Nora Malaj: Qeveria të hartojë një plan strategjik për fëmijët me sindromën Down

Deputetja e LSI Nora Malaj ne nje interviste per Ora News është shprehur se ajo çfarë është e rëndësishme, e kategorizuar në fokusin e problematikës së fëmijëve me sindromën Down, duhet të kenë ndihmë të dedikuar nga ‘mësuesi i ndihmës’.

“Ajo që është shumë e rëndësishme, e kategorizuar në fokusin e problematikës së fëmijëve me këtë lloj sindrome apo fëmijëve autikë, duhet që ata që japin ndihmë të drejtpërdrejtë dhe të dedikuar që quhet mësuesi i ndihmës, duhet të kenë formim të dedikuar për këtë kategori, duhet të kenë trajnime të specializuara për këto kategori. Dhe duhet të rritet numri i tyre duke bërë një përcaktim të qartë në buxhetin e shtetit. Nëse do flasim me shifra dhe me fakte, ato duhet të jenë prezentë dhe duhet të jenë të dedikuara në mënyrë që shërbimi të jepet me cilësi. Sepse çdo orë e munguar i krijon një handikap shumë të madh jo vetëm familjes, jo vetëm shoqërisë, por bëhet një barrë shumë e madhe për të gjithë ne”, është shprehur deputetja Malaj, ndërsa shton se një problem tjetër shumë i rëndësishëm ka të bëjë me nivelin e statistikave. “Një problem tjetër shumë i rëndësishëm lidhej me nivelin e statistikave dhe këtu fillon A-ja e problemit sepse përpara se ta analizosh problemin duhet të dish cilat janë statistikat. Ajo çfarë kërkoi komisioni dhe grupet e interesit është rishikimi i një marrëveshje katër ministrore që dikur është bërë për fëmijët e rrugës, ku futej dhe kategoria e fëmijëve me aftësi të kufizuar. Duhet parë si një nevojë e domosdoshme për të krijuar statistika që fillojnë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Arsimit dhe duke u përputhur me njëra-tjetrën mund të ndërtosh dhe të jesh shumë i qartë për të bërë ato që quhen politika të dedikuara në kuadër të pushtetit lokal që është pushteti që duhet të japin këto shërbime”, tha Malaj.

Kurrikula e specializuar
Deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim shpreh nevojën e kurrikulës së specializuar. “Shumë e nevojshme është që në kuadër të kualifikimit të mësuesve, duhet futur dhe të jetë e dedikuar, mënyra e kurrikulës së specializuar, që aktualisht ekziston vetëm në Universitetin e Vlorës, kemi master në Universitetin e Tiranës dhe në dy universitete të tjera, një në Durrës dhe një në Korçë. Por këto ende nuk janë të vendosura në kuadër të amendimeve që duhen bërë në ligjin e Arsimit të Lartë. Është e pjesshme dhe e pamjaftueshme dhe si e tillë krijon problematikë shumë të madhe në zgjidhjen e problemeve dhe qasjeve të tyre”, tha Malaj. Deputetja thekson më tej se ligji për Banesat Sociale lë shumë për të dëshiruar. Sipas saj, ky ligj duhet rishikuar. “Në ligjin e ri që do kalohet, në ligjin e Banesave Sociale që është një ligj që lë shumë për të dëshiruara dhe që ka shumë nevojë për një punë shumë të fortë. Në komisione janë bërë 75% të ndryshimeve të ligjit që tregon se ligji duhet parë nga e para dhe duhen ndihmuar të gjitha kategoritë”, shtoi deputetja Malaj.
Plan strategjik
Më pas deputetja e LSI iu referua edhe problematikave në politikë nga të dyja palët, si deputetët e mazhorancës, por edhe ata të opozitës për këtë target-grup, por së fundmi shtoi se ka ardhur koha për të bërë një plan strategjik kombëtar për nevojat që ka kjo kategori, jo vetëm për fëmijët, por edhe për të rriturit. Gjithashtu, Malaj i kushtoi një rëndësi shumë të madhe dhe arsimit të fëmijëve me sindromën Down. Ajo shprehet se sot sistemi arsimor duhet t’u japë shansin e munguar këtyre fëmijëve për t’u përfshirë dhe për të përfituar nga ky institucion. ‶Por përveç edukimit, duhet të marrin edhe një profesion, ku pasi të marrin këto shërbime në kushtet që janë, të realizohen politika të dedikuara për punësimin e tyre, pra për ta angazhuar edhe këtë kategori fëmijësh″. Deputetja e LSI-së nënvizon faktin e problematikave të shumta, ku sipas saj duhet ngritur zëri. Nga ana tjetër, ajo i referohet rregullimit të nismave ligjore apo dispozitave normative, ku sipas saj kuadri ligjor është i mangët. ″Kërkohet domosdoshmërish rregullimi i nismave ligjore apo të dispozitave normative, të cilat rregullojnë mekanizmat e ndihmës për kategorinë e këtyre fëmijëve. Njëkohësisht, faza e terapisë që duhet ushtruar dhe mënyra se si do realizohet me ndihmën që duhet të jepet është shumë e rëndësishme‶, thotë Malaj. Së fundmi, ajo i bën thirrje Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, ku për fëmijët e moshës 0 deri në 6 vjeç, por edhe më vonë, të krijohet mundësia e qasjes së programeve për sistemin parashkollor dhe atë të fillores.

Burimi: (integrimi.al/T.I)

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al