Ish deputeti i LSI-së, Edmond Panariti, ka reaguar me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ku komenton rastin e pagesës së licencimit në QKL.

Panariti shprehet se detyrimi për regjistrim në QKL i qindra bizneseve të vogla ushqimore, i shoqëruar me miliona lekë gjoba si sanksione për vonesë është i kundërligjshëm de mund të korrigjohet vetëm me përgjegjësi ligjore për ata që e kanë ushtruar.

Postimi i plotë i Panaritit:

Si u zhvatën dhe u falimentuan me qindra biznese të vogla ushqimore nga AKU me gjoba antiligjore!

Me qindra biznese të vegjël ushqimore u detyruan të paguajnë për licencim në QKL, në keqinterpretim të një VKM të vitit 2009. Përpos kësaj në kapërcim afatesh ata u gjobitën rëndë. Ekzekutori i kësaj fushate ishte AKU, e cila veproi jashtë kompetencave. Një pjesë e madhe e “të vegjëlve” pa mbrojtje, nuk e përballuan, u rrëzuan dhe i ulën qepenat. Detyrimi për regjistrim në QKL, i qindra bizneseve të vogla ushqimore, i shoqëruar me miliona lekë gjoba si sanksione për vonesë është i kundërligjshëm. Ai nuk është keqinformim. Ai është një abuzim i cili nuk mund të korrigjohet me “amnisti”, por me përgjegjësi ligjore për ata që e kanë ushtruar.