Ish-ministri i Bujqësisë për LSI, Edmond Panariti ka propozuar futjen e “tallonit” përmes “bonuseve” ushqimore për familjet në nevojë.

Në një postim në rrjetin social ai nënvizoi se kështu veprohet dhe në SHBA apo Itali, duke cilësuar ndihmat e deritanishme si lëmoshë.

Postimi i Panaritit:

“Bonuse” ushqimore për familjet në nevojë dhe jo ndihma “lëmoshe” për përballimin e pandemisë!

Shqipëria e ka të nevojëshme sistemin e bonuseve për ushqim për familjet në nevojë në kohë normale dhe jo më në kohë krize!

Sepse kështu veprojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për familjet në nevojë dhe me pak të ardhura.

Programi i Ushqimit “Food Stamps” në Amerikë (bonuse ushqimore) për shtresat me pak të ardhura i vendosur prej kohësh , është shembulli për tu ndjekur.

Pa llogaritur këtu shumën prej më shumë se 1000 dollarë që çdo qytetar i kësaj kategorie përfitoi si pagesë direkte në konto nga fondet federale si mbështetje për krizën e pandemisë.

Por le të shkojmë më pranë te fqinji jonë Italia.

Gjatë infeksionit nga Koronavirusi, qeveria italiane miratoi fondin prej 400 milion euro për bonuse ushqimore për shtresat me pak të ardhura si dhe listën e marketeve ku këto ushqime mund të bliheshin nga familjet në nevojë.

Të dy këto vende janë vende shumë të zhvilluara dhe me ekonomi të fuqishme dhe megjithatë ato investojnë për shtresat në nevojë, të cilat për nga standart i jetesës mund të konsiderohen të pasur po ti krahasojmë të varfërit e Shqipërisë!

Prandaj sa më parë bonuset për ushqim të jenë pjesë e paketave të “anti krizë. “