Ish-deputetja e LSI, Silva Caka në një intervistë për emisionin “7pa5” në Vizion Plus, ka folur në lidhje me paketën anti-KÇK të ndërmarrë nga qeveria.

Sipas Cakës, krimi është në gjendjen më të mirë në vend, teksa shton se ky akt normativ nuk duhet të bëhet ligj nga Parlamenti, sepse vendos në pikëpyetje zbatimin dhe qëllimin e mirë të tij.

“Një qeveri që mendonte se krimi ishte në ditët e tij më të këqija të tij dhe qeveria në ditët më të mira, praktikisht dolëm në një masë tepër radikale, e cila e tregoi edhe njëherë që është ajo që ne kemi thënë që krimi është në ditët më të mira realisht. Ajo që ne na ka shqetësuar nuk ka qenë fakti që po merret një iniciativë që po lufton krimin e organizuar, për të parë pasuritë e paligjshme të këtyre njerëzve, mënyrën se si i kanë vendosur këto pasuri dhe mbi të gjitha se si i ruajnë këto pasuri. Ajo që na shqetëson është shkelja me të dyja këmbët e të drejtave të njeriu, sepse mënyra se si është konceptuar ky akt normativ që unë shpresoj që mos të bëhet ligj nga Parlamenti, është mënyra e mbivendosjes së të gjitha kompetencave, mënyra  e dublimit të institucioneve të ndryshme dhe mbi të gjitha anashkalimi  i institucioneve të reja është ajo që realisht më vë në pikëpyetje për sa i përket zbatimit dhe qëllimit të mirë.

Duket në thelb sikur është një akt normativ që ua legjitimon pasurinë  këtyre njerëzve që kanë një të shkuar kriminale apo që janë nën një akuzë. Unë jam shumë e bindur që kështu do të shkojë. Në momentin që do të bëhet një sekuestrim apo një ndalim nga punonjësit e OFL-së, një heqje e pasaportës, ti kufizohet e drejta për të lëvizur, të gjitha këto do të kundërshtohen në gjykatë, sepse ata njerëz e dinë shumë mirë që me një kërkesë në gjykatë do ti kundërshtohen të gjitha masat. Të gjitha këto nuk bëjnë asgjë tjetër veçse ia garantojnë edhe njëherë të drejtën e autorësisë ndaj këtyre pronave që i kanë me para që i kanë të gjeneruara nga  krimi”, ka thënë Caka.