Nishani: Nxitja e turizmit mes Shqipërisë dhe Bosnje Hercegovinës

Në përmbyllje të vizitës shtetërore në Bosnje Hercegovinë, Presidenti Bujar Nishani, i shoqëruar nga Zonja e Parë, Odeta Nishani, dha një pritje në Sarajevë, ku morën pjesë miq të Shqipërisë dhe shqiptarëve si, ish-presidentë, ministra, deputetë, diplomatë, drejtues të bashkësive fetare, ushtarakë, intelektualë, Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë Adriatik Llalla, si dhe mjaft bashkatdhetarë që jetojnë e punojnë në kryeqytetin boshnjak.

Kreu i Shtetit e konsideroi vizitën në Sarajevë një shenjë të vullnetit të padiskutueshëm për zhvillimin e marrëdhënieve sa më të mira mes dy vendeve. “Rajoni ynë në përgjithësi dhe sidomos vendi juaj i mrekullueshëm Bosnje Hercegovina si dhe Kosova, në fundshekullin që lamë pas, kanë kaluar nëpër tmerre dhe stuhi të paimagjinueshme nga etja për dominim nga të tjerët si dhe nga intoleranca e paparë”, tha Nishani në përshëndetjen e tij.

Fryma e solidaritetit, bashkëjetesës dhe mirëkuptimit të ndërsjellë duhet të jetë rruga jonë e përbashkët, për të gjithë rajonin, tha ai. Rruga e vendeve tona është e qartë dhe e padiskutueshme drejt integrimeve Euro-Atlantike dhe Bashkimit Evropian. Integrimi i të gjithë rajonit tonë në BE dhe NATO e bën Ballkanin me të sigurt, e bën Evropën me të qetë dhe më të integruar, nënvizoi kreu i Shtetit.

Duke iu drejtuar shqiptarëve të pranishëm, Nishani u shpreh krenar për bashkëkombësit e tij që jetojnë e punojnë në Bosnje Hercegovinë, si qytetarë dinjitozë, punëtorë dhe krenarë me identitetin e tyre kombëtar.
Ne, shqiptarët, vijoi ai, nuk kemi asnjë varr të vetëm në vendet fqinje, që të kemi shkuar për të pushtuar dikë, por kemi gjithandej varre ku kemi dhënë jetën duke mbrojtur vendin ku kemi jetuar, në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për vendin dhe popullin ku kemi zhvilluar jetën tonë dhe familjet tona. Prandaj ndihem shumë herë krenar për shqiptarët e Bosnjë Hercegovinës, nënvizoi Presidenti.

Duke folur për marrëdhëniet dypalëshe dhe mundësitë ende të paeksploruara të bashkëpunimit ekonomik dhe në fushën e turizmit, Presidenti Nishani tha se dhe pse jetojmë shumë afër njëri-tjetrit, Sarajeva dhe Tirana janë vetëm 380 km larg, ne njihemi shumë pak mes nesh.

“Dinamika e fundit në zhvillimin e turizmit mes dy vendeve tona ka treguar se sa afër jemi dhe sa shumë të përbashkëta kemi. Turizmi mes nesh nuk është konkurrues, por komplementar dhe kjo gjë krijon hapësira të pafundme bashkëpunimi. Ndaj të ndikojmë të gjithë së bashku që turizmi të njohë një zhvillim sa më të madh mes vendeve tona”, theksoi Presidenti Nishani në fjalën e mbajtur në pritjen gjatë vizitës në Sarajevë.

Presidenti i Republikës dhe Zonja e Parë, Odeta Nishani, vizituan edhe lagjen e Bashçarshisë, ku u takuan dhe u përshëndetën përzemërsisht me bashkatdhetarë të shumtë që jetojnë dhe punojnë në Sarajevë.

Burimi:(ATSH\E C)

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al