Përparim Spahiu: Ky pushtet i rrethuar nga 5-6 klientë financiarë, nuk po gropos vetëm qytetarët e thjeshtë, por edhe biznesin e vogël

Fjala në Kuvend e deputetit të LSI-së, Përparim Spahiu

Të nderuar kolegë, jemi në një situatë të rënduar ekonomike, me shumë paqartësi për të ardhmen dhe mbingarkim të qytetarëve me taksa të të gjitha llojeve. Prandaj, sot do të flas për këtë çështje, sepse besoj se është edhe shqetësimi më i madh i publikut dhe familjeve shqiptare, pasi po shoh që situata ekonomike ka shkuar në kolaps, aty ku s’mban më. Duhet thënë për fat të keq, që ky vit ka thyer çdo parashikim, me taska, gjoba dhe korrupsion me fondet publike, duke i marrë frymën e fundit shqiptarëve.

Pak ditë na ndajnë nga muaji prill, ku të gjithë do të nisin të paguajnë taksën e re të pronës, e cila në fakt është përllogaritur në mënyrë hileqare që vitin e shkuar nga Ministria e Financave. Nëse mbani mend, në çdo banesë është paraqitur adresari, i cili në emër të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike u ka kërkuar qytetarëve të dhëna private për banesën, sipërfaqen, pronësinë apo dokumentacionin. Këto të dhëna më pas janë transferuar tek Ministria e Financave nëpërmjet një memorandumi bashkëpunimi për tu krijuar kadastra fiskale. Kjo Kadastër Fiskale e cila ende nuk është ndërtuar , do të bënte një përllogaritje më të ndershme të taksës së pronës për çdo banesë. Ajo është kërkuar nga FMN si kriter për vendosjen e taksës së pronës, por ky pushtet i fasadës dhe propagandës nuk pyet për institucione ndërkombëtare.

Taska e re e pronës do të jetë mbytëse për qytetarët, të cilët aktualisht paguajnë 120 lekë në muaj, ndërsa nga data 1 prill do të paguajnë minimumi 400 në muaj për çdo familje që ka një banesë prej 100 m2.

Sipas Ministrisë së Financave,qytetarët do të paguajnë për banesat e tyre 0.05% të vlerës së pronës, ndërsa për bizneset do të jetë 0.2% e vlerës. Ne si forcë politike, LSI, jemi shumë dakord me taksimin e pronës, por kjo të bëhet për banesën e dytë. Madje, kemi patur popozim konkret, që banesa e parë të përjashtohet nga taksat, dhe banesa e dytë të taksohet aq sa të rikuperohen edhe humbjet nga të ardhurat e banesës së parë.

Ministri i Financave, thotë se taksën e pronës e ka kërkuar FMN. Po mirë, po kur hiqni taksa për bizneset dhe miqtë tuaj, a kërkoni mendim nga FMN? Po ju kujtoj vetëm rastin e akcizës së pijeve energjike, për të cilën vetë socialistët e vendosën si taksë në vitin 2014, dhe po socialistët e hoqët  në nëntor të 2017. Pra, me pak fjalë nuk pyetët fare për FMN-në dhe vepruat me dy standarde.

Por, ky pushtet i rrethuar nga 5-6 klientë financiarë, nuk po gropos vetëm qytetarët e thjeshtë, por edhe biznesin e vogël ku janë të punësuar mijëra familje. Nga data 1 prill, të gjitha bizneset që kanë xhiro vjetore më të lartë sesa 2 milionë lekë në vit do të hyjnë në skemën e TVSH-së. Me këtë veprim, po çoni drejt falimentimit, më shumë se 70 mijë biznese të vogla. Rreth 11 mijë biznese të vogla kanë hyrë që tani me TVSH, ndërsa 60 mijë të tjera do të hyjnë me dhunë nga qeveria në muajt në vijim.

Kjo skemë, në fakt nuk sjell asnjë të ardhur shtesë për buxhetin e shtetit, nuk sjell as formalizim të ekonomisë, por favorizon bizneset e mëdha, dhe më saktë qendrat tregtare që janë hapur dhe ato që priten të hapen në kullat që po ndërtoni në mes të Tiranës.

