohet Kurt Pasha dhe pashallarët e tjerë për të mos lejuar kthimin e shqiptarëve të shpërngulur përsëri në More, pra arvanitasit.

Edhe pjesa tjetër e materialeve të tjera po ashtu janë shkresa, urdhëresa dhe fermane që japin një pasqyrë për zhvillimet politike dhe shoqërore të shqiptarëve nën Perandorinë Osmane, ndërsa ka edhe të dhëna biografike të Ismail Qemalit si nëpunës i administratës osmane.