Profil nga Tea Islamaj

Të përfshihesh në politikë dhe të jesh i ri sot në Shqipërinë tonë të vogël, është një ndër proceset më të vështira të të përjetuarit. Një gjë e tillë nuk mbetet më e pa faktuar pasi kemi shumë të rinj që kanë arritur t’ja dalin në këtë fushë, duke u bërë pjesë e këshillave bashkiakë që në adoleshencë, por edhe duke hyrë në Parlamentin shqiptar.  Një rrugëtim jo pa shumë vuajtje, por gjithashtu duke marrë detyra të rëndësishme si moralisht edhe ligjërisht mbi shpatullat e një të riu në vendin tonë.

Gjatë 30 viteve tranzicioni të vazhdueshëm, Shqipëria ka nxjerrë mjaft figura si potencial i fuqishëm për të nxitur ecjen përpara të vendit, përfshirë në këtë sferë ka qenë dhe politika. Si një vend i vogël, ne populli shqiptar nuk e përjashtojmë politikën as nga tryezat familjare,as nga kafenetë, as nga zyrat e punës apo rrugës kur ecim drejt një destinacioni. Duket sikur të bërit politikë është gjithmonë një trend që është ushqyer në venat e një shqiptari për vite e vite me radhë.
Floida Kërpaçi është një e re, e cila shkallë-shkallë arriti të çajë në brigjet e pakursyeshme e të thepisura të politikës. E ka nisur herët politikëbërjen, duke arritur të zgjidhet deputete në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017, një mandat që për shkak të rrethanave ku ndodhej vendi nuk arriti ta përfundojë.

Kërpaçi flet gjithë zell për politikën, e kryesisht për partinë ku aderon që është Lëvizja Socialiste për Integrim. Sytë e saj shkëlqejnë kur tregon se si mbeti në zyrat e LSI-së si një adoleshente që gjatë gjithë paradites kishte studiuar në bangat e gjimnazit “Petro Nini Luarasi” në kryeqytet.

“Ishte një miku im që më ftoi të bëhesha pjesë e LRI në vitin 2012, në atë kohë një trend për të gjithë të rinjtë. Hezitova në fillim, por që kurrë nuk e mendoja që pas 5 viteve do të isha unë ajo që do të drejtoja këtë forum”, thotë ish-deputetja tashmë, teksa në zërin e saj ndihen tonet e krenarisë, të cilat në ndonjë moment tek-tuk nuk arrin ti fshehë.

Por kush është Floida Kërpaçi?

Floida lindi në Sarandën e bukur, më 17 maj të vitit 1994, por me origjinë është nga qyteti i gurtë i Gjirokastrës. Ajo vjen nga një familje jo shumë e madhe, por është rritur me mjaft dashuri. Emrin ia vuri e motra Valbona që bashkë me të atin, pas disa diskutimesh plot argumente vendosën ta quanin Floida. Ajo u largua nga vendlindja në moshën 6 vjeçare, për të filluar klasën e parë në shkollën “Edit Durham” në kryeqytet. Ishte një studente ekselente, me ëndrra të mëdha për tu bërë mjeke. Por rruga ndonjëherë ka dhe “shkarjet” e veta, teksa fati deshi që ti futej politikës. Tashmë ish-deputetja rrëfen se i ati ishte shumë skeptik, pasi druhej se ky angazhim do ta ndante atë nga librat e shkollës.

“Prindërit e mi kanë dashur që gjithmonë të mësoj, sepse sipas tyre ky kriter të hap gjithmonë dyer. Babai mendonte se do të ndahesha nga librat, por këmbëngulja ime bëri që t’u tregoja që pavarësisht vështirësive, ëndrrat dhe vullneti të bëjnë t’ia dalësh gjithmonë. E mbaj mend  ditën kur unë u kam komunikuar prindërve të mi që do isha kandidate për këshilltare të këshillit Bashkiak. Atë ditë babi më shprehu për herë të parë që ishte i lumtur që nuk e kisha dëgjuar për fushën e politikës”,  thotë  Floida, e kënaqur për guximin dhe këmbënguljen plot rezultate. Është një vajzë mjaft e thjeshtë , madje rrallë herë rastis që ta shikosh të lyer, pasi kështu e thjeshtë ndihet vetvetja.

 

Fakti se si një vajzë adoleshente mundi të hyjë në zemrën e Monika Kryemadhit, Floida shumë modestish na tregon motivimin që ka marrë që herën e parë nga kryetarja e saj, e ka nxitur për të punuar.

“Takimi i parë ka qenë i mbushur me shumë emocion. Kisha përpara një grua për të cilën ishte folur shumë dhe që unë kisha shansin ta takoja dhe për më tepër të diskutoja. Ishte diçka mjaft e veçantë për mua, deri në momentin që filluam të konsultoheshim për disa aktivitete dhe kuptova që ishte një politikane dhe grua shumë herë më e thjeshtë se sa kisha dëgjuar”, rrëfen kryetarja e LRI.

Teksa e pyes për rrugëtimin në politikë, shpjegon fare mirë që nuk ka qenë fushë me lule për të, por i është dashur të punojë dhe të lodhet si fizikisht ashtu edhe mendërisht për të arritur aty ku është sot, edhe pse kurrë nuk e kishte menduar se ndonjëherë do të kapte pozicionin që gëzon në këtë ditë.

“Nuk ka qenë fare e lehtë, sepse kërkon fokusim shumë të madh, por objektivi im është motivimi i moshatarëve të mi dhe jo vetëm, që duke qenë të gjithë bashkë mund t’ja dalim.” Në fytyrë duket e lodhur shpesh, por kjo tregon qartë punën kolosale që bën ajo gjatë gjithë ditës. Teksa e shoh me vëmendje kur flet me gjithë atë pasion për punën që bën, më kujtohen gjithmonë mbledhjet ku kam pasur fatin shpesh të jem prezente. Me një thjeshtësi që e karakterizon edhe gjatë bashkëbisedimit tonë, ajo arrin të organizojë qindra të rinj nga e gjithë Shqipëria.

 

Pavarësisht të gjitha detyrave që ka në LSI  me struktura pak më të rritura, duket që Floidës 25 vjeçare nuk i largohet dot shpirti nga të rinjtë e Lëvizjes Rinore për Integrim, teksa shikon që në ekranin e telefonit të saj gjatë gjithë kohës radhiten emrat e LRI-stave që e pyesin për ndonjë kafe apo ndonjë pikëpyetje që ata kanë. “Në LRI jemi si një familje e madhe, rrimë gjatë gjithë kohës bashkë dhe kemi krijuar atë grupin tonë që vetëm rritet. Misionin dhe punën tonë e organizojmë të gjithë në grup”, rrëfen ajo.

 

Floida Kërpaçi ka qenë një ndër zërat më të rëndësishëm të Lëvizjes Socialiste për Integrim kur bëhej fjalë për të protestuar apo edhe për të ndërmarrë hapin ekstrem të djegies së mandateve. Ky veprim i saj i jep forcë dhe besim te qytetarët që e duan këtë vend. “E çfarë vlere mund të ketë mandati im, kur kreu i qeverisë helmon çdo ditë popullin e tij?”, shprehet Floida, duke preferuar që si në ditën e parë por edhe sot ta mbyllë këtë diskutim me vetëm një fjali, por mjaft domethënëse. Në mënyrën se si e shikoj që flasë, vë re bindjen e saj për të qëndruar në këtë vend. Vëmendjen ma marrin duart që e ndihmojnë të tregojë më qartë mendimet. I shtrëngon dhe fërkon gjithë kohës si një shpëtim për ta ndihmuar të shprehë brengën e madhe të të bërit politikë në Shqipëri. Ndoshta është instiktive, por gjatë gjithë kohës ka axhendën përpara, një bllok i vogël, të cilin “ledhaton” dhe shfleton pa vetëdije.

Në një kohë që ditët kalojnë dhe gjithmonë ngërçi politik duket sikur thellohet edhe më shumë, Floida ka mbushur plot 2 vite nga fjalimi i saj i parë në Parlamentin e Shqipërisë, kur ishte vetëm 23 vjeç. I kujton me shumë mall dhe ëndje ato kohë, teksa nuk harron për asnjë moment çastin betuar në Parlament për të qenë zëri i të rinjve dhe qytetarëve shqiptarë.

“Betimi në Parlament ka qenë një moment që e kam përjetuar me shumë emocion. U betova dhe në të njëjtën kohë mora një përgjegjësi shumë të madhe, për të qenë përfaqësuese e popullit në atë institucion. Që nga ajo ditë nuk reshta që foluri e punuari për të rinjtë e të rejat dhe qytetarët e vendit tim.”

Vajza gjirokastrite nuk reshti së marri fjalën nga foltorja e Kuvendit për të ngritur zërin për të gjitha problematikat që mundonin të rinjtë shqiptarë, që nga emigrimi, varfëria, papunësia apo edhe dinamika e rrjedhjes së temës së Maturës Shtetërore.

 

Kur e pyet se si u përshtat në komisionet parlamentare, ish-deputetja e re thotë se ka qenë një ndër gjërat më të thjeshta për të. Marrja me politikë që në moshë të hershme, ka arritur ta gdhendë atë në socializimin me shoqëri të ndryshme, teksa të qenurit strikte e ka shoqëruar gjithmonë në kryerjen e objektivave të saj.  “Një gjë që doja të ndryshoja nga vetja është fakti që jam shumë korrekte dhe strikte. Shumë herë s’duhet të jesh”, tregon ajo teksa shpesh i hedh sytë gjetkë si për të kërkuar një orë, e për të ditur se si të organizohet për takimin e radhës.
Ashtu e thjeshtë dhe me një fytyrë që tregon se sa mendjemprehtë është ajo, Floida Kërpaçi duket e bindur për të gjitha vendimet që ka marrë deri më tash në politikë, e duket se për këtë nuk ka asnjë që ta bëjë të kthehet pas.

“Unë besoj se me më shumë të rinj e të reja në Parlament, me gra dhe vajza, politika në Shqipëri do të jetë më përfaqësuese dhe e drejtpërdrejtë për hallet e qytetarëve”, thekson ajo.

Mesazhin e ka shumë të qartë në mendjen e saj: “ Të luftojmë për Shqipërinë europiane dhe atë të të rinjve shqiptarë”, thotë ajo, teksa me ngut takohemi për të vijuar më mbledhjet radhë-radhë të ditës.

Në një kohë që zbresim shkallët ashtu nxitimthi, nuk harron të thotë edhe diçka që më mbeti në mendje dhe gjatë gjithë rrugës e kam përsëritur me vete: “Në ditët që jetojmë, me vështirësitë ekonomike, politike, sociale të vendit,e ku mijëra të rinj  po largohen, duhet të gjejmë forcën e bashkimit të zemrave për të rikthyer shpresën, sepse e ardhmja jonë është në Shqipëri. Misioni ynë për ta bërë Shqipërinë një vend më të mirë, duhet të nisë nga secili prej nesh!”