Nga Gentian Çala

LETRA SA PËR TË LARË GOJËN

Reforma, Kodi, duken si koncepte që do të përcaktojnë sjelljen tonë në një garë zgjedhore. Kështu do të duhej të ishte, por në realitet nuk është, se ato kthehen në letra pa vlerë. Rama, sapo ju drejtua me një letër Opozitës reale të vendit duke i ftuar të marrin pjesë në Reformën Zgjedhore, pra në ndryshimet e Kodit Zgjedhor. Por, a e ka fajin Kodi apo njerëzit që e zbatojnë atë?! Unë them të dyja, por i bashkohem idesë se në Shqipëri nuk është problem Kodi, sa ç’janë pushtetarët që duhet ta zbatojnë.

Natyrisht që Kodi ka nevojë për ndryshime, por garanti Qeveri është po ajo që bëri presion mbi votuesit, që bëri pakt me krimin dhe që deformoi votën. Kjo është si të ulesh të negocijosh me hajdutin dhe të diskutosh sesa prej mallit të vjedhur do të të kthejë dhe si. Rama e bën thirrjen sa për sy e faqe, se kështu ia kërkon puna, duke u përpjekur të duket dialogues, i hapur dhe bashkëpunues. Ai në fakt është koka e një strukture antizgjedhje të lira dhe i deformimit të votës. Kurse letra e tij është sa për të larë gojën, demagogjike fund e krye.

Kjo më kujton letrat ndaj studentëve dhe letrat ndaj Bashës, të cilat nuk prodhuan asgjë, nuk çuan askund. Madje sot i kujton opozitës bashkëjetesën përtej dallimeve në qëndrime dhe zgjedhjen e tyre për të lënë parlamentin, duke harruar se bashkëekzistenca dhe parlamentarizimi u minuan prej tij. Rama pasi ka bërë gjithçka që të të nxjerrë jashtë, të hap derën dhe të thotë hyr brenda?! Çfarë hipokrizie, e cila nga opozita reale nuk mund të pranohej kurrsesi. Sepse njerëzit kanë cipë dhe nder, nuk janë si ai. Në fund e mbyll duke u thënë se takohemi kur dhe ku të doni ju, ndërsa opozita ka kohë sa të duash.

Ky mjeran harron se ç’ka bërë deri më sot dhe ka kurajo të shkruajë sërisht. Ai ka gjithë pushtetet, për çfarë i duhen? Apo i druhet ndërkombëtarëve dhe së nesërmes?! Kjo ishte ftesa më e keqe që ka shkruar ndonjëherë sepse ishte më e pasinqerta. Ky është mendimi im. Opozita reale natyrisht që nuk duhet të qëndrojë jashtë diskutimeve për Reformën Zgjedhore, por jo sepse këtë e do Rama, por se është në të drejtën e saj dhe aspak prej paçavures së tij, të njeriut që nuk e njeh turpin dhe brejtjen e ndërgjegjes.