Ka nisur në Romë edicioni i 14 i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit. Ndër 33 filma nga 25 vende të botës që garojnë në këtë Festival , është dhe filmi “Willow” me bashkë producent shqiptarin Agron Domi, i cili është autori e drejtuesi i Tirana Film Festival e Tirana Institutte Film.

Filmi “Willow” është një bashkëprodhimi i vitit 2019 i katër vendeve ; Maqedoni, Hungari, Shqipëri e Belgjikë e i realizuar nga regjisori maqedonas Milcho Manchevski, fitues më 1994 i Luanit të Artë në Festivalin e Venezias për filmin më të mirë “Before the rain” me të cilin qe kandidat dhe për çmimin Oscar e që është vlerësuar ndër 1000 filmat më të mirë të realizuar deri më sot.

Filmi i tij “Willow” i prezantuar në Festivalin e Romës, rrëfen historinë dramatike të tre grave maqedonase në epoka të ndryshme, të dëshirës së tyre e për të pasur fëmijë e për të krijuar një dashuri familjare.

Me një fill rrëfyes që nis nga mesjeta e deri në modernizmin e sotëm, filmi ka personazhe tre gra heroina; Donka, Rodna e Katerina.

“Dashuria, besimi, amërsia përfshijnë historinë e tre familjeve të këtij filmi”, thotë regjisori.

Tre personazhet përballen me dilema morale e personale që përfundojnë duke ripërcaktuar rolet e tyre në komunitet.

Në sipërfaqe mënyra e jetës e besimet e tre personazheve nuk ndryshojnë shumë nga mesjeta në epokën moderne. Dilemat e dy heroinave të filmit në mesjetë, karakteret dhimbja e gezimet e tyre reflektohen, kontrastohen e plotësohen me historinë e ngjashme të Katerinës në epokën moderne.

Dëshira për të pasur fëmijë, shqetësimet ëndërrat e tyre për të dhënë dashuri apo frika për ta humbur atë, gjejnë intrepretimin artistik të regjisorit në pemën e shelgut, pema lotuese që rritet pranë ujit, e rafiguron historinë e trishtë të tre grave që lotojnë e kopështit të tyre simbol i ciklit të fekondimit.

Filmi “Willow” është pritur mjaft mirë nga kritika italiane e filmit, që e konsiderojnë një nga prodhimet kinematorgafike më interesante në këtë Festival si dhe rikthim ekselent të autorit të “Before the rain” i cili pas kaq vitesh është lejuar të xhirojë në tokën e tij në Maqedoni ku qeveria e mëparshme e kishte ndaluar të punonte.

Filmi “Willow” intepretohet nga aktorët Sara Klimoska, Natalija Teodosieva, Kamka Tocinovski, Nikola Risteski, Nenad Nacev, Petar Caranovic, Ratka Radmanovic, Petar Mircevski.

Festivali i 14 i Filmit në Romë mbyllet më 27 tetor ku marrin pjesë emra të rëndësishëm të kinematografisë botërore si Martin Scorzese, Edward Norton, Viola Davis, Bill Murray, John Travolta, Ron Howard etj.