Ditën e sotme në Kuvend ndodhi një incident mes kryetarit të Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja dhe gazetarëve, që ishin thirrur aty për të pasqyruar mbledhjen e radhës.

Sipas reporteres, Esiona Konomi Manja i përzuri kamerat me justifikimin, se ‘mund të filmonin telefonat e deputetëve’.

Të gjithë deputetët e parlamentit shqiptarë marrin një kuotë të majme mujore, për shërbimin e celularëve të tyre. Deri këtu jemi në rregull, sepse presupozohet, që ata të komunikojnë me votuesit e tyre dhe institucionet shtetërore në funksion të zgjidhjes së problemeve që kërkojnë zgjidhje. Telefonat që mbajnë në Kuvend, nëpër komisione, seanca plenare e kudo tjetër janë telefona pune, pavarësisht se aparati mund të jetë ‘privat’.

Por ish-prokurori Ulsi Manja ka frikë se çfarë mund të zbulojnë gazetarët në ekranet e tyre, edhe kur janë duke folur për ligje e punë të tjera të legjislativit.

Çfarë përpiqen të fshehin?

Porosinë e gruas për të blerë x gjë kur të kthehen në shtëpi, orën e një takimi pune ose me një mik që kanë kohë që nuk janë parë, apo…

Për një kohë të gjatë opozita dhe media vazhdon të akuzojë një pjesë të madhe të deputetëve socialistë, kryebashkiakëve e figurave të larta të Rilindjes  (madje edhe vetë kryeministrin Edi Rama), se kanë arritur deri aty sa që mbajnë kontakte direkt me eksponentë të fuqishëm të botës së krimit, të organizuar apo edhe ordiner. Shumë nga këto kontakte dihen nga prokuroria, të tjera janë zbuluar për publikun, si në rastin e Vangjush Dakos dhe  Taulant Ballës.

Kjo është edhe arsyeja e vërtetë, pse Ulsi Manja përfshihet nga paniku kur sheh kamera të drejtuara te duart e tyre kur mbajnë telefonin.

Ndoshta kjo frikë mund të lidhet edhe me dashnoret e dashnorët, por nëse do të ishte vetëm kaq; Hallall Ulsi, po ta falim këtë censurim!