Kina ka ndezur alarmin e kuq për një tajfun të fuqishëm, që pritet të shkojë drejt bregdetit lindor.

Pritet që provinca ZHejiang të goditet nga tajfuni Lekima, i cili aktualisht ndodhet në Tajvan me erëra më shumë se 190 km/orë.

Ekipet e urgjencës janë dërguar në rajon në mënyrë që të japin ndihmën e parë sa më shpejt, njoftoi ministria e urgjencës e Kinës.

Ndërkohë, mijëra njerëz në bregdetin e Shanghai janë paralajmëruar që të përgatiten për tu evakuuar.

Paralajmërimet për përmbytjet janë dhënë për pjesët lindore të lumit Yangtze dhe lumit të Verdhë. Thuhet se tajfuni i fuqishëm mund të qëndrojë në vend deri të mërkurën. Linjat e lundrimit kanë marrë urdhër që të vonojnë mbërritjen e tyre në Shanghai dhe disa shërbime treni janë pezulluar gjatë fundjavës.