I ftuar në studion e lajmeve në RTV Ora ishte ish-deputeti i LSI-së Përparim Spahiu, i cili foli për zgjedhjet lokale të dekretuara nga Presidenti Meta në 13 tetor.

I pyetur nëse data 13 tetor është e përshtatshme për të shkuar opozita në zgjedhje, Spahiu u përgjigj se pas shkeljes së rëndë që i është bërë votës së lirë të shqiptarëve opozita ka “dënuar” kryeministrin Edi Rama dhe nuk do të shkojë në zgjedhje me të kryeministër.

Gazetarja: Po për opozitën është e favorshme kjo datë dhe i bashkohet opozita këtij procesi zgjedhor?

Përparim Saphiu: Kauza themelore e opozitës është situata politike pas 2017. Pra ishin zgjedhje që të gjithë e pamë se si shkuan, se si u menaxhuan, kemi përgjime që tashmë janë bërë një histori e njohur për të gjithë shqiptarët. Opozita duke mos pasur organet ligjëzbatuese, ose mosveprimi i Gjykatave për këto shkelje mjaft të rënda të zgjedhjeve, ose dhunimit të votës, vuri si kusht të sajin, ose “dënoi” Ramën duke thënë se nuk shkojmë në zgjedhje me Ramën kryeministër. Them që është një kërkesë normale e një vendi demokratik kur qartazi shihen funksionarë të lartë të qeverisë, me kryeministrin vetë që përfshihen në biseda me oficerë policie që nuk kanë pikën e lidhjes me fushatën. Aq më rëndë kur flitet për strategji të veçanta të zgjedhjeve në 2016.  Kauza e opozitës është një argument mjaft i fortë  dhe them që opozita bën mirë që kësaj kauze i qëndron fort. Themeli i gjithë këtyre problemeve është vota e lirë.  Nëse nuk zgjidhemi nga vota e lirë e shqiptarëve kjo punë kështu do të vazhdojë.