Kaosi që mbizotëroi një ditë më parë nga protestat në rrugët e Hong Kong duket se është fashitur dhe qyteti i është rikthyer jetës normale. Protesta që përfundoi në dhunë pritet të mobilizohet sërish nëse qeveria vendos të diskutojë rreth projektligjit polemizues të ekstradimeve.

Hong Kong i është rikthyer qetësisë një ditë pas protestës më të dhunshme të dekadave të fundit.

Por selia e parlamentit dhe godinat qeveritare do të qëndrojnë mbyllur gjatë ditës për arsye sigurie.

Rrugët e metropolit u bënë sërish të kalueshme pasi dhjetëra mijëra qytetarë pak orë më herët i bllokuan ato me synimin për të ndalur debatin plenar rreth projektligjit për ekstradimet.

Tentativat e aktivistëve për të mësyrë brenda godinave u pasuan me reagimin e forcave të rendit, të cilat përdorën fishekë gome dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat.

Të paktën 72 qytetarë mbetën të lënduar nga sulmet e policisë.

Observatori ndërkombëtar i të drejtave të njeriut por edhe Bashkimi Europian apeluan autoritetet vendëse të respektojnë të drejtat e protestuesve duke shmangur përdorimin e forcës.

Tubimet që nisën në fundjavë me 1 milionë demonstrues synojnë tërheqjen e nismës qeveritare për të krijuar një bazë ligjore që lejon ekstradimin e kriminelëve të dyshuar për vepra të rënda kriminale.

Aktualisht ish-kolonia britanike e Hong Kong nuk ka traktate ekstradimi me disa vende, mes tyre edhe Kina.

Kritikët dhe protestuesit druhen se ligji mund të përdoret për të shtypur të drejtat e tyre dhe për të persekutuar kundërshtarët e Pekinit përmes proceseve të paligjshme.

Organi ekzekutiv ka deklaruar se seanca për projektligjin e ekstradimeve është shtyrë për më vonë, por shumica mbetet e vendosur për ta miratuar ligjin para pushimeve të verës.