O sa mirë me qenë dibran!

PËRPARIM SPAHIU (Deputet i LSI,qarku Dibër)

PËRPARIM SPAHIU (Deputet i LSI,qarku Dibër)

Me qenë dibran, edhe jo fort i mençur, kupton se fushata elektorale për zgjedhjet 2017 tashmë ka nisur. Pavarësisht rrugës së vështirë dhe të gjatë për të mbërritur deri atje, shumë politikanë, jashtë dhe brenda Kuvendit, nuk po pyesin më as për makina dhe as për karburant. Me qenë dibran, qoftë edhe për një ditë, tashmë që po vjen fushata, ia vlen barra qiranë.
Mjafton që t’u përmendësh njerëzve, kudo ku ajo duhet të kalonte, Rrugën e Arbrit…Por me qenë dibran, pas gati dy dekadash premtimesh, zor se të beson njeri. Madje, as unë që kam “gënjyer” veten një herë, kur garoja për deputet në zgjedhjet e kaluara parlamentare, nuk më takon të mashtrohem më. Rruga e Dibrës (jo kjo e Tiranës) vazhdon të jetë po ajo, sikurse politikanët e të gjitha ngjyrave, që një herë në katër vite detyrohen të bëhen dibranë për një ditë.

Duke premtuar pa u lodhur dhe deri në turp, po Rrugën e Arbrit…
Disa nga ne, sikurse edhe kolegu im i PDIU­së dje, nuk kemi asnjë faj për “gënjeshtrat” e vjetra, por për hir të atyre që janë thënë deri tani, nuk na takon të premtojmë më! O sa mirë me qenë dibran… me qenë e vërtetë, duhet të bëhet e vërtetë, së bashku me Rrugën e Arbrit.

Sa pa filluar mirë fushata, të paktën Ne, deputetëve të Kuvendit, na takon të kërkojmë urgjentisht realizimin e saj. Këtë herë me një rezolutë të përbashkët, të gjitha forcat politike, të vendosim ndërtimin e saj, me të gjitha sforcot financiare, llojet e koncesioneve apo partneritetit me privatët. Rruga e Arbrit kushton shumë më shumë, e pandërtuar. Pa folur për kostot morale, që prej dy dekadash vazhdojnë të njollosin të gjithë klasën politike shqiptare.

Rruga e Arbrit është gënjeshtra më e madhe e tranzicionit shqiptar dhe banorët e Matit, Bulqizës e Dibrës, meritojnë premtime të tjera në 2017. Kush është dibran dhe prej andej nga kalon Rruga e Arbrit, nuk na beson më. Sa pa nisur mirë fushata, të votojmë në Kuvend ndërtimin e saj. Pastaj ka vend për të gjithë për të bërtitur me gishta në vesh: “O sa mirë me qenë dibran!”.

(Burimi:Panorama/Xh.N)

Te shenuara si:
al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al