Nga Tea Islamaj

Nga ngelësja, për qeverucat!

Kjo shkolla e lartë na e shpifi veremin! Tre vite të bachelorit kanë qenë të mbushura plot me protesta dhe me kundërshtime të forta ndaj këtyre palo ligjeve që tentojnë ti mbyllin gojën brezit të së tashmes dhe së ardhmes.

Por sot ishte ndryshe! Sot mu rikthyen në memorie protestat e vazhdueshme të miat dhe të shokëve të mi pak para se të fillonim shkollën e lartë. Të dënuar për shkak të një “Reforme Arsimi” të dështuar ende pa nisur, për pak sa nuk mbetëm pa një shkollë të lartë, në një kohë që shumica morën përsipër riskun e të vazhduarit një shkollë private edhe pse mundësitë financiare ishin thuajse të pamundura. Nuk e gjetëm të drejtën, Nikolla tha se faji ishte jetim, edhe pse ligji i maturës ndryshoi vetëm një ditë përpara provimeve përmbyllëse.

Pak maturantë ishim, sepse edukata e të protestuari për të drejtat tona si të rinj, nuk ishte injektuar nga prindërit. Ato pak zëra të paktën bënë që ministrucja jonë të denjonte të na shpjegonte se viza e famshme e kuqe zbriste. Të paktën kaq ia arritëm.

Por sot ishte ndryshe! Sot ishte një rrugë nga fillimi në fund me bashkëmoshatarë të mi teksa kërkonin të drejtën, të drejtën që ua mohon një institucion që përpiqet ti shmanget përgjegjësisë, të drejtën që për kaq vite nuk e kërkuan ata që ishin para nesh, të drejtën që do e fitojnë vetëm brezat më pas.

Nuk kërkojmë shumë. Duam vetëm arsim publik me taksa minimale, edhe pse bota paguajnë studentët e jo tu marrin lekë. Duam vetëm kushte në konviktet e shoqeve dhe shokëve tanë, që të ndihen sado pak si në shtëpi. Duam fundja kartën e stërpërfolur të studentëve. Duam që ato dreq provimesh që i lëmë për përmirësim në vjeshtë, të jenë falas, sepse për çfarëdolloj arsyeje është e drejta ime që të shkoj në një mundësi të dytë në provim, për sa kohë që ligji i arsimit e parashikon diçka të tillë.

Mos mendoni se me një deklaratë mediash të blera mund të shpëtoni nga një faj kaq i madh, aq më tepër kur një palo piktor drogaxhi na shan e ofendon me të madhe “NGELËSA”. Nuk keni shpëtim jo! Sa më shumë dilni dhe mbuloni diellin me shoshë, aq më tepër na nxisni të rikthejmë kohën e rrëzimit të busteve, e kohën e rrëzimit të qeverive.

Nuk e lë fatin tim në dorën tuaj!