Menjëherë pas prezantimit të gjeneratës së re të iPhone-ve, Apple ka nxjerrë në heshtje jashtë loje katër modele të “vjetra”.

Nga faqja zyrtare e gjigantit teknologjik në internet mungojnë: iPhone X, iPhone 6S dhe 6S Plus, si dhe iPhone SE.

Ndërkohë linja e 6S dhe SE ishin modelet e fundit të iPhone që kishin një vend për kufjet – modelet më të reja fuinksionojnë vetëm më lidhësin Lightning të Apple.

Të pyetur me anë të një email-i në lidhje me “zhdukjen” e katër modeleve nga faqja zyrtare, përfaqësuesit e kompanisë nuk u përgjigjën. Ky lajm nuk u ka pëlqyer aspak konsumatorëve që janë për modele më të vogla dhe më pak të shtrenjta të Apple.

Gjithsesi, nuk është befasi që Apple të heqë iPhone 6S dhe 6S Plus. Kompania zakonisht ndërpret modele të vjetra çdo vit kur sjell në treg gjeneratën e re. Apple filloi t’i ofrojë telefonat në 2015, dhe që nga ajo kohë janë zëvendësuar nga modelet e iPhone 7 dhe iPhone 8, të cilat Apple vazhdon t’i shesë.