Një sondë e lëshuar të hënën në hapësirë pritet të fotografojë më në detaje se kurrë sipërfaqen e Diellit. Misioni është studimi i fenomeneve diellore që ndihen drejtpërdrejt edhe në planetin Tokë.

Agjencia Europiane e Hapësirës ka lëshuar me sukses një satelit me qëllim studimin nga afër të Diellit.

Sonda diellore u lëshua të hënën në orën 5 të paradites nga një bazë amerikane në Floridë, dhe pritet të lundrojë kozmosin për 10 vite me radhë.

“Synimi ynë është sigurisht të kuptojmë më mirë Diellin dhe se si proceset që ndodhin brenda dhe në sipërfaqen e tij ndikojnë direkt në jetën dhe pajisjet tona në Tokë, te astronautët në hapësirë, për shembull erërat, cikli dhe fusha magnetike diellore,” informon Paolo Ferri, shefi i operacioneve në Agjencinë Europiane të Hapësirës.

Sonda me përmasën e një automjeti pritet të afrohet në distancën 42 milionë kilometra mes trupit të zjarrtë qiellor dhe Tokës, e mbrojtur nga një mburojë e trashë titani për t’i rezistuar nxehtësisë.

“Duhet të imagjinosh se në këtë distancë, Dielli shndrit 13 herë më fortë sesa në Tokë. Çdo pjesë e satelitit që do i ekspozohet dielli do kapë temperaturat 500 gradë Celsius ose më shumë,” shton shefi i qendrës së operacioneve.

Pamjet e para të sipërfaqes së Diellit pritet të transmetohen nga sonda gjatë hyrjes në trajektoren finale, përmes forcave gravitacionale të planeteve të Tokës dhe të Venusit.

Misioni i ri diellor është një bashkëpunim i agjencive europiane dhe asaj amerikane të aeronautikës dhe hapësirës.