Skema e re e TVSH-së, është kundërshtuar fort nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, ku ka paralajmëruar ulje të të ardhurave për buxhetin e shtetit dhe ngarkesë finaciare biznesin e vogël. Nëse deri dje, një biznes i vogël nuk kishte nevojë për një ekonomist, tashmë me skemën e re do ti duhet patjetër, pasi do të bëj bilancet vjetore njësoj si një biznes i madh. Pra, rriten kostot për biznesin e vogël, minimum në 100 mijë lekë të vjetra në muaj.

Përveç minatorëve që nuk do tju ndahen, tani jeni në hall edhe me Shoqatën e Biznesit të Vogël, të cilët kanë paralajmëruar protesta masive deri në grevë urie, nëse nuk e tërhiqni mbrapsht vendimin për të përfshirë në skemën e TVSH-së bizneset që kalojnë xhiron vjetore prej 2 milionë lekësh.

E gjithë Paketa Fiskale e këtij viti, përkthehet vetëm në dy fjalë, ose paqartësi dhe padituri për të ndërtuar një ekonomi prodhuese dhe që ofron shërbime, gjë e cila do të sillte më shumë punësim dhe mirëqënie, ose ajo që unë s’do të doja ta besoja, politikë e qëllishme që favorizon mungesën e konkurrueshmërisë si një nga shtyllat bazë të një ekonomie të tregut të lirë.

Le të ndalemi pak tek koncesionet, për të cilën kjo qeveri i ka shumë për zemër. Besoj e dëgjuat shuplakën e fundit të FMN-së për koncesionet e pakërkuara. FMN thotë që e kemi këshilluar qeverinë që të pezullojë dhënien e koncesioneve të reja, ndërkohë Ministri i Financave sfidon FMN-në duke i thënë se do t’i ndërpresim, por në 2021.

Është e kuptueshme, që koncesionet mbajnë në pushtet këtë qeveri, dhe për pasojë e ka të vështirë ti pezullojë, edhe pse borxhi publik ka kapur shifrën e 71.2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (sipas FMN). Por borxhi publik mund të jetë edhe më i lartë, pasi koncesionet kanë anekse kontratash që përfitojnë edhe më tej nga paratë qytetarëve shqiptarë. Mos të flasim pastaj për koncesionet e reja, si Aeroporti i Vlorës, projektet 1 miliard euro për rrugët, Hidrocentrali i Kalivaçit, që do ta çojnë borxhin publik në ndonjë shifër të paimagjinueshme.

Aktualisht, sipas raportit të Buxhetit të Shtetit për vitin 2018, qytetarët paguajnë rreth 70 milion euro në vit për koncesionet. Koncesionet janë kundërshtuar gjithmonë dhe prerazi nga LSI, duke dhënë propozimin që të kalojnë me votim në parlament dhe jo nga qeveria.

Sipas FMN-së, të gjitha koncesionet jepen pa një analizë të qartë mes kostove që paguajnë qytetarët dhe përfitimeve që ato sjellin. Për më tepër, koncesionet ose të ashtuquajtura PPP, përmbajnë risqe thelbësore fiskale. Përshembull, investimi bëhet tani me financime nga privatët, ndërsa Qeveria e paguan më vonë. Kjo ekonomikisht është e njëjtë me huamarrjen, që do të thotë se i gjithë investimi duhet të regjistrohet si borxh publik.

FMN thotë gjithashtu se nevojiten korniza më të forta për menaxhimin e buxhetit dhe të investimeve publike në mënyrë që të zbuten risqet fiskale.

Këto pra janë disa nga shqetësimet më serioze të ekonomisë vendase. Pa shtuar këtu edhe thithjen e investitorëve të huaj, ku ne jemi shembulli më i keq, jo vetëm në mos ofrimin e politikave fiskale për krijimin e kushteve optimale për ta, por ne i kemi përzënë bizneset shqiptare në drejtim të rajonit.

 

Si përfundim, ju bëj një propozim konkret. Mos u merrni asnjë taksë biznesit të vogël, pasi jeni qeveri e paaftë për t’i konkretizuar në investime dhe benefite për shqiptarët. Më mirë lërjani taksat t’i menaxhojë vetë biznesi, pasi jam i bindur që do të jenë më efiçente sesa ju.

Burimi: (integrimi.al/T.I)

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